Pogradeci, qyteti i liqenit, i malit, kulturës, traditës por edhe qyteti i poetëve.Vendasit e quajnë një perlë të vërtetë dhe jo më kot këtij qyteti i shkruante Lasgushi dhe Mitrushi. Pogradeci është i bukur jo vetëm prej natyre, por është edhe një qytet i lashtë e me tradita të hershme kulturore e artistike. Pogradeci është qyteti i luleve, i verës, i peshkut të rrallë koranit, që vështirë se gjendet tjetër kund, por edhe qyteti i mikpritjes.

Historia

Pogradeci ka një histori të lashtë dhe dokumenta të shumta kulturore, gjeologjike dhe natyrore. Ai është banuar në periudhën e paleolitit, ku në Buqezë u ngritën vendbanimet e para palafite. Ndërkohë gërmimet arkeologjike në kodrën mbi qytet kanë zbuluar një vendbanim ilir të shekullit V p.e.s, që i përket fiseve të lashta të Desartëve që në atë kohë, popullonin Mokrën e sotme dhe Enkelejdët. Këta të fundit kanë qenë fis që kanë jetuar brenda mureve të kalasë së ndërtuar në majë të kodrës pranë qytetit, në pjesën veri-perëndimore të tij. Qytetet e tyre Pelioni dhe Enkleana u shndërruan në shekujt IV-III p.e.s në qendra të rëndësishme urbane.

Dikur qyteti kishte dimensionet e kalasë, ku tashmë gjenden vetëm rrënojat. Me rritjen e popullsisë dhe mbarimit të luftërave lindi nevoja e zgjerimit. Gjatë shekujve në vazhdim banorët e fshatit zbritën poshtë në rrëzë të kodrës dhe krijuan qytetin e Pogradecit, përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit. Zbulimet arkeologjike, që konfirmojnë popullimin në këtë rajon, datojnë nga Periudha Neolitike (6000 vjet p.e.s), me popullsi dhe ndërtime në rritje gjatë periudhave të Bakrit, Bronxit dhe Hekurit. Gjatë Mesjetës së mesme në shekujt IX-XI, Pgradeci kaloi periudhën e pushtimit bullgar, nga e cila ka trashëguar një sërë toponimesh sllave, madje dhe emrin Pogra-Dec, që do të thotë “qyteti nën kështjellë”, pasi edhe sot qyteti ndodhet nën kështjellën e lashtë mesjetare.

Më pas Pogradeci u bë pjesë e Principatës së Muzakajve, rënia e së cilës i hapi rrugë pushtimit të gjatë turk, që vazhdoi deri në vitin 1912.

Në fillim të shekullit të XX-të, Pogradeci u përball me pushtimet ushtarake italiane, greke dhe gjermane. Pas luftës, Pogradeci përjetoi revolucionin industrial të periudhës së komunizmit

Kulturë dhe Traditë

Pogradeci ka një traditë shumë të pasur folklori, me larmi kostumesh popullore dhe këngë e valle melodioze të frymëzuara nga bukuritë natyrore të zonës. Tradita artistike e Pogradecit ka prodhuar shumë piktorë dhe shkrimtarë të poezisë dhe prozës, si Lasgush Poradeci, liriku më i madh shqiptar, pa lënë pa përmendur edhe Mitrush Kutelin. Elementë artistikë mund ti gjesh edhe në arkitekturën e qytetit. Pogradeci me një traditë te pasur në artizanat perfaqësohet sot denjësisht nga artistët e gdhendjes në dru. Pogradeci ka një muze të pasur me dëshmi antikiteti dhe të kohës së luftës, ka kishën e vjetër ortodokse, që quhet kisha e Shën Mërisë dhe ndodhet në lagjen e vjetër të qytetit, si dhe një kishë të re, me arkitekturë shumë të veçante të quajtur Ringjallja.

Turizmi

Qyteti liqenor mbetet nga më mikpritësit në Shqipëri. Pamja mbresëlënëse dhe ujrat e kristaltë që të ofron liqeni e bëjnë Pogradecin një nga qytetet më të vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. Pogradeci dhe rrethinat e tij janë një atraksion i përhershëm turistik për natyrën, kulturën dhe hitorinë që i japin madhështinë, ndërsa Liqeni hijeshinë. Pogradeci mbetet një nga qytetet më elitar të Shqipërisë, me kulturën, traditën dhe bukuritë natyrore, ku vizitori gjen prehje në të katër stinët e vitit.

Atraksionet janë të shumta në Pogradec, duke nisur nga qendrat historike, kulturore, qyteti i vjetër, kalaja 2400 vjecare, Bazilika e Linit, varret mbretërore të Selcës, e në vetvete liqeni i Pogradecit, që tashmë është trashëgimi e UNESKO-s. Këto të gjitha e bëjnë Pogradecin që të jetë një qendër e turizmit kulturor dhe natyror.

Të shumtë janë turistët që e zgjedhin këtë qytet jo vetëm për plazhin, por edhe për pikat turistike Tushemishti dhe Driloni. Tushemishti veç bukurisë natyrore dhe kulinarisë që të ofron është bërë i njohur dhe i dashur nga të gjithë edhe me filmat “Zonja nga qyteti” dhe “Shoqja nga fshati”. Sot qytetarë të shumtë vzitojnë shtëpitë ku janë luajtur këto dy filma, ndërsa bëjnë foto me bustin e teto Ollgës.

Ndërkohë katër kilometra në lindje të Pogradecit ndodhet pika turistike e Drilonit, ku natyra nuk e ka kursyer bukurinë. Pemët e shumta dekorative dhe bimët e ndryshme janë në harmoni të plotë me ujrat e kristalta të lumit Drilon, rrugicat për shëtitje, urat karakteristike prej druri dhe zogjtë e bëjnë atë një nga vendet më të vizituara në këtë qytet. Qyteti i Pogradecit mbetet një destinacion i preferuar për turistët edhe në stinën e dimrit, sidomos kur ka reshje dëbore. Pamja piktoreske e liqenit dhe borës, i japin qytetit një sfond të mrekullueshëm.

Kulinaria është një tjetër atraksion për Pogradecin. Turistët përveçse për të shijuar magjinë e qytetit, vijnë edhe për kuzhinën tradicionale. Më i preferuari mbetet peshku koran, simboli i Pogradecit, por duke mos lënë pas edhe Belushkën, që i freskët gatuhet në mënyra nga më të ndryshmet. Pogradeci, Tushemishti dhe Driloni për natyrën, kulinarinë, mikpritjen dhe liqenin që i fal gjithë hijeshinë, mbetet ndër atraksionet më të preferuara në Shqipëri për turistët.

Elida Lazi