Çfarë kanë të përbashkët makinat dhe moda? Përgjigja është: stili. Makinat dhe moda, janë kombinimi perfekt i së kaluarës dhe së tashmes.

Rruga e G'juhadolit, një nga rrugët më të bukura dhe tradicionale të Shkodrës, pak javë më parë, u "kthye" në vitet '30, e pushtuar nga makina dhe veshje të atyre viteve.

E ndërthurur me arkitekturën italiane, makinat të viteve ‘30 qëndruan aty, bashkë me veshjen plot stil të të rinjve shkodranë, duke tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve.

Në një fundjavë plot diell të pranverës, makina të vjetra, modele dhe stil, veshje dhe klas, u shfaqën gjatë një fundjave, në mënyrë rigoroze, duke përcjellë një përvojë ndijore dhe intelektuale, që i bën vizitorët protagonistë të një ringjalljeje, që kapërcen kufijtë kohorë, në të cilën e kaluara është vazhdimisht një burim frymëzimi.

Mes makinave, kamerave, fotografëve, vajzave me kapele dhe meshkujve elegantë, mes një skenografie jetësore, që nuk ka nevojë për improvizim, një ndër momentet më të bukura të ekspozimit retro, ishte pikërisht parada e makinave të vjetra, ose ndryshe: "vepra arti autentike mbi rrota". Simbol i lirisë, stilit dhe personalitetit, i udhëtimeve të mundura ose të pamundura, emblema absolute që kanë magjepsur ëndërrat e brezave të një shekulli më parë, me të gjithë hijeshinë e tyre . Një rrugë që ndjek evolucionin stilistik dhe teknologjik të "markave" që letërsia dhe kinemaja i kanë bërë të pavdekshme. Kjo copëz jete dhe historie, elegance dhe krenarie, u prezantua në Shkodër, si për të lidhur edhe një herë me kordonin e jetës, qytetin me traditën e tij të patjetërsueshme.

Zona muzeale ku ishin të vendosura makinat mori vëmendjen e regjisorëve dhe producentëve të cilët shumë shpejt e kthyen pedonalen në një sheshxhirim të viteve ’30.

Të gjitha pjesët e skenarit të pashkruar u përputhën mjaft mirë: vintage, xhirim i modës, i makinave të vjetra, dizajn, fotografi dhe muzikë e atyre viteve.

Producenti Edrin Koleka tregon për vizitën e parë në Shkodër dhe frymëzimin që ka marrë nga ky qytet në prezantimin Retro.

“Për ne Shkodra është e gjitha një zonë muzeale dhe si mos ta zgjidhnim Shkodrën. Ju mund të shikoni arkitekturën italiane që është vërtet shumë e bukur, shumë e mbajtur. Shkodra ka një karakteristikë në arkitekturë, një stil shumë italian, të vjetër dhe të konservuar mjaft mirë. Menduam të vijmë në Shkodër edhe për ta promovuar pak Shkodrën, pasi në Shkodër mund të bëhen edhe gjëra të tilla siç po bëjmë ne sot, filma apo reklama të ndryshme. Një herë ta zbulosh Shkodra, vështirë të mos mund të vijmë prap…”

Një pjesë e rëndësishme e paradës, i kushtohej veshjeve dhe aksesorëve që i përkasnin shekullit të kaluar. Këto kujtime, të përcaktuara si Retro, janë akoma objekte kulti shumë aktuale, të cilat shënuan një epokë dhe kanë mbetur në kujtesën kolektive të qytetit të Shkodrës, i cili gjithmonë është shquar për qytetarinë, sharmin dhe elegancën.

