Berati, është padyshim një ndër vendet ku trashëgimia e pasur kulturore shqiptare tregon vlerat e saj më të larta. Qyteti “i një mbi një dritareve”, i shpallur zyrtarisht "Qytet Muze" në vitin 1961 është një pasuri vendase, por edhe botërore që nga viti 2008, si pjesë e UNESKO-s. Zbulimi i dy çekanëve të gurit në muret e kalasë, tregon se jetesa në këtë vend ka nisur rreth 2400 vite më parë. Trojet e Beratit, sipas arkeologëve kanë qenë të banuara nga njerëz të civilizuar, që nga shekulli VII para erës sonë. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë “Orestiada e lashtë”, i quajtur kështu nga që aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i tyre ishte Oresti, i biri i Agamemnonit.

Qyteti mirëfilltë u themelua më 313-310 para erës sonë, si një qytet kështjellë i Desaratisë i quajtur Antipatrea, nga Mbreti Kasandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shekullin e dytë para Krishtit ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum(Fortesa e Arbërve). Në shekullin e 5-të , nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin Puherjopulis (Qyteti i Bukur), ndërsa në shekullin e 9-të u pushtua nga bullgarët dhe u quajt Belgrad (Qyteti i Bardhë. Qyteti është vlerësuar nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore si një shembull i rrallë i arkitekturës osmane. Pikat më të rëndësishme për tu vizituar janë lagjet e Mangalemit, Goricës dhe Kalaja.

Kalaja, vazhdon të jetë dëshmitare shekullore e historisë, për të cilën besohet se është ndërtuar në shekullin e katërt p.e.s dhe ka origjinë Ilire, ndërkohë që është rindërtuar vazhdimisht në shekuj duke mbajtur gjurmët e epokave të ndryshme. Me portën e gjerë, 24 kulla vrojtimi, muzeu me veprat e artistit të njohur ortodoks të ikonave Onufri, mbetjet e xhamisë, kishat dhe shumë ndërtesa të tjera, kalaja e Beratit vazhdon të tërheqë vizitorë vendas dhe të huaj. Brendësia e kalasë përveç veprave të ndryshme me disa sheshe i ngjan një qyteze të vogël.Të tjera objekte për t’u vizituar janë Muzeu Etnografik, Xhamia e Mbretit dhe Xhamia e Kuqe, të ndërtuara në fund të shekullit 15-të, si dhe Kisha e Shën Triadhës e cila i përket shekujve 8-të dhe 14-të. Në kala gjendet edhe busti gjigand i perandorit romak Konstandini i Parë, i njohur edhe si Konstandini i Madh, për të cilin mendohet se ka pasur origjinë ilire dhe ka qenë perandori i parë që ka pranuar krishterimin. Strukturat brenda kësaj kalaje e cila edhe sot është e banuar në mënyrë unike, përveç të banuarit këtu, u mundëson atyre të sigurojnë jetesën me bizneset që kanë hapur. Rrugicat e kalldrëmta dhe shtëpitë karakteristike prej guri janë një pasuri e lënë prej mjeshtrave të hershëm . Gdhendja e gurit është një nga traditat më të vjetra të këtij qyteti.

Kompleksi i lagjes “Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide, që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. Mangalemi është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, dhe gdhendura në dru e gurë; është emblema e Beratit. Shtëpitë e bardha duken sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”. Lumi Osum ndan lagjen Goricë nga lagjja Mangalem. Të dyja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës dhe janë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. Ura e Goricës, e ndërtuar në vitin 1780, e lidh me pjesën tjetër të qytetit.

