Konispoli

Konispoli

Konispoli ndodhet në skajin jugor të Shqipërisë, ndërkohë që vetëm pak metra e ndajnë atë nga shteti fqinj, Greqia. Ai shtrihet në një pllajë të ndarë në katër kodra të rrumbullakosura e me përrenj të thellë. Në fund të këmbëve të qytetit, shtrihet lugina më e veçantë, e cilësuar, si më tipikja në Ballkan e më gjerë, me një ekosistem dhe habitat për t`u pasur zili. Në prehistori, në këtë zonë është ndërtuar një nga qytetet më të bukura me kështjella dhe mure tipike si të Butrintit. Njihet si qyteti binjak i Butrintit të famshëm.

Mandarinat e Konispolit

Mandarinat e Konispolit

Historia

Rrethina e Konispolit ka qenë e banuar që në periudhën e Paleolitit të Mesëm me një vazhdimësi të jetës qytetare në të gjitha periudhat historike. Gërmimet arkeologjike 3 km në perëndim të qytetit, në bregun e Sterrës, kanë çuar në zbulimin e 20 rrënojave, banesave, një sterrë për ujë si dhe disa pitosa të gjetura në luginën e Vardharit, që i përkasin shek III p.e. s

Në kodrat e Nartës janë zbuluar rrënojat e një kalaje të shek XI p.e.s brenda së cilës gjenden gjurmët e katër banesave. Gjithashtu, në Lumbardhë, në perëndim të qytetit janë të ruajtura 7 banesa dhe disa varre të shek XII. Konispoli përmendet për herë të parë në burimet e shkruara në shek e VIII-të.

Pas pushtimit turk shumë shqiptarë nga rajoni i Konispolit u larguan nga Shqipëria dhe u vendosën në fshatin Hore të arbëreshve në Siçili. Gjatë sundimit osman Konispoli mori tiparet e një vendbanimi oriental urban. Në shek XV u ndërtua pazari i shtruar me kalldrëm . Anash tij u ngritën më pas punishtet e zejtarëve, shtëpitë e tyre dy katëshe, kafenetë, restorantet dhe hanet. Gjatë shek të XIX qyteti mori një zhvillim më të madh urban, zejtar dhe tregtar. Në fillim të këtij shekulli qyteti kishte 400 shtëpi.

Ndërkohë emri i qytetit është një toponim sllav, “konj”- “kuaj” dhe “polie”-“fushë” (fusha e kuajve). Toponime të tilla ka në të gjithe hapsirën shqiptare, të mbetura që nga shek XIV, kur Perandoria Serbe e Car Stefan Dushanit pushtoi dhe kolonizoi shumë territore në Ballkanin Perëndimor, përfshi edhe territore shqiptare.

Konispoli si qendër qytetare, u rrit dhe u zhvillua pas viteve ’50 të shek XX. Gjatë kësajë periudhe u ndërtuan godina disa katëshe të institucioneve social-kulturore, u asfaltuan dhe ndricuan rrugët kryesore, të cilat ndjekin katet hipsometrike të vendosjes urbane të këtij vendbanimi.

Veshje popullore të Konsipolit

Veshje popullore të Konsipolit

Kulturë dhe traditë

Konispoli është një qytet me një prejardhje të hershme qytetare dhe njihet për një traditë patriotike, arsimore dhe kulturore. Nga banorët, patriotë dhe përparimtarë të kësaj zone janë bërë përpjekje për përhapjen e arsimit , kulturës dhe gjuhës shqipe për çeljen e shkollave nëpër fshatra etj. Në Konispol, prej fillimit të shek XVII dhe deri në vitin 1910 ka funksionuar një Medrese, me cikël 4- vjeçar, që e ndiqnin rreth 70 djem nga qytetet dhe fshatrat e Çamërisë. Ndërsa në vitin 1910 u hap klubi kombëtarë dhe shkolla e parë shqipe, e cila u mbyll më 1911, për tu rihapur në 1916.

Në vitin 1921 elemente përparimtare krijuan në Konispol, shoqërinë “ Vllazëria Çame”. Ndërkohë qytetit nuk i mungojnë as figurat e spikatura historike, ku midis tyre shquhen emra si Osman Alush Taka, Mahmut Dalani, Muharrem Rushiti e shumë të tjerë, por edhe autorë të veprave letrare si Muhamet Kuçuku, Ibrahim Hoxha, Pajtim Çaushi, Veiz Sejko e shumë autor të tjerë. Konispoli identifikohet me kuturën dhe traditën çame .

Veshja popullore e burrave dhe grave të kësaj zone në shekujt e 18-të dhe 19-të, kishin tiparet e veshjes së kostumit kombëtar të krahinës dhe ishin jashtëzakonisht të bukura.

Ato punoheshin nga zejtarët mjeshtra të Janinës.Veshja popullore e Konispolit njihen edhe si një nga veshjet më të bukura në Europë. Veshja e popullore e burrave të Konispolit spikati më shumë në vitin 1973 në Festivalin Folklorik Kombëtar, të cilën e mbante veshur valltari, Taip Medani gjatë interpretimit të valles së famshme të “Osman Taka”. Ndërkohë që nuk mbeten pas edhe vallet karakteristike të grave të kësaj zone. Kjo traditë ruhet edhe sot nga “Grupi Artistik i Konispolit”, i cili i prezanton ato në aktivitete kulturore brenda dhe jashtë vendit

Shpella e Kreshmoit në Konispol

Shpella e Kreshmoit në Konispol

Turizëm

Konispoli është një qytet me potencial të madh turistik, por ende të pashfrytëzuar, i cili mund të tërheqë mjaft turistë të huaj, por edhe vendas. Nëse viziton Konispolin, do të gjesh një thesar të trashegimise kulturore. Ndërtesa qindra vjeçare të familjeve që kanë bërë historinë e këtij qyteti, janë ende sot me lagje të tëra.

Një prej objekteve që tërheq vizitorë në zonën e Konispolit është Ujësjëllësi i Xarrës, i cili vlerësohet si një ndër projektet më të mëdha inxhinierike dhe arkitektonike të Perandorisë Romake në territoret e Ilirisë dhe Epirit. Ka gjurmë të bazamenteve me mbetjet e Këmbëve të ujësjellësit përgjatë fushës së Vrinës (Kestrina e lashtë). Ndërkohë në anën veriore të sheshit të qytetit ngrihet një monument bronzi kushtuar viktimave çame të shpërngulur pas Luftës së Dytë Botërore nga trojet e tyre. Një tjetër atraksion turistik për këtë qytet do të ishte dhe Shpella e Kreshmotit, e cila nga arkielogët cilësohet si shpellë 27 mijë vjeçare, dhe njihet si model jo vetëm për territorin shqiptar por për të gjithë Evropën Juglindore. Natyra e mrekullueshme, prodhimet e bio, trashëgimia kulturore që ka ky territor janë një potecial i madh turistik , por që ende nuk ka gjetur zhvillim.

Elida Lazi