Tradita shqiptare e festave lidhet sa me ushqimet, aq edhe me pijet. Në tryezat festive nuk mungojne pijet tradicionale, të cilat, pavarësisht se prodhohen anëkend vendit, përsëri disa prej tyre kanë tiparet e tyre, që i bën më të pëlqyera dhe të kërkuara. Rakia e Skraparit, birra “Korça” dhe vera “Arbëri”, janë tre pije alkoolike tipike shqiptare, që vijnë nga një traditë e hershme dhe vazhdojnë të jenë në majë.
Raki Skrapari
Stina e vjeshtës në Skrapar njihet ndryshe si stina e rakisë. Skrapari është një rajon që nuk njihet vetëm për mirëpritjen dhe për traditën e tij, por shquhet edhe për prodhimin e rakisë. Në fakt rakia e Skraparit është shumë e njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Kur vijnë turistët e huaj për të vizituar kanionet, gjëja e parë që kërkojnë për të provuar është rakia e Skraparit, e cila krahasohet me uiskin skocez dhe atë gjerman.
Në çdo pjesë të Shqipërisë, në të gjitha ceremonitë festive gjithmonë kërkohet rakia e Skraparit, si pija më e mirë alkolike. Por cili është sekreti i kësaj pije? Sekreti qëndron në faktin se prodhimi i rakisë është një traditë shekullore kaluar brez pas brezi.
Rrushi kultivohet nëpër pjergulla që sistemohen në pemë të larta si lisi, kumbulla etj. Në përgjithësi zona e Skraparit prodhon një raki të fortë me një perqindje alkoli që shkon deri në 22%. Fshatrat më të dëgjuar për prodhimin e rakisë janë Zaberzan, Muzhakë, Rog dhe Vendreshë. Pasi vilet rrushi shtypet dhe mblidhet nëpër fuçi druri. Rrushi i shtypur, në këtë fazë quhet bërsi, lihet për 25 ditë, pothuajse një muaj, që është edhe koha e duhur e fermentimit. Fermentimi i duhur i rrushit kuptohet edhe nga një erë e fortë karakteristike.
Kur arrihet ky fermentim, bërsitë janë gati për tu nxjerrë raki. Bërsitë e rrushit më pas zihen në kazanë bakri të kallajisur dhe të mbyllur, druri që përdoret duhet të jetë dru lisi që prodhon shumë nxehtësi të nevojshme për të kthyer bërsitë në avuj. Këto avuj më pas kalojnë nëpër tuba bakri të cilat kalojnë nëpër një kontenitor të ftohtë nga ku arrihet dhe proçesi kundert, ai i distilimit pra kthimit në gjendje të lëngshme të avujve. Në fund të tubit vihet një napë e vogel nga ku rrjedh rakia në një enë qelqi ose plastike. Më pas rakia ruhet nëpër shishe të vogla prej qelqi.
Birra shqiptare
Birra “Korça” dhe Birra “Tirana”, janë dy birrat më të vjetra në vend që kanë ruajtur edhe një traditë të mirë të prodhimit. Birra Korça e ka zanafillën në vitin in 1928, ndërsa Birra Tirana në vitin 1960. Kjo traditë vazhdon sot e kësaj dite.
Të dyja këta birra, por edhe të tjera më të reja, si “Stella” dhe “Kaon”, ofrojnë për konsumatorin një cilësi të lartë dhe shije të veçantë, të ruajtur me fanatizëm ndër vite, duke mbajtur të njëjtat vlera dhe karakteristika.
Falë shijes së veçantë, përgjatë historisë thuajse njëshekullore, birra “Korça” dhe birra “Tirana”kanë “pushtuar” mbarë vendin dhe si rrjedhojë nuk mungojnë në tryezat festive.
Shijimi i birrës fillon përpara se të provojmë gllënjkën e parë të saj. Përveç zgjedhjes së gotës, mënyrës së mbushjes së birrës dhe temperaturës së saj, ambjenti ku e pini birrën ka një ndikim të madh për shijimin e saj.
