Për të gjithë fëmijët fundjava dhe sidomos e diela i takon gjithmonë Teatrit të Kukullave. Kjo është tashmë një traditë shumëvjeçare e krijuar në Shqipëri.

Këtë dhjetor, teatri që rriti shumë breza dhe krijoi personazhet më të dashur për ta, festoi 70-vjetorin e krijimit.

Por artistët festuan me një festë të thjeshtë simbolike. Munguan fëmijët, mungoi festa e vërtetë. Shkak pandemia!

Edhe pse në një moment të vështirë, sërish në shtëpinë më të dashur të fëmijëve është ekspozuar “historia e teatrit” me anë të kostumeve të vjetra dhe kukullave të dashura, të cilat vetvetiu të kujtojnë kontributin e atyre që e themeluan.

Në 70 - vjetorin e krijimit të tij, të gjithë kujtojmë personazhet, që i deshëm kur ishim fëmijë. Emrat e aktorëve mund t’i kemi harruar, por personazhet e tyre jo. Të gjithë pyesim veten, cilët ishin disa nga emrat që e kanë bërë Teatrin e Kukullave? Kush ishte Pinoku? Po Borëbardha?

Marrëdhëniet nuk shkëputen kurrë meTeatrin e Kukullave dhe këtë na e tregojnë më së miri ata që kanë vite qw ushqejnë të vegjwlit me ëndrra, argëtim dhe mesazhe. Një nga aktoret ikonë të Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti, rrëfen përjetimin e saj, kur sheh se si brezat nuk e humbin lidhjen me teatrin:

“Takoj njerëz të cilët kanë qenë fëmijë, kur kanë ardhur në teatër dhe sot janë bërë prindër, që sjellin fëmijët e tyre dhe shpesh herë më thërrasin “Borëbardhja jonë e dashur”, “Pinoku ynë”….

Aktorja e dashur për fëmijët dhe prindërit e tyre, tregon se pandemia prishi planifikimin për një festë madhështore, por gjithsesi njerëzit që kanë punuar në vite u kujtuan dhe u nderuan me një ceremoi të vogël.

“Kishim menduar të bënim një ceremoni fantastike, me fëmijët, me fëmijët e qendrës që i kemi, të bënim një koncert të bukur, të bënim një minishfaqje të bukur me kukulla…U detyruam t’i përshtatemi kushteve dhe duke u munduar të zbatojmë sa më shumë rregullat e pandemisë, jemi detyruar të bëjmë një ceremoni në thjeshtë, kemi ndarë ca trofe shumë të bukura, për të gjitha personalitetet që kanë kontribuar në Teatrin e Kukullave”, tregon aktorja.

Në 70 vite histori, janë 60 aktorë që kanë mbuluar të gjithë repertorin e shfaqjeve, duke krijuar personazhe mjaft të dashura për publikun e vogël, që e pëlqeu dhe u dashurua menjëherë me teatrin. Që në fillim, letra të shumta u dërgoheshin heronjve të kukullave. Me anën të këtyre letrave, fëmijët u dërgonin të fala dhe i pyesnin personazhet për “jetën e tyre”, si edhe për “të afërmit e tyre”.

Florinda Mazereku, aktore e teatrit, shumë e dashur për fëmijët, sot në pension, ka një dashuri të jashtëzakonshme për kukullat. Ajo tregon se profesionin e mori nga mjeshtrit e parë të aktrimit që luajtën në teatër, sikundër aktorët që janë sot, e morën profesionin nga brezi paraardhës. Teatri i Kukullave, rrwfen akorja, sot është për të një shtëpi e dytë:

“Mirësetëvini për 70 vjetorin. Këtu keni shumë kujtime, shumë imagjinata tuaja. Ky vërtet është një teatër shumë, shumë i vogël, por këtu është një magji e vërtetë”.

Me mundësitë e sotme që kanë fëmijët për të parë e zgjedhur, Teatri i Kukullave mund të mos jetë tundues sa dikur, megjithatë aktorët, të rinj e të vjetër, janë ende aty…Ndër aktoret në vite kujtojmë aktorë si; Zija Grapshi, Xhavit Sallaku, Mirketa Çobani, Eva Pëllumbi, Lorenc Pepa, Mira Minga, Bakie Baboçi, Marilda Furxhi, Shegushe Bebeti, Sokol Myzeqari, etj.

Kukulla dhe fëmijët është një binom i pandashëm për këta artistë.

Në këtë sallë nuk ulen vetëm sy kureshtar, por fëmijë që i duan personazhet dhe flasin me to, ndërkohë që vepra ekzekutohet, magji kjo që vetëm aktorët e teatrit të kukullave e përjetojnë si tw tillw.

Aktori Kliti Roshi e ndjen mungesën e spektatorit të vogël në sallë dhe vë theksin tek domosdoshmëria e fillimit të jetës artistike:

“Këtë kufizim nuk e ndiejnë vetëm fëmijët, e ndiejmë ne…u mësuam me fëmijët, nuk jetojmë dot pa prezencën e tyre. E ndiej veten të lumtur dhe të nderuar që punoj në këtë institucion. Nuk ka gjë më të bukur sesa të punosh, të kontribosh dhe të japësh për fëmijët.

Nuk mund t’i privosh dot të drejtën për të gëzuar, për tu kënaqur. Dhe ky është teatri i fëmijëve, Teatri i Kukullave. Është një teatër i ngritur me gjak, mund, djersë, sakrifica, këtu e 70 vjet përpara”.

Për aktorët, spektatori i vogël ka ndryshuar, nga spektatori që ishte dikur, por kënaqësia mbetet e njëjtë.

Ndonëse për shkak të pandemisë festimi i 70-vjetorit ndryshoi shumë plane, nuk ndryshoi ceremoninë e ndarjeve të çmimeve për ata që e ngritën dhe po vazhdojnë traditën e institucionit të Teatrit të Kukullave.

Teatri i Kukullave është një formë teatri shumë e lashtë, e cila u regjistrua për herë të parë në shekullin 5 para erës sonë në Greqinë e lashtë. Ndërsa fillesat në Shqipëri 7 dekada më parë.

Ndoshta pakkush e di se premiera e parë e Teatrit të Kukullave ishte “Fatbardha”, e shkrimtarit rus, Shnejdor. Ndërsa, regjisori i parë ishte Xhemal Broja.

Teatri i parë profesionist i Kukullave ishte i përbërë vetëm nga 12 punonjës. Nga shfaqja në shfaqje, trupa e Teatrit punoi vazhdimisht për futjen e formave dhe teknikave të reja për t’iu përshtatur cilësive të kohës. Vit pas viti filluan të përdoren kukulla me tela, marioneta, maska, teatri i hijeve, pantonima dhe shfaqjet me aktorë.

Neritana Kraja