Autorja e disa vëllimeve me poezi, Mimoza Ahmeti, nuk resht së habituri. Poetja e njohur, ka ekspozuar disa nga punët e saj që ngjallin mjaft diskutim, duke u fokusuar tek pushteti dhe mundësia, dy fusha sa të veçuara, aq edhe të ndërvarura ndaj njëra-tjetrës.

Aq sa qëndrojnë ndaras, aq edhe mund të kuptohen mjaft mirë brenda tyre, sepse pushteti kalon përmes mundësisë për të arritur pikën finale, por edhe mundësia është një dinamikë që transformohet përmes pushtetit dhe shpesh arrin në të njëjtën pikë të fundme.

Pikërisht, fuqia e pushtetit dhe mundësisë, sjell autoren dhe shkrimtaren Mimoza Ahmeti në një dimension të ri, atë të piktores, jo aq shumë i trumbetuar në media, por me të njëjtën fuqi konceptuale dhe ekspresion, që kanë lënë pas edhe fjalët, poezitë dhe vargjet e saj. Nëpërmjet një ekspozite të titulluar “Potence”, Ahmeti solli në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, disa nga punimet më të përzgjedhura, të ndërlidhura konceptualisht, për të përcjellë më qartë zbërthimin psikologjik të personazheve dhe brendësinë mentale të autores.

Kuruesja e ekspozitës, studiuesja Suzana Varvarica, shprehet se pikturat e Ahmetit pasqyrojnë ndër të tjera fuqinë e individit publik dhe se për të zbërthyer atë, duhet së pari të njohësh autoren, të njohësh idetë e saj dhe të bësh një bashkëbisedim intelektual. Sipas saj, ekspozita, edhe pse e thjeshtë në pamje të parë, së brendshmi është një tentativë e dijeve të autores për të paraqitur personazhet dhe ngjarjet nëpërmjet thellimeve psikologjike në to.

Mundësinë dhe fuqinë i sheh ngushtësisht të lidhura, prandaj penelit të saj nuk i kanë shpëtuar personazhe si Edi Rama apo Fatos Lubonja që siç thotë ajo lëvizin midis këtyre dy fushave.

Sinkron Moza 1

“Kishim vite që e mendonim këtë bashkëpunim, mund të jetë përpara pandemisë fillimi i këtij bashkëpunimi. Deri sa në fund na koinçidoi që në kushtet e pandemisë të vendosim ta hapim këtë ekspozitë. Unë këtu mund tju tregoj që kam nivele të ndyshme portretesh, kam Edi Ramën përshëmbull në vitin 1997, kur u godit dhe e kam quajtur punën “I fundmi i Ciklit të Kreshnikëve” dhe pastaj e kam rreth viteve 2000 të transformuar. Nuk kam pse ta etiketoj traansformimin, por e kam quajtur “Poëer”, pra “Fuqi”. Kam Fatos Lubonjën, i cili siç duket është në konflikt jo vetëm me shoqërinë, por edhe vetveten, sepse predikati i tij është diçka që sforcon kufinjtë intelektuale dhe të vetë tij. Unë i kam ndjekur shumë nga bisedat e tij dhe prepozicionet që ai i jep shoqërisë dhe këtu i kam vendosur në alterego, duke dhënë një dubël figurë, një figurë të dyfishtë, ku në njërën është njeriu i zakonshëm ditor dhe në tjetrën është reflektuesi mediatik, i cili do të zgjojë interesin e shoqërisë”.

Duke u ndalur në emrin e ekspozitës dhe në idenë që ajo përpiqet të emetojë, Ahmeti thotë se potenca e njeriut përdoret për të krijuar sistemin social dhe se rrjedhojë e kësaj potence është iluzioni “Forma maksimale e këtij iluzioni është pushteti dhe mundësia, e cila është tërësisht një marrëveshje sociale, e ngre ose ul njeriun për vdekje. Drama e njeriut nuk është dramë natyrore, është dramë sociale”, arsyeton Ahmeti.

Mimoza Ahmeti, poetja e spikatur që guxoi të provokonte që para vieve ’90, vazhdon të jetë provokuese në art.

Poetja Rita Petro, e quajti autoren një avangardë të poezisë shqipe, pasi shkroi poezinë moderne, para viteve ’90, por edhe një piktore me stilin e saj tashmë të formësuar.

Sinkron 2

“Moza si karakter, si natyrë, si stil, është një artiste që shkruan dhe që pikturon në gjendje deliri. Pra, delirante në kuptimin më të bukur të fjalës, dhe këtë e kam kuptuar edhe tek fjala e Mozës, por e kam kuptuaar edhe në poezinë e saj. Mua më duket se çdo gjë është eterike, edhe sendet që pikturon, edhe sendet, edhe objektet, edhe ndërtesat, edhe personazhet që pikturon, të duket sikur qëndrojnë në ajër. Pra, ajo pikturon pesha të rënda, port ë gjitha peshat e rënda të saj qëndrojnë në ajër dhe ky mendoj se është pjesë e stilit të saj”.

Mes pasionit për pikturën dhe letërsinë, si bashkëshoqëruese e hershme Mimoza Ahmeti gjen balancën e nevojshme të një shpirti të lirë.

Nëse në letërsi, arti është një kështjellë e pafundme fjalësh, piktura është një art memec thotë Ahmeti.

Sinkron 3

“Piktura është një art memec që ka gojën më të madhe për të folur, është një art që nuk të lë asnjëherë në baltë. Më vjen turp të pranoj se nga një pikturë po u shit, fitoj më shumë se nga një libër. Megjithatë më duhet të pranoj edhe tjetrën që tregu ka kohë që është i ngurtë dhe për artin bëhet bëhet shumë shumë pak”.

Letërsia dhe piktura, binomi me të cilin identifikohet artistikisht Mimoza Ahmeti, u bënë shtyllat kryesore në të cilat u mbështët artisja fort, sidomos gjatë këtij viti të vështirë të pandemisë. Tregime të reja, por edhe portrete të reja në pikturë, të finalizuara në këtë ekspozitë, sjellin reminishenca të së kaluarës, që e kanë bërë artisten të reflektojë. Nëse letërsia është dashuria e saj e parë, tek piktura ka gjetur paqen.

Mimoza Ahmeti, padyshim që përbën një rast të veçantë në realitetin shqiptar. Ajo u promovua si poete, si një përfaqësuese e spikatur e letërsisë bashkëkohore. Krijimet e saj në letërsi, kryesisht poezi, dallojnë për lirshmërinë dhe shprehitë që burojnë nga brendia e një individi që ka sfiduar kohën. E thellë dhe origjinale, e sinqertë dhe jetësore, e brishtë dhe femërore, ajo diti të shfaqë vitalitetin dhe energjinë krijuese jo vetëm në letërsi, por edhe në pikturë, me të cilën e lidh një ndjenjë e fortë.

Mimoza Ahmeti si artiste e lindur që është e ka gjetur mjetin shprehës, i cili mesa duket po i shkon më shumë për shtat. Është ngjyra dhe piktura. Ekspozita e fundit e dëshmon më së miri këtë. E lidhur me pushtetin dhe mundësinë, provokimi artistik është edhe më i fortë!