Arti më i bukur, lind në kohë të vështira, nga privime të mëdha dhe situata të pazakonta. Kjo ka ndodhur gjithmonë e do të vijojë të ndodhë.

Situata e pandemisë COVID 19 në Shqipëri ka ngacmuar edhe penën e shkrimtarit të mirënjohur, Fatos Kongoli. Ai ka shkruar një libër pikërisht për atmosferën e absurdit të kësaj periudhe të vështirë, të cilin e ka titulluar “Stinë pandemie”.

Një roman i ri, i shkruar me një frymë, i cili ka takuar lexuesin e tij, pikërisht gjatë javës së fundit në Tiranë.

Pothuajse, të gjitha shënimet e këtij libri, autori i ka bërë gjatë muajit mars.

Por, këtu ndeshemi me një përkim të veçantë. Autori përmes këtij libri të shkruar gjatë 7 muajve izolim u rikthehet ngjarjeve që kanë përjetuar shqiptarët në 30 vite.

Personazhet e romanit "I humburi" të shkrimtarit Fatos Kongoli marrin edhe një herë jetë në romanin e ri "Stinë pandemie". Një stinë e vështirë, me kthesa të forta, ku përpjekjet e individidit duken të humbura. Pas gati 3 dekadash duket se këta heronj nuk i kanë shpëtuar tranzicionit....

Në këtë roman të ri, ngjarjet vendosen pjesërisht në një lagje periferike të kryeqytetit, në breg të lumit. Dhe pjesërisht në kryeqytet. Nëse tek "I Humburi", pikë referimi është marsi i vitit 1991, që kulmoi me eksodet biblike të shqiptarëve nëpër botë, te "Stinë pamdemie", pikë referimi është një tjetër mars, kësaj here i vitit 2020 ku pandemia pushtoi botwn.

Por çfarë ka ndadhur ndërkaq? Një skaner i realitetit të sotëm shqiptar, ku autori nuk mungon të fshikullojë gjithçka të shëmtuar.

Romani shtrihet në kohë dhe e njeh lexuesin me shndërrimin e Tiranës. Kryeqyteti i dikurshëm fle në kujtimet e Fatos Kongolit...

"Ngjarjet e këtij libri të ri "Stinë pandemie" zhvillohen në një tjetër mars, 30 vite më vonë, mars 2020.

Si do të ishin personazhet e romanit "I humburi" në realitetin e sotëm, ku do të ishin, çfarë gjendje dhe ç'kishte ndodhur gjatë 30 viteve."

Rimarrja e personazheve të shpikura nga po ai, në një distancë kohore, por në një realitet të ri, duket se ka nxitur fantazinë krijuese të shkrimtarit për të nxjerrë në pah sjelljet e reja të personazheve të tij.

"Kjo ma lehtësoi punën për të bërë këtë roman të ri sepse kryesorja për të ndërtuar një roman është të gjesh personazhe sepse ato janë bartëse të mendimeve ose atyre ideve ose të shqetësimeve që do të japësh ti në libër. Duke rimarrë pothuajse të gjithë personazhet e romanit "I Humburi", që unë e konsideroj si më i sukseshmi ndër romanet e mi më të suksesshëm, do të më jepte pothuasjse një roman të gatshëm, i cili u realizua pikërisht kur ndodhi pandemia.

Kisha personazhet, por kisha edhe realitetin e sotëm shqiptar që është një realitet që ofron për këdo që dëshiron të shkruajë mundësi pa fund".

Meqenëse, shkrimtari ka sjellë një këndvështrim të ri për temat e mëparshme që ai ka ritrajtuar, nuk ka hezituar të përcjellë edhe mesazhe që lidhen me çështje të ekzistencializmit.

“Stinë pandemie” është prezantuar për lexuesin shqiptar në stendat e botimeve Toena që këtë javë kanë pushtuar me art një kënd të Kalasë së Tiranës

Botuesja Irena Toci e prezanton Fatos Kongolin si një shkrimtar të guximshëm dhe novator.

"Shkrimtari Fatos Kongoli ka guxuar si asnjëherë tjetër, edhe në romane të tjera të tij, për këtë herë vërtet si asnjëherë tjetër, të merret me çështjet e ditës. Me çështjet e ekzistencializmit të qytetarit të kryeqytetit shqiptar, apo të shqiptarit në përgjithësi".

Një ndër diskutimet më të prehta sot që lidhen me rolin e artistëve në shoqëri është nëse artisti duhet të jetë i angazhuar.

Fatos Kongoli, u përket atyre artistëve që angazhimin qytetar e prezanton përmes temave që zgjedh. Atë e shqetëson fati i shoqërisë, i kryeqytetit, urbanizimit dhe përpiqet që të ndikojë me veprën e tij sa më shumë që individi ta gjejë veten e tij në shoqërinë e sotme e që kjo shoqëri të mos i ngjajë e huaj, por pjesë organike e asaj që jeton përditë.

Duke qenë se vepra në një fare mënyre, paraqet realitetin e sotëm shqiptar, Kongoli nuk nguron që të përdorë here-herë humorin, ironinë e hollë, sarkazmën dhe vetironinë, kjo e fundit një element i pranishëm kurdoherë në veprat e tij.

Rrëfime të ndryshme , ndërprerje dhe rimarrje të tyre,- ky është stili që autori ka zgjedhur për të përshfaqur pamjen e ngjarjeve të fundit.

"Aty ironizoj edhe një cikë edhe veten time. Unë e quaj veten time Katos Fongoli. Kjo vetë ironi që unë e kam edhe në librat e tjerë përshkon gjithahstu librin nga fillimi deri në fund. Kur ironizon edhe të tjerët, sigurisht nuk mund t'i shpëtosh vetwironizimit".

Nëse romani "Stinë pandemie" është një vepër që i kushtohet situatës absurde të ngjarjeve të pazakonta, Fatos Kongoli dëshiron të jetë optimist për të ardhmen. Sipas tij bota po kalon një periudhë shumë të rëndë, por situata të tilla janë përjetuar edhe më parë. Njerëzimi ka kaluar fatkeqësi të ngjashme me përhapjen e kolerës, murtajës e të tjera sëmundjeve infektive dhe se historitë e këtyre periudhave të bujshme gjenden edhe në literaturë.

Përmes këtyre epidemive kanë kaluar edhe historitë e qyteteve të mëdha.

Periudha të tilla kufizimesh e bëjnë artistin të reflektojë më fort për çfarë ngjet përreth.

Fatos Kongoli është ndër shkrimtarët më të njohur shqiptar.

Ai lindi më 12 janar 1944 në Elbasan, por pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në Tiranë.

Kongoli ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967.

Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri".

Është autor i 20 librave.

Librat e Kongolit janë botuar në disa vende të botës. Ai mban titullin "Mjeshtër i Madh". Ku është libri i dytë që nxjerr në treg këtë vit, pas "Kapitullit të Amerikës", publikuar në prill të këtij viti.