Panairi i 23 i librit i mbajtur në kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë, pas katër ditësh, përfundoi me sukses, duke shpallur edhe fituesit e tij. Një panair i ndryshëm nga të tjerët, i zhvilluar i tëri on line, me impenjimin maksimal të botuesve.

Për të shpallur fituesit, këtë vit, juria e përbërë nga studiues, shkrimtarë, përkthyes dhe gazetar, mori në shqyrtim 150 titujt e ri të botuar gjatë një viti, ku 50 për qind ishin vepra shqqiptare dhe 50 për qind vepra të huaja. Kryestarja e jurisë Djana Kastrati, e quan festa e librit, ndërsa tregon se për këtë vit fitues është Gazetari Fatos Baxhaku.

Djana Kastrati tha:

"Çmimi si autori më i mirë shqiptar, i letërsisë shqipe, i është dhënë të ndjerit Fatos Baxhaku, për prurjen e tij në një vepër shumë interesante, ku kemi një ndërthyrje me bazë historike, një fantazi ekstremisht të hollë dhe të bukur. Ndërsa çmimi i përkthyesit më të mirë i jepet Agim Doksanit, për përkthimin e "Jeta e gënjeshtërt e të rriturve" të Elena Ferrantes. Çmimi për fëmijë si autorja më e mirë është Adelina Mamaqi, e cila është një emër i njohur tashmë për disa breza. Ndërkohë është edhe një çmim tjetër që jepet nga Ambasada Franceze "Përkthimi më i mirë i lëtërsisë frënge" dhe këtë vit i jepet Primo Shllakut për përkthimin e ri që i është bërë "Katedrales së Parisit".

“Në emër të Noes”, libri i fundit i gazetarit Fatos Baxhaku, vjen për lexuesin nga shtëpia botuese “Papirus”, një vit pas ndarjes së tij nga jeta. Një libër historish të jashtëzakonshme, burrash të fortë, kapedanësh të çartur deti, humbjesh e fitoresh…

"Në librin e tij ‘Në emër të Noes’, Fatos Baxhaku ka përmbledhur dhjetëra mijëra faqe histori të disa shekujve në një rrëfim sa pikant, aq edhe ndriçues për fatet e kapedanëve ‘ujqër deti’ nga Arbëria në detin Mesdhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Njohuritë e historianit që Baxhaku zotëronte, talenti si dhe mjeshtëria në reportazh, shkrihen aq natyrshëm njëra me tjetrën, për të na dhënë ndoshta librin më të mirë të tij.

Por nuk është thjesht një përmbledhje historish të shkëputura. Ato nuk lidhen thjesht dhe vetëm me histori personazhesh, që gjallojnë historinë e trazuar mesjetare shqiptare, por historia e vetë Arbërisë e përplasur brigjeve të aleancave, tradhtive, betejave mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane, si një urë mes dy superfuqish, Lindjes dhe Perëndimit.

Baxhaku e kishte lënë librin tij thuajse gati. Jo vetëm tekstet e 21 rrëfimeve, por edhe fotografitë e nxjerra prej arkivave, mënyrën sesi do të dizajnohej e servirej te lexuesi.

Për të mbledhur historitë e tij, ai ka punuar më shumë se shtatë vjet, ka qëmtuar nëpër arkiva, ka lexuar mijëra faqe, duke shkëputur ato copëza, që jo vetëm përbënin hallka të rëndësishme historie, por ishin edhe interesante për këdo lexues.

Familjarët dhe miqtë e tij më të ngushtë u kujdesën pas vdekjes, që libri të botohej dhe të shkonte tek lexuesi, ashtu si publicisti dëshironte.

Libri i vlerësuar nga juria profesioniste si libri më i mirë i vitit, do ta gjejë rrugën e tij patjetër tek publiku.

Në platformat on line, në listat e librave më të shitur rezultojnë autorë si Elena Ferrante, e cila është ndër shkrimtaret më me influencë të shekullit,

Libri ndodhet i pasqyruar në të gjitha platformat on line, të cilat do të jenë aktive edhe pas përfundimit të panairit dhe ku lexuesit mund të drejtohen për të bërë prorositë e tyre.

Periudha e pandemisë i mbylli njerëzit brenda katër mureve të shtëpisë dhe një ndër gjërat më me vlerë që bënë ata për ti dhënë kuptim kohës së tyre, ishin të uleshin dhe të lexonin libra. Kjo u shoqërua me rritje drastike të punës së platformave. Muajit mars, prill dhe maj shënuan kërkesa rekord nëse do t’i krahasonim me muajt e tjerë apo periudhat e tjera të mëparshme.

Çuditërisht, lexuesit e përqendruan vëmendjen e tyre tek ato libra që kanë si tematikë, apo që flasin për epidemitë; ku ndër titujt më të kërkuar ishin “Murtaja” e Alber Kamysë, “Dashuria në kohërat e kolerës” të Marquez-it, “Dekameroni” i Bokaçios, “Sytë e errësirës” të Dean Koontz, etj.

Por, pati një rikthim edhe tek letërsia klasike, pa lënë mënjanë librat bestseller që janë më të kërkuarit në tregjet e librit kudo në botë. Fatmirësisht, kjo pandemi e ka nxitur lexuesin të shkojë tek letërsia e vlerave, e ka afruar më shumë pranë librit dhe e ka bërë që të reflektojë më tepër për vlerat e lirisë në një botë të sëmurë ku je i privuar nga shumë gjëra.