Retro nuk është thjesht një vështrim melankolik dhe nostalgjik në të kaluarën, por një mënyrë e re për të parë të tashmen dhe të ardhmen. Në qytetin verior, rrobaqepësit krijues, kanë qenë gjithmonë prezent dhe mjaft ndikues në modën dhe guximin e të rinjve për tu veshur bukur e me stil. Sot këta të rinj po kthejnë në vëmendje një copëz të historisë së Shkodrës, e cila ka qenë pjesa më afërt me modën e kohës, duke e reflektuar atë në të gjithë Shqipërinë e asokohe. Me veshjet e tyre të rinjtë iu përshtatën atmosferës së krijuar nga makinat retro. Ata tregojnë ndjesitë e përjetimit të një copëze nga historia e shumë viteve më parë.

“Shkodra e ka historinë gati, mjafton thjesht ta kthejmë vëmendjen nga Shkodra, me aktivitete, me promovime të tilla, me reklama, me klipe, me filma. Jam me shumë fat që sot po organizohet kjo gjë në Shkodër. Shumë të rinj janë bashkuar, janë bashkuar për të treguar një Shkodër shumë të bukur, Shkodrën retro, që prap ne mundemi ta organizojmë”, thotë njëri nga të rinjtë organizator.

E njëjta atmosferë ekzaltuese përjetohet edhe nga të rinjtë e tjerë pjesmarrës:

“Po, jam brenda stilit. Më pëlqejnë gjërat e veçanta, sidomos më pëlqen të kthehem pas në kohë dhe i koleksionoj me raste”, thotë një e re. Ndërsa partneri i saj shton se “Është bukur kur i shijon këto momente, sepse jemi mësuar t’i shohim gjithmonë mëpër filma, por kur sheh se sa bukur janë veshur, se çfarë kulture kanë pasur, arrin ta përceptosh dhe ta kuptosh pak a shumë, atë magji të asaj periudhe”.

Shkodra është një ndër qytetet më të rëndësishëm dhe të emancipuar të vendit, gjithmonë në pararojë të mendimit progresiv. I konsideruar kryeqytet i artit shqiptar, qyteti ruan një traditë të pasur edhe në stil jetese e modë, që kulmoi në vitet ’20- ’30-’40, gjë që pasqyrohet edhe në fondin e artë të fototekës Marubi. Pikërisht kjo gjë është bërë burim frymëzimi për të rinjtë që të rikthejnë edhe një herë ato vite të lulëzimit të stilit të emancipuar shoqëror, përmes veshjes dhe ekspozimit retro të makinave.

Sot gjithnjë e më shumë po dëgjojmë fjalët Vintage dhe Retro që në pamje të parë mund të duken sinonime, por në realitet ato kanë një kuptim të ndryshëm dhe të mirëpërcaktuar. Vintage rrjedh nga një fjalë franceze që e cila tregon verëra të cilësisë së mirë dhe me prestigj. Dhe në fakt, atributi i cilësisë së mirë tregon objekte që janë të paktën 20 vjet të vjetra dhe janë bërë kult me kalimin e kohës, sepse janë prodhuar me materiale me cilësi të lartë ose pse ata kanë krijuar zakone dhe kulturë në një masë të tillë, sa ende të konsiderohen, pas dekadash, të çmuara dhe të paimitueshme. Mund të jenë rroba të vjetra, bizhuteri, mobilje, pllaka gramafoni, vegla muzikore, po gjithashtu biçikleta, makina apo motoçikleta të prodhuara përgjithësisht midis 1920 dhe 1980.

Ndërsa termi retro, nga ana tjetër, i bën nder një epoke të caktuar me elementë të bërë së fundmi: një fustan, një kapele, një aksesor i prodhuar sot që i referohet një periudhe të caktuar kulti në histori. Kjo është arsyeja pse një objekt i ri, edhe nëse kujton të kaluarën, nuk do të përcaktohet kurrë si i cilësisë së mirë, por thjesht retro.

Vetë parada retro e prezantuar në Shkodër, i bëri në shërbim qytetit, pasi solli në mendjen e secilit që është i lidhur sado pak me këtë qytet, kombinimin perfekt të së shkuarës, që na jep krenari, me të ardhmen, se si duhet të jetë ajo.

Neritana Kraja