Hanfu, një veshje e kombësisë hane, ka një histori mijëravjeçare. Ndërsa shumë stilistë përpiqen ta rikthejnë origjinalitetin e saj, të tjerë thonë se është më mirë që ajo të lihet në të kaluarën.

Chu Yan është një stiliste që njihet për punën e rikrijimit të veshjeve tradicionale kineze. Ajo punon në Institutin e Teknologjisë së Modës të Pekinit dhe ka edhe një studio private.

Ndër punët e saj përfshihet stilimi i kostumeve tradicionale kineze të stilit të dinastisë Tang (tangzhuang) për liderët që morën pjesë në Samitin e APEC-ut në Pekin në vitin 2014.

Chu Yan, në krye të një grupi stilistësh, dizenjoi tangzhuang-ët e liderëve në Samitin e APEC-ut të Pekinit 2014/ foto nga agjencia "Xinhua"

Chu Yan, në krye të një grupi stilistësh, dizenjoi tangzhuang-ët e liderëve në Samitin e APEC-ut të Pekinit 2014/ foto nga agjencia "Xinhua"

"Një vepër e mëhershme ishte rreth pikturave murale në Dunhuang. Ato janë dypërmasore. Më vonë punova për një projekt në bashkëpunim me Muzeun e Xian-it dhe u mora me figura qeramike, që janë me tri përmasa, ndryshe nga muralet. Nga ky projekt kuptova më mirë pamjen e jashtme të sendeve reale," shpjegon Chu.

Ajo ka besim në rikrijimin e këtyre veprave artistike historike, që do të thotë sipas saj "të dish se nga vjen dhe se ku do të shkosh".

Për shkak të përparimeve teknologjike, shumë njerëz mendojnë se modelet e reja nuk janë hanfu të vërteta tradicionale dhe se vetëm veshjet klasike mund të konsiderohen si origjinale. Megjithatë, Chan-i thotë se gjërat janë më të ndërlikuara se kaq.

“Mund ta rikrijojmë diçka siç ka qenë saktësisht në histori? Mund ta bëjmë. Metodat e stilimit, qepjes dhe prodhimit na e bëjnë të mundur një gjë të tillë, por ne përdorim teknika dhe materiale të veçanta,” i tha Chu Rrjetit Televiziv Global të Kinës (CGTN).

Chu Yan, gjatë një interviste me CGTN

Chu Yan, gjatë një interviste me CGTN

Talenti i saj nuk mbetet në rikrijimin e veshjeve tradicionale kineze, po ajo dëshiron t’u shtojë ngjyrime moderne veshjeve me elemente tradicionale kineze.

“Për mua, si stiliste, rikrijimi i veprave historike është vetëm një pjesë e kërkimeve tona,” vëren Chu, duke shtuar se novacioni është tjetër pjesë e punës.

Në përgjigje të thirrjes që hanfu duhet të kthehet, ajo tha se s’ka nevojë për kopje për nder të traditës dhe kulturës kineze, por stilistët e rinj kinezë duhet ta njohin qartë historinë e artit dhe t’i japin një jetë të re së kaluarës.

“S’mund të kthehemi në të shkuarën dhe s’ka nevojë që të vishemi njësoj si kinezët e lashtë,” thekson Chu. “Duhet të merret thelbi dhe të lihet mënjanë pjesa tjetër.” Ajo beson se stilistët e rinj kinezë do ta mbajnë parasysh këtë shprehje të famshme kineze: “Nderimi i historisë nuk do të thotë se duhet ta imitojmë atë çfarë është shfaqur në të kaluarën". "Duhet të shquhemi,” shton ajo.

 Të rinj kinezë të veshur me lloje të ndryshme hanfu-je/ CGTN

Të rinj kinezë të veshur me lloje të ndryshme hanfu-je/ CGTN

Kina është një vend me 56 kombësi, ndër të cilat më e madhja është kombësia hane, që përbën mbi 90 për qind të popullsisë.

Në histori, banorët e kombësisë hane kishin mënyrën e tyre të veçantë të jetesës, përfshirë mënyrën e tyre të veshjes, hanfu.

Sistemi i veshjeve tradicionale të banorëve hanë ndahet sot në dy faza: stili i lashtë dhe ai modern.

Hanfu i lashtë ka lindur në epokën e Perandorit të Verdhë, afro 4 mijë vjet më parë, dhe u zhvillua deri afro 300 a 400 vjet më parë, kur ndërhyri kodi i dinastisë Qing për politikën e flokëve dhe veshjeve.

Më vonë, në vitet e para të shekullit të 20-të, Kina filloi lëvizjen drejt veshjeve të stilit perëndimor.

Stili modern i hanfu-së përfshin veshjet që trashëgojnë modelet bazë të hanfu-së dhe me shumë elemente moderne.

Këto tetë fjalë janë përmbledhja e karakteristikave të hanfu-së. Në gjuhën kineze, ato janë “Ping”, “Zhong”, “Jiao”, “You”, “Kuan”, “Tuan”, “He” dhe “Ying”.

“Ping” do të thotë i rrafshët. Një nga elementet kyçe të hanfu-së është se nuk ka linjat e supit, që do të thotë se për tërë veshjen përdoret vetëm një copë e thjeshtë pëlhure.

“Zhong” do të thotë përqendrim. Prerja dhe qepja ndjek rregullin e simetrisë.

“Jiao” do të thotë që dy pjesët e përparme e hanfu-së janë dizenjuar të kryqëzohen e mbivendosen, duke mishëruar besimin e kulturës tradicionale kineze të ekuilibrit yin-yang (dy përbërës në opozitë në natyrë, sipas filozofisë kineze).

Fjala “You” do të thotë e djathtë, që thekson se pjesa e djathtë e përparme e hanfu-së vendoset nën pjesën e majtë.

Fjala e pestë, “Kuan” ka kuptimin “i gjerë”. Kostumet hanfu kanë mëngë dhe fund të gjerë.

“Tuan” dhe “He” kanë të bëjnë me buzët dhe mëngët. Buzët duhet të jenë të rregullta e të pastra, pa asnjë fije të varur, ndërsa dy mëngët duhet të takohen me njëra-tjetrën.

“Ying”, fjala e fundit, por jo më pak e rëndësishme, do të thotë zbukurim. Në vend të kopsave, një rrip përdoret për lidhjen e të gjitha pjesëve të veshjes. (Wang Lei/ Artan)