Me një fanatizëm të denjë, në Berat janë ruajtur dëshmi dorëshkrimore, të cilat dëshmojnë nivelin veçanërisht të lartë të kulturës së qytetit. Më e rëndësishmja nga këto dëshmi është Kodiku i Purpurt i shekullit të 6-të, i shkruar në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë i shekullit të 9-të i shkruar në pergamen me shkronja ari. Kodikët u rizbuluan në kala në vitin 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Berati, për nga vlerat që ka nuk është vetëm një nga perlat e arkitekturës në Shqipëri,por edhe simbol i një kulture të pasur. Berati ka një vijëmësi ekonomike-shoqërore, kulturore-artistike që përbën një shembull unik në Ballkan. I njohur edhe si qyteti i këngës, Berati ka ditur të ruajë si një thesar brez pas brezi këngën qytetare beratase. Banorët i kanë kënduar në shekuj dashurisë, mërgimit , jetës , gurëve të sokakut, etj...Grupi muzikor i njohur sot me emrin “Shyqyri Fuga”, është krijuar në vitin 1918 me emrin grupi i “Goricës”. Sot ky grup përfaqëson denjësisht muzikën qytetare beratase..

Berati dhe fshatrat e tij shquhen për një folklorë të pasur për këngët,vallet,dasmat,veshjet,festat e besimet popullore. Qyteti i bardhë është vendlindja e dijetarëve të mëdhenj, i penave të arta, Babë Dud Karbunara, Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Vehxhi Buharaja, Ilias Bej Vrioni , Sotir Kolea, Shpendi Sollaku etj.. Qyteti i Beratit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas. Fakti që Berati është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që kjo zonë mbart, kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve. Edhe në kohën e regjimit komunist, tre lagjet muzeale të qytetit vizitoheshin shumë nga turistët e huaj. Gjatë kësaj periudhe, Berati njihej edhe për Kombinatin e Tekstileve,i cili mbante emrin “Mao Ce Dun” për nder të liderit kinez, pasi kombinati u ndërtua nga kinezët.

Shtëpitë shekullore në lagjen Mangalem, prej vitesh janë kthyer në një destinacion për turistët që vizitojnë qytetin, numri i të cilëve rritet çdo vit. Në këtë lagje po aq të vjetra sa edhe shtëpitë, mbetet dhe tradita e prodhimit të glikove nga zonjat e shtëpive.Ndërkohë që artizanati mbetet pjesë e pandashme e ofertës turistike të qytetit 2400 vjeçar.

Krahas bukurisë së qytetit është kulinaria, ajo që i shton vlerat Beratit. Në fakt Beratit nuk i mungon kuzhina e mirë. Pjatat tradicionale gjenden kudo në restorantet e stilizuara me gdhendje tipike druri e guri. Një recetë e shijshme është “Pula me Rosnica”, ndërsa “Sheshqeku”është një tjetër recetë shumë e vjetër, por që ne Berat gatuhet vetëm në muajin dhjetor, për shkak të kalorive që ka. Pjata gatuhet me grurë dhe mish dashi.

Berati është ngritur në një pozicion gjeografik të mrekullueshëm klimaterik, me aftësi komunikimi, tranziti, prodhimi e përpunimi, që rrallë i ka ndonjë qytet tjetër. Për ata që duan të shijojnë natyrën, rreth dy orë larg nga Berati, gjendet “Parku Kombëtar i Tomorrit” në këmbët e malit të Tomorrit, ndër më të lartët në Shqipëri. Parku ofron mundësinë e zhvillimit të aktiviteteve sportive, por dhe të turizmit fetar. Vitet e fundit po zhvillohet turizmi fetar në këtë zone ku ndodhet Teqeja e Bektashinjve dhe besimtarët , por dhe turistët vizitojnë Gjurmën e Abas Aliut dhe Varrin e Profetit të Madh. Në muajin gusht Mali i Tomorrit vizitohet nga pelegrinë të sektit bektashi, por dhe turistë vendës e të huaj, që vitet e fundit i janë bashkuar kësaj tradite.

Berati ndodhet 120km larg kryeqytetit – Tiranë, 92km larg portit të Durrësit dhe 85km larg portit të Vlorës. Pozicioni gjeografik është shumë i favorshëm për transportin e tranzitin, si edhe për komunikimin ekonomiko-shoqëror me shumë rrethe të vendit.

Elida Lazi