Bota e artit shqiptar humbi së fundmi një nga personalitet e artit figurativ. Piktorja e njohur Lumturi Blloshmi, nuk është më mes nesh, ajo nuk e fitoi dot betejën me Covid-19, duke lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm mes artistëve dhe miqve të saj, por edhe artit në tërësi.

Autoportret i piktores Lumturi Blloshmi

Hyri në rrugën e artit modern me një guxim të madh, me koncepte të qarta për jetën dhe artin. Kritika e ka vlerësuar piktoren Lumturi Blloshmi, si një përfaqësuese të denjë të pikturës bashkëkohore shqiptare.

Vite më parë kur ajo hidhte themelet e këtij moderniteti në pikturën e saj, gjithçka i ishte mohuar, suksesi, madje dhe ekspozimi për vite me radhë. Por askush nuk mundi ta zbehë dhe ta zmbraps fuqinë dhe aftësinë e saj krijuese.

Agazhimi i piktores në artin pamor nisi në vitet 1973 – ’74, periudhë delikate në artin shqiptar.

Por, artistja arriti t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek tematikat që kishin në qendër peisazhin dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi bëhet pjesë e atyre artistëve shqiptarë që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern.

Natyre e qete nga Lumturi Blloshmi

Blloshmi do të mbahet mend si artistja që eksperimentoi ndër të parët performancën dhe instalacionin në Shqipëri.

Mikja e saj e ngushtë, piktorja Merita Selimi, me lot në sy e zë të mallëngjyer, e cilëson Lumturi Blloshmin, si një shpirt të lirë, e cila iu dha e tëra artit.

"Zoti i ka dhënë fatin e madh që ajo të jetë artiste dhe artistët nuk kanë kufi dhe besoj se kjo i mjafton. Për mua është një nga artistet e artit bashkëkohor.

Ajo ka qenë një natyrë shumë sportive, shumë me të rinjtë dhe gjithmonë dëshironte të garonte me të renë, me bashkëkohoren...

Piktorja Lumturi Blloshmi

Së fundmi, tani në dhjetor, Galeria Kombëtare është për një projekt për gruan artiste dhe ishte në një nxitje të madhe se çfarë do të bëj... Deri në momentin e fundit, Lumja ka qenë në garë. Dhe them përsëri se gara e saj vazhdon", shprehet kolegia e saj.

Lumturi Blloshmi shpesh nga kritika është vlerësuar si "Frida Kahlo" shqiptare.

Si Frida Khalon, edhe Lumturi Blloshmin, jeta i vuri para një beteje të vështirë: të luftonin fatkeqësinë personale e të triumfonin mbi pengesa të pakapërcyeshme në dukje.

Goditja që fati i rezervoi Lumturi Blloshmit, qysh në fëmijërinë e hershme, bëri që gjatë gjithë jetës, piktorja nuk mund të dëgjonte, ndërsa fliste me vështirësi.

Humbja e dëgjimit, mesa duket i kishte mprehur asaj aftësinë për të tejparë ngjyra, linja, ritme të lëvizjes. Por inteligjenca në kapjen e detajeve, qasjet ironike e sarkastike, nuk mund të arriheshin pa ndërmjetësinë e kulturës verbale, kulturë që Blloshmi e arriti me punë e vullnet jo të zakonshëm.

Me një aftësi prej titani Lumturi Blloshmi e vuri poshtë handikapin e lindur dhe përmes artit të saj arriti të komunikonte mjeshtërisht me një publik të gjerë, jo për të përcjellë informacione rutinë të përditshmërisë, por për të na dalë krahë, që të zbulojmë lirizmin e ngjyrave në peizazhe e natyra të qeta dhe pastaj për të shijuar edhe gjykimin e mprehtë, humorin e hollë dhe ironinë e zgjuar në tablotë dhe instalacionet e pasviteve ‘90.

Kompozim nga Lumturi Blloshmi

Fati e destinoi të merrte e të jepte në një rreth të kufizuar, por falë talentit, pasionit dhe punës këmbëngulëse, arriti të hynte në panteonin kombëtar të mjeshtrave të vetëshprehjes.

Sipas skulptorit Muntaz Dhrami, piktorja Lumturi Blloshmi ishte një ndër artistet që dallohej për nivelin e lartë artistik.

"Ajo ishte një piktore me dhunti të jashtëzakonshme, kishte një afeksion për të bërë një art më të fuqishëm, një art që të largohej nga skemat e ndryshme. Këtë e realizoi ajo dhe e realizoi me sukses.

I transmetoi me nivel të lartë artistik në ciklin e veprave që bëri gjatë viteve të fundit. Eshtë e vështirë t'i numërosh të gjithë ato vepra që bëri dhe është e vështirë të imagjinosh se çfarë do të bënte Lumja në të ardhmen", e vlerëson skulptori Muntaz Dhrami.

Lumturi Blloshmi ishte gjithmonë novatore në kërkesën ndaj vetes, ajo ka qenë një koloriste e jashtëzakonshme. Energjia e saj krijuese dhe kërkimi i saj mbi artin nuk rreshte.

Blloshmi ishte një grua e lindur për t’u bërë artiste. Krijime të tilla si,”Piramida e përgjakur”, “Hapësirë urbane”, tematikat e larmishme, që nga ajo e mistershmja, si “Kleopatra moderne”, “Itaka” e “Komo", kompozimi i tablove me reflektime e përsiatje si, “Ambiguitet”, “Obsesion”, filozofia e hershme tek “Peshku i madh e ha të voglin”dhe pesëmbëdhjetë foto të performancës “Kamasutra” me bretkosa të skuqura, që piktorja i fotografoi para se të shtrojë koktein me to, deri tek tablotë me lulet e saj, janë vërtet mahnitëse.

Peshku - Punim ne vaj

Shpesh e prekte realitetin me ashpërsi, kërkonte të konsolidonte të vërtetën permes artit.

Pjesëmarrja e saj në rreth 70 aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, si konkursi kombëtar “Onufri” në Tiranë, në Bienalen e Aleksandrisë në Egjipt, në Bienalen e Ankarasë në Turqi, në konkursin ndërkombëtar të Budapestit, Hungari, ekspozitat në Poloni, Francë, Egjipt, Itali, Greqi, Holandë, Amerikë e etj., etj., tregojnë se eksperienca e saj e artit e kish kaluar kufirin e suksesit.

Së fundmi, Lumturi Blloshmi kishte gati disa projekte, të cilët do të realizohen nga miqtë dhe të afërmit.

E talentuar, e pazakontë, e guximshme, provokuese, Lumturi Blloshmi ishte mbase piktorja femër më e veçantë për karakterin, natyrën dhe veprën që krijoi.

Artistja që theu kornizat e artit Lumturie Blloshmi, iku nga bota tokësore, por vepra e saj dhe fryma e parë e artit bashkëkohorë do mbeten gjatë ndër breza.

Neritana Kraja/ Redaktorja Wang Lei