Një akademi e re i shtohet arsimit profesional në Shqipëri. Ajo është Akademia Momentum. Me fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 kjo Akademi do të jetë një mundësi e shtuar për të rinjtë shqiptarë që duan të mësojnë një profesion, për ta patur kështu më të lehtë integrimin në tregun e punës.

Sipas statistikave në Shqipëri ka 35 shkolla profesionale ku arsimohen mbi 20 mijë nxënës. Në një bashkëbisedim me administratorin e Akademisë Momentum, Arben Sinojmeri ekskluzivisht për Radio Ejani njihemi me kurrikulat, platformën, stafin dhe të rejat që ky institucion i arsimit profesional do të ofrojë në Shqipëri.

Cila është oferta e Akademisë Momentum për të rinjtë shqiptarë, që duan të mësojnë një profesion?

Arben Sinojmeri:Akademia Momentum i shtohet zinxhirit të arsimit profesional në Shqipëri, pjesë e një vëmendjeje të vecantë të viteve të fundit të shoqërisë shqiptare por dhe të vendimarrësve, për ta orientuar rininë tonë drejt arsimit profesional, si një nga degët më efikase në shoqërinë tonë. Pas një situate jo shumë të pëlqyeshme të inflacionit të madh që pati arsimi i lartë në vend, dobësitë që u vërejtën detyruan shumë sipërmarrje por dhe institucione publike që të orientoheshin te arsimi profesional.

Platforma e Akademisë Momentum, e cila është e nivelit evropian dhe jo më kot në filozofinë dhe sloganin e saj është edukimi i familjes evropiane, synon që të përgatisë studentë në dy blloqe kryesore, njeri nga të cilët është ai i administrimit dhe i zhvillimit të industrisë së turizmit në Shqipëri. Kjo e fundit nuk është vetëm kulinaria shqiptare, por është nevoja për guida turistike, për agjenci turistike për menaxhimin e eventeve, të hoteleve, restoranteve, resorteve,

Kur do të startojë veprimtarinë e saj Akademia Momentum? Sa departamente ka ajo dhe deri tani si ka qenë interesimi i të rinjve për tu bërë pjesë e saj?

Arben Sinojmeri: Akademia jonë përbëhet nga 6 departamente, ndër të cilat 5 i përkasin bllokut të turizmit, por mes tyre kemi dhe departamentin e eventeve të mëdha.

Më 12 tetor të këtij viti Akademia Momentum nis rrugëtimin e saj drejt një modeli të ri të formimit profesional, si një institucion i arsimit të ndërmjetëm dhe për këtë shkak quhet Akademi.Nuk ka kritere për aplikantët lidhur më arsimimin e tyre, por parapëlqehen nxënës me arsim të mesëm sepse shumë nga degët kërkojë kualifikime të larta dhe njohuri të kulturës, historisë apo gjeografisë së përgjithshme. Nxënësit duhet të jenë të aksesueshëm në mjetet elektronike pasi Akademia ka dhe departamentin e Inovacionit dhe Teknologjisë TIK, që do ketë një cikël 2 vjecar dhe ka për qëllim të japë informacion dhe në degët e tjera. Shpresojmë që kjo të jetë e ardhmja e shoqërisë shqiptare pas 15 vjetësh sepse turizmi është e ardhmja, por inovacioni ka hyrë gjerësisht në Evropë, po ashtu dhe në Shqipëri, sepse ne kemi djem dhe vajza mjaft të talentuar dhe pikërisht kjo teknologji do t'u shërbejë jo vetëm atyre që formohen për departamentin e teknologjisë, por dhe studentëve të tjerë, për të patur akses në kushtet e pandemisë, që shpresojmë të kalojë sa më parë, të mund të vemë në shërbim formimin nëpërmjet sistemit online.

Cfarë diplome do të përfitojnë studentët e Akademisë suaj dhe a do të njihet ajo jashtë vendit?

Arben Sinojmeri: Akademia Momentum është partnere e Universitetit E-Campus në Itali si dhe kemi marrëveshje bashkëpunimi të certifikuar dhe me Shkollën Electrica Radio, që është një shkollë italiane teknologjike si dhe Shkollën e mesme të formimit profesional në Bolzano. Janë 3 marrëveshje të unifikuara, të pranuara bazuar në legjislacionet përkatëse të të dy vendeve, një bashkëpunim i mbështetur në unifikimin e kurrikulave dhe programeve mësimore do tu japë mundësi studentëve tanë që pas përfundimit të kursit 2 vjecar në tre muajt e fundit të studimeve, si dhe ata që mbarojnë vitin e tretë të kenë një praktikë 6 mujore pa asnjë pagesë në Shqipëri dhe Itali, sepse sponsorizohen nga Akademia dhe partnerët tanë. Qëllimi është që të kolaudojmë programet tona me partnerët italianë. Meqënëse partnerët italianë kanë marrë përsipër njohjen e kësaj certifikate reciprokisht, ne gëzojmë një certifikatë të njohur në vendet e Bashkimit Evropian. Pajisja me një certifikatë evropiane kërkon shumë punë dhe ne shpresojmë që këtë ta përfundojmë brenda një 2 vjecari. Akademia Momentum do të jetë një shkollë e akredituar e standardit evropian në Shqipëri.

Sa do të jetë kapaciteti i studentëve në Akademinë Momentum?

Arben Sinojmeri: Jemi një akademi e re dhe kemi hyrë në këtë garë jo për të patur volum, por cilësi. Disa nga kriteret që i përjashtojnë prurjet e mëdha janë përcaktuar qartë nga programet rigoroze dhe nivelet që ato paraqesin. (Eda Merepeza)