Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është listuar ndër 50 muzetë europianë më novatore të dyzet viteve të fundit .

Renditja është bërë nga Routledge, në numrin e radhës së revistës “Rishikimi i Muzeve Influencues, katër dekada të inovacionit dhe cilësisë publike në muzetë europiane”.

Kapaku i botimit te klasifikimit te 50 muzeumeve inovative ku ben pjese edhe muzeu Marubi

Përzgjedhja është bërë nga profesionistë në fushën e muzeologjisë, të cilët kanë shërbyer dhe si juri për çmimin e Muzeut Europian të Vitit.

Pjesë e këtij klasifikimi janë muze si Rijksmuseum në Hollandë; MuCEM- Museum of European and Mediterranean Civilizations në Francë; The British Galleries at the Victoria and Albert Museum në Britaninë e Madhe; Museum of Broken Relationships në Kroaci; War Childhood Museum në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Mes këtyre muzeumeve prestigjioze renditet edhe “Marubi”, i cili nuk mbeti në termat e një arkive, por u shndërrua në një muzeum modern, në përputhje me standardet europiane.

Në një kohë kur masat e COVID-19 ndalojnë vizitat në muze, madje një pjesë e tyre janë mbyllur, falë zbatimit të risive të teknologjise, “Marubi” ia ka dalë që të mbajë gjallë vëmëndjen e publikut, brenda e jashtë vendit. Në sajë të një pune voluminoze të nisur kohë më parë, ky muze mund të vizitohet virtualisht në pamje tredimensionale.

Ledina Beqiraj Agalliu, drejtoreshë e Drejtoria e Pergjithshme e Pronësisë Industriale dhe Luçiano Bedeni drejtor i Muzeut ne dorezimin e çertifikates se pronesise

Luçiano Bedeni, drejtor i fototekës “Marubi”, shprehet se projekti është i Ministrisë së Kulturës për digjitalizimin e siteve të trashëgimisë kulturore, muzeve dhe galerive të vendit.

“Muzeu Marubi është një prej muzeve të rëndësishëm që mund të vizitohet online, jo vetëm sa i takon aspektit tredimensional, të hapësirave ekspozuese, por të jemi online përmes arkivës, ku qytetarë të ndryshëm mund ta aksesojnë atë në çdo moment dhe ju ofrohen atyre 50 mijë imazhe të cilat janë të digjitalizuara dhe në fakt gjatë gjithë kësaj kohe po flasim për një punë që vazhdon e kryhet në muze. Jo vetëm sa i takon aspektit virtual, por digjitalizues dhe konservues. Ka disa mënyra me të cilat mund të aksesojnë, përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Kulturës dhe gjithashtu përmes rrjeteve tona sociale, të çdo kanali të komunikimit të Muzeut Marubi, në Facebook apo Instagram".

Muzeu Marubi me vizitore te vegjel

Një tjetër nisëm e muzeut “Marubi” që e ka bërë atë atraktiv dhe të vlerësuar për idetë inovative, është dhe argëtimi për fëmijët, të cilët nëpërmjet lojës “Mos u nxeh”, njihen në pika të ndryshme me historinë e qytetit të Shkodrës. Drejtori i muzeut jep deatje se si funksion kjo lojë e cila ka ngjallur interesin e madh të fëmijëve.

“Kemi dy programe që kemi vendosur në dispozicion për fëmijët, meqe Muzeu Marubi ka një program të theksuar edukimi. Loja mos u nxeh është një prej tyre, që i dedikohet të gjithë vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit, të cilat kulmojnë në Muzeun Marubi. Gjithashtu është dhe një tjetër program, bardhezi me ngjyra, ku disa nga imazhet e Marubeve i kemi kthyer në imazhe lineare, ku fëmijët e moshave të ndryshme, mund t’i shkarkojnë ato nga faqja jonë e Facebook-ut dhe t’i ngjyrosin në kohën të lirë”, komenton drejtori i fototekës “Marubi”.

Në vazhdën e zhvillimeve inovative, që nga ky muaj, muzeu ia ka dalë të marrë çertifikatën e regjistrimit të Markës Marubi. Ky çertifikim përbën një moment të rëndësishëm për përdorimin autentik nga ana e muzeut të emërtimit “Marubi” që është njëkohësisht edhe vlerësim për trashëgiminë e lënë nga fotografët e kësaj dinastie dhe pasuesit e tyre.

Muzeu Marubi

Klasifikimi i Muzeut Marubi në 50 muzeumet më inovativ të Europës gjatë 40 viteve të fundit, është pritur me entuziazëm nga qytetarët e Shkodrës, të cilët me të drejtë krenohen me pasurinë kulturore të qytetit të tyre. Në lidhje me këtë klasifikim, ka reaguar edhe stafi i Muzeut "Marubi", që shprehet mjaft i motivuar nga ky vlerësim.

“Vlerësime të tilla na shtyjnë së pari të falenderojmë stafin, bashkëpunëtorët, miqtë e muzeut, vizitorët vendas e të huaj të cilët shpesh kanë ndarë me ne edhe përshtypjet e tyre, gjë që na ka ndihmuar edhe në cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Kjo na motivon çdo ditë e më shumë të jemi më pranë komunitetit artdashës e po ashtu një publiku të ri, të apasionuar e të vëmendshëm ndaj trashëgimisë kulturore të lënë nga brezat e që transmetohet sot përmes formave inovative e bashkëkohore. Ju faleminderit e shihemi te Marubi “, shkruhet ndër të tjera, në faqen zyrtare të Marubit në Facebook.


Fotografi te vjetra eskpozuar tek Marubi

Muzeu Kombëtar i Fotografisë ‘Marubi’ u krijua në vitin 2016 dhe erdhi si nevojë për të evidentuar dhe promovuar arkivin fotografik të Dinastisë Marubi dhe fotografëve të tjerë të qytetit të Shkodrës, një trashëgimi kulturore unike në llojin e vet.

Në qendër të projektit të muzeut është trashëgimia e ‘Foto-Studio Marubbi’, themeluar në vitin 1856 nga Pietro Marubbi, piktori dhe fotografi italian i cili kishte ardhur dhe ishte vendosur në Shkodër në atë kohë.

Aktiviteti i studios ndër vite, do të drejtohej dhe pasurohej nga tre breza fotografësh deri në fillimin e viteve 1950 kur Gegë Marubi u detyrua t’i dorëzohej anonimatit kolektiv komunist duke u bashkuar me fotografët e tjerë në Kooperativën e Riparim-Shërbimeve, sektor i së cilës ishte edhe fotografia.

Kujtojmë se ky muze fotografik, mban një koleksion prej më shumë se pesëqindmijë negativësh që shtrihen nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, e deri në fundin e shekullit njëzet. Në të ruajnë fondet e tyre fotografike këto fotografë: Pietro Marubbi, Mati Kodheli, Kel Marubi, Gegë Marubi, Kolë Idromeno, Shan Pici, Kolë Maca, Dedë Jakova, Pjetër Rraboshta e Angjelin Nënshati.

Muzeu i ri është krijuar si një hapësirë për të promovuar dialogun e vyer midis traditës dhe modernitetit, së kaluarës dhe së tashmes. Në vitin 2017, muzeu ishte ndër finalistët e nominuar për çmimin prestigjioz EMYA si Muzeu Evropian i Vitit.

Muzeu "Marubi çdo vit e më shumë është kthyer në një pikë kryesore për turistët vendas por dhe ata të huaj. Vetëm gjatë vitit 2019 priti më shumë se 16 mijë vizitorë.


Neritana Kraja/ redaktorja Wang Lei