Turizmi në Korçë ka njohur një zhvillim të vazhdueshëm vitet e fundit, me investime të ndryshme në infrastrukturë dhe hapjen e bujtinave vit pas viti në gjithë qytetin.

“Resorti i kuajve” në Korçë, është tashmë një aset dhe vlerë e shtuar në sektorin e turizmit.

Në kompleksin e pagëzuar me emrin “Shtëpia e kuajve”, në Turan të Korçës, një shëtitje me kalë është një mundësi krejt ndryshe, për të shijuar bukuritë e natyrës në këtë zonë piktoreske, që është mjaft e frekuentuar nga vizitorë dhe turistë të ndryshëm në çdo stinë të vitit.

Një staf i posaçëm asiston vizitorët që dëshirojnë të kalërojnë gjatë eksperiences së tyre të parë, ndërsa kompleksi ofron qendrën e akomodimit, restorantin dhe hotelin, me kushte bashkëkohore .

Dy vëllezërit Myrtollari, nga Turani i Korçës, të kthyer nga emigracioni në Greqi, falë punës së tyre arritën të realizonin ëndrrën për t’i dhënë jetë një resorti me kuaj.

I pari në llojin e tij dhe ndër të vetmit në Shqipëri, ku është krijuar zinxhiri i plotë i një modeli agroturistik, ku shërbehen ushqime tradicionale, organizohen aktivitete argëtimi, shëtitje me kuaj dhe ofrohet qendra e akomodimit në çdo ditë të javës.

Falë eksperiencës së Hilmiut, si garues e kampion në një sërë turnesh në Greqi, këtu jepen mësime kalërimi për fëmijët e të rinjtë dhe gjithashtu organizohen karvane për udhëtime turistike në zonën përreth.

Resorti i kuajve një atraksion i ri turistik, është një tjetër arsye më shumë për të ardhur në Korçë, ku një sërë fshatrash turistik të kësaj zone si Dardha, Voskopoja, Boboshtica etj të japin mundësinë e një sërë aktivitetesh rekreative dhe sportive si ecje në natyrë, vrap, çiklizëm, alpinizëm, ski, hedhje me parashute, etj.

Pasi u kthyen në 2013-ën nga emigracioni, pasioni dhe dëshira i shtyu vëllezërit Hilmi dhe Elton Myrtollari për të krijuar këtë destinacion tërheqës për familjet nga i gjithë vendi.

Hilmiu shprehet se, garat me kuaj ose hipizmi është prej shekujsh një lloj sporti shumë i veçantë dhe mjaft i preferuar për adhuruesit e tij, që siç thotë ai “ për shumë kohë ka qënë dhe shumë prestigjioz, për shkak se këtë mund ta ushtronin vetëm të pasurit, të cilët ishin në gjendje të stërvisnin kuaj të shpejtë, të destinuar vetëm për këtë lloj gare”.

Hilmiu na tregon se, në tokën pronë të familjes së tij, (me sipërfaqe rreth 2 ha) bashkë me vëllain e tij, Eltonin ngritën fillimisht infrastrukturën e resortit me 5 ambjente përkatëse që nga stalla e kuajve, pista e hipizmit, restorantin, qendra e akomodimit dhe fermën për prodhimin e produkteve bujqësore dhe të ushqimit për kuajt.

“Ndonëse kemi pak kohë që e kemi hapur resortin e kuajve, për sportin e hipizmit ka një interes në rritje nga ana e qytetarëve”- thotë Hilmiu, ndërsa shton se fluksi më i lartë i vizitorëve është kryesisht në fundjavë.

Ai tregon se, “në kopleksin e tij ka 15 kuaj, që i përkasin racave të zgjedhura, që mund të përdoren për hipizëm, për mësim hipizmi por edhe për shëtitje të gjata.” Kemi punësuar edhe punëtorë nga zona përrteh që merren me pastrimin e kuajve, ushqimin e tyre dhe shërbime të ndryshme, Ndërsa kemi edhe mjekun veteriner që kujdeset për shëndetin e kuajve”- shpjegin Hilmiu.

“Nuk mund të them që hipizmi apo kalërimi është sport luksi. Është sport fisnik, po. Pavarësisht se kali ka koston e vet, nuk mund të mohohet se mbajtja e një kali është njëlloj sikur ke shtuar një fëmijë në shtëpi. Këtu është 1000 lek ora për kurset në grup, 1500 për kurset individuale”, shprehet ai.

Ky investim modern është në funksion të turizmit në Bashkinë e Korçës. Vëllezërit Myrtollari parashikojnë të bëjnë dhe shëtitje turistike me kuaj në fshatrat e Korçës, duke shtuar një produkt turistik për vizitorët, që zgjedhin Korçën si destinacion.

Ai thotë se ka shumë pasionantë, dhe biznesi duket se ka nisur mbarë.

Pasionin që vëllezërit Myrtollari kanë për kuajt dhe hipizmin ia kanë përcjellë edhe fëmijëve të tyre. Lidhja e ngushtë që vajza e Hilmiut ka me kuajt vërehet edhe gjatë gjithë kohës .

“Jam shumë e lumtur që pata këtë mundësi të ushtroj një sport kaq të mrekullueshëm sa kalërimi me këtë qënie kaq të dashur”, thotë ajo.

Pavarësisht vështirësive të mbijetesës së këtij sporti në Shqipëri, është e sigurt se të gjithë këta njerëz të apasionuar do të kujdesen që ky sport fisnik të mos lihet në harresë.

Etleva Xhajanka