Bulqiza është një trevë e datuar që në kohët e lashta iliro-romake,gjë që e tregojnë dhe rrënojat arkeologjike të qytetërimeve antike dhe sidomos në periudhën e mesjetës, ku ka pasur një popullsi të madhe. Si trevë e hershme, Bulqiza njihet që në epokën e gurit. Gjatë kësaj periudhe kjo zonë popullohej nga fiset ilire, ku më të përmendurit ishin Penestët me kryeqendër Uskanën.
Në kohërat e dyndjeve barbare sllave, në fushën e kalasë u zhvilluan luftime të përgjakshme kundër pushtuesve, të cilët dogjën e plaçkitën qytetin me emrin Vali(os). Qyteti i Valit shtrihej në dy anët e urës së sotme të qytetit të Bulqizës, aty ku lartësohet dhe shkëmbi i Skëndërbeut. Si rezultat i pushtimit dhe djegies, por dhe atyre të mëvonshme të qytetit Vali, populli u detyrua të largohej nga trojet e tij dhe të vendosej rrëzë maleve dhe kodrave të luginës së Bulqizës.
Qyteti i Vali (os) pati një zhvillim të madh në drejtim të tregtisë, bujqësisë dhe blektorisë. Si rezultat i zhvillimit dhe fuqizimit ekonomik, popullsia e këtij qyteti shtohej me ritme të larta. Nga të dhënat arkeologjike dëshmohet se ky qytet është banuar që në lashtësi. Këtë e tregon fakti i vendbanimive të të gjitha periudhave të hershme, të bronzit dhe periudhës së hekurit, gjithashtu janë gjetur dhe gjurmë të rrugës së Arbrit si nyje lidhëse mes perëndimit dhe lindjes.
Bulqiza njihet edhe si vendi i betejave të Skënderbeut. Kërkimet arkeologjike në zonën e Bulqizës, kanë zbuluar edhe një fortifikim të periudhës së Skëndërbeut. Vëzhgimi i arkeologëve në një kodër që njihet si “Shkëmbi i Kullës së Skëndërbeut”, zbuloi rrënojat e fortifikimit që ata besojnë se i kanë shërbyer “Heroit Kombëtar” në dy betejat kundër Ballaban Pashës në Vajkal.
Në fillim të shekullit, ky vend nuk njihej si qytet por si hani i Duriçit dhe hani i Bobës dhe ishte si rrugë kalimtare për ata që bënin tregti nga Tirana në Durrës.
Qyteti i Bulqizës lindi si një qendër punëtorësh në mes dy fshatrave: atij Durriç dhe Vajkal në vitin 1950. Qyteti filloi me barakat e dërrasës në vitet 1949-1950 dhe më pas u ndërtuan disa ndërtesa një katëshe, shkollë, kopshte e çerdhe për fëmijë. Me rritjen e vazhdueshme të ofertës së punës në këtë qytet erdhën punëtorë kryesisht nga zona e Dibrës, duke sjellë dhe nevojën e ndërtimit të objekteve të tjera për banim dhe shërbime sociale.
Gjatë viteve 1948-1990 kjo qytezë e vogël në verilindje të Shqipërisë u bë e njohur si “Qyteza e Minatorëve”, e cila në vitet 1970-1983 u zgjerua edhe më shumë me ndërtime të reja për banim. Bulqiza është qyteti me rezervat më të mëdha të kromit në Shqipëri. Ky qytet na jep dhe një vend nderi për pasuritë e kromit në Evropë dhe botë.
Kultura dhe tradita
Veprat artizanale kanë një vend të veçantë në trashëgiminë kulturore të qytetit të Bulqizës. Veshjet popullore janë një ekspozitë e vërtetë e artit popullor. Të përgatitura me shumë mund, plot stil e bukuri, ato sot përcjellin traditën e pasur të kësaj zone. Larmia e kombinimit të ngjyrave dhe detajeve i bëjnë këto veshje të mahnitëshme. Në çdo element të tyre gjen një pjesëz arti, që buron nga shpirti i pasur i vajzave dhe grave bulqizake.