Për ta shijuar sa më mirë birrën vendase, përpiquni që të zgjidhni një ambjent sa më të qetë, të rehatshëm dhe të ndriçuar mirë, mundësisht me dritë natyrale, me qëllim që ju të mos shpërqëndroheni gjatë degustimit dhe të keni mundësinë që të shquani sa më mirë të gjitha karakteristikat pamore të birrës, si ngjyrën, qartësinë, bulzat e gazit, shkumën, etj.
Birrat shqiptare kanë një aromë të këndëshme dhe shumë ndjellëse që vjen si rezultat i një kombinimi të balancuar të aromës së maltos së elbit dhe aromës së lupolos së freskët.
Shija e birrave shqiptare krijon gjithmonë një ndjesi fantastike që zgjat dhe mbetet në memorien e kujdo që e provon atë, duke e bërë birrën më të dashur dhe të preferuar nga të gjithë shqiptarët, por edhe konsumatorët e huaj që arrijnë ta provojnë.
Për kureshtarët e formulës së birrës, ajo prodhohet kryesiht nga katër përbërës: malto e elbit është “shpirti” i birrës. Malto është ajo që i jep birrës ngjyrën e saj, ndjesinë e ëmbël të elbit dhe sheqernat e nevojshme për fermentimin; lupolo është e njohur si “erëza” që i jep karakterin birrës duke i shtuar asaj aromën dhe hidhësinë për të balancuar shijen e ëmbël të maltos. Gjithashtu lupolo i jep birrës shkumën e bardhë që krijohet kur ajo hidhet në gotë; majaja njihet si elementi që i jep jetën birrës dhe e bën atë të gjallë. Ajo është një kontribuese shumë e rëndësishme për shijen e birrës dhe uji, i cili është përbërësi që zë mbi 90 % të volumit të birrës, është ndër pikat më të forta të birrave shqiptare, pasi vjen nga burime ujërash të freskëta e të pasura me minerale.
Verë shqiptare
Shqipëria ka një traditë të hershme të prodhimit të verës dhe ka disa kantina shumë të njohuar që prodhojnë verën e cila nuk mungon të tryezat festive të shqiptarëve.
Për verën shqiptare ka nisur të hapet një kapitull i ri në tregun vendas. Kantinat kryesore në vend flasin për një ecuri pozitive dhe të qëndrueshme të shitjeve.
Festat janë periudha më e ngarkuar e vitit për të gjitha kantinat në vend. Përveç konsumit të madh të saj gjatë periudhës së fundvitit, verërat janë dhe një ide shumë e mirë dhurate. Zakonisht në fundvit kantinat marrin porosi për shporta të personalizuara.
Tashmë, verëdashësit kanë filluar të mendojnë për verën që do të zgjedhin për Krishtlindje dhe mbrëmjen e ndërrimit të viteve.
Varietetet më të zakonshme të rrushit shqiptar janë: Kallmeti, Shesh, Debin, Vranac dhe Vlosh. Shqipëria mund të ndahet në katër rajone të mëdha të verës, duke përfshirë zonat bregdetare, rajonin kodrinor qendror, rajonin malor lindor dhe malet.
Ndërkohë disa nga kantinat më të mira në vend janë kantina Çobo, Kantina Kallmeti, Kantina Arbëri, Kantina Kokomani, Mrizi i zanave dhe Uka Farm.
75% e varieteteve të rrushit shqiptar janë varietete tipike për rajonin e Ballkanit! Varietet kallmet dhe shesh i zi për verën e kuqe, shesh i bardhë dhe puls për verën e bardhë janë ndër më emblematikët dhe në total përfaqësojnë më shumë se 50% të prodhimit kombëtar të vreshtarisë. Madje është më se e zakonshme të shohësh breshka të lezetshme duke ecur midis rreshtave të vreshtave!
Neritana Kraja