Gratë e zonës vazhdojnë edhe sot të merren me artizanat. Kostumet popullore bulqizake janë nga më të veçantët në Shqipëi, që vijojnë të qepen nga artizanet e zonës dhe tregtohen duke u kthyer në një biznes të vogël familjar. Përdorimin e tyre e gjen edhe në ceremonitë e martesave të zonës, një mënyrë kjo për të ruajtur traditën e të parëve .
Veshja e grave përbëhet nga qasha prej leshi, ngjyrë e zezë për gra dhe e kuqe për vajza, jelek zbukuruar me serm, barkore e bardhë para dhe brez leshi të kuq në mes, këmishë atlasi me krah që dalin në pah, jepek-shamia e kokës me ngjyra të ndezura, të brendshme dhe çorape të bardha, mitan me ngjyra, ose tabes në vend të këmishës.
Një nga këto elementë të kostumit popullor, qasha është një veshje që është trashëguar bres pas brezi dhe është përdorur edhe pas viteve 90-të. Sipas gojëdhënave popullore, qasha është element kryesor i kostumit popullor, e trashëguar që nga koha e Skëndërbeut. Kjo veshje mendohet të jetë veshur nga gratë e familjes për të mbajtur zi për heroin, Skëndërbeun.
Turizmi
Bulqiza dhe zonat përreth të ofrojnë një mundësi të pafundme për turizëm, kryesisht atë malor, që mbetet më i preferuari për turistët e huaj, por edhe ata vendas. Malet e larta, biodiversiteti, natyra, por edhe klima e bëjnë këtë zonë shumë të preferuar për turizëm, në çdo stinë të vitit. Natyra fantastike dhe e paprekur e Bulqizës është një thesar i vyer.
Me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, turizmi mund të marrë një dimension tjetër, pasi i jep lehtësi infrastrukturore për të vizituar këtë zonë dhe për t’u bërë një urë e mirë e shkëmbimit të kulturave dhe për promovimin e bukurive të kësaj zone.
Liqeni i Zi është një nga mrekullitë natyrore në Bulqizë që ia vlen të vizitohet. Shpatet e pjerrëta të veshura me pyje ahu e pishe dhe uji i pastër si kristali, krijojnë një peisazh të pakrahësueshëm. Mban emrin “Liqeni i Zi” për shkak të thellësisë së madhe dhe depozitimeve të kromiteve në taban, të cilat i japin atij ngjyrë të errët. Një pasuri që mirëpret çdo të apasionuar pas bukurive të natyrës.`
Një arsye më shumë për të vizituar Bulqizën janë dhe pamjet e mrekullueshme që të ofron lugina e lumit të Drinit të Zi. Ndërsa të apasionuarve pas” Rafting” ky lumë ju jep mundësinë të shijojnë vozitjen me varkat e raftingut. Të apasionuarit pas hikingut, mund të përshkojnë rrugën që të çon tek Liqeni i Thatë, i cili ndodhet në malin Kamavec.
Ujëvara e Duriçit është një tjetër atraksion turistik në qytetin e Bulqizës, e cila ndodhet në shpatin verior të malit të Kaptinës, në afërsi të qytetit. Ujvara buron nga Liqeni i Zi dhe ka një pamje mahnitëse.
Liqenet e Dhoksit janë një tjetër atraksion turistik më vete i Bulqizës. Vizitorë të shumtë në Bulqizë tërheqin dhe kulla shekullore. Më të njohurat janë kulla 200-vjecare, e cila ndodhet në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, si dhe ajo e Salë Markës në fshatin Zogjë, një kullë e ndërtuar me gurë dhe tepër e vecantë.
Të shndërruar në bujtina, tashmë prej vitesh këto kulla janë kthyer në atraksionet më rëndësishëm për turistët vendas dhe të huaj. Veç njohjes me historinë dhe traditën e këtyre kullave, aty mund të shijosh dhe gatimet bio dhe tradicionale të zonës.
Elida Lazi