人权--- [rén quán]---të drejta njeriu
Zv.kryetari i Komisionit Kombëtar për Çështjet e Kombësive të Kinës Zhao Yong tha në një konferencë shtypi se gjatë dhjetëve vjetëve të fundit, kauza e unitetit kombëtar dhe e përparimit në Kinë ka arritur rezultate të reja historike. Të drejtat e njeriut të pakicave kombëtare në Kinë po përjetojnë periudhën më të mirë në histori.
Kina ka 56 kombësi dhe një popullsi mbi 1.4 miliardë banorë. Ajo zhvillon politika të barazisë së kombësive, të unitetit të kombësive, të autonomisë rajonale të kombësive dhe të lulëzimit e të zhvillimit të përbashkët të të gjitha kombësive.
Foto: VCG
"Në Kinë çdo kombësi është e barabartë, pavarësisht nga popullsia, historia dhe niveli i zhvillimit. Kjo barazi është e vërtetë, e plotë dhe e gjithanshme. Të drejtat e ligjshme të kombësive të ndryshme janë të garantuara në mënyrë efektive,"tha Zhao Yong.
Zonat ku jetojnë pakicat kombëtare dikur ishin një pikë e vështirë dhe kyçe në përpjekjet e Kinës për zbutjen e varfërisë. Në dhjetë vjetët e fundit, zbutja e varfërisë në Kinë për të arritur një shoqëri relativisht të begatë ka sjellë ndryshime historike në zonat e pakicave kombëtare. Zhao Yong u shpreh se të 31.21 milionë njerëzit e varfër në zonat e pakicave kombëtare kanë dalë nga varfëria, të ardhurat e disponueshme për frymë të banorëve të qytetit e fshatit në zonat e pakicave kombëtare janë rritur mesatarisht përkatësisht me 7.7 % dhe 10.2% në vit, kurse jetëgjatësia mesatare e banorëve në Rajonin Autonim të Tibetit është rritur katër vjet në dhjetë vjetët e fundit.
Foto: VCG
Lidhur me masat e ardhme për të nxitur modernizimin e përbashkët të kombësive të ndryshme, zv.kryetari i Komisionit Kombëtar për Çështjet Etnike u shpreh se fokusi do të vihet në tre pika kyçe: zhvillimi industrial, ndërtimi infrastrukturor dhe mbrojtja ekologjike. Gjithashtu, do të nxitet zhvillimi me cilësi të lartë në zonat e pakicave kombëtare, do të përmirësohen politikat e mbështetjes rajonale dhe do të forcohet rigjallërimi rural në zonat e pakicave kombëtare.
Mediat perëndimore e kanë shtrembëruar dhe keqkuptuar promovimin nga Kina të përhapjes së gjuhës standarde në zonat e pakicave kombëtare. Lidhur me këtë, Zhao Yong vuri në dukje se Kushtetuta e Kinës dhe Ligji i të Folurit dhe të Shkruarit të Gjuhës Standarde Kombëtare kanë dispozita të qarta, të cilat jo vetëm qartësojnë statusin ligjor të promovimit të gjuhës së folur dhe të shkruar standarde, por gjithashtu garantojnë qartë lirinë e pakicave kombëtare për të mësuar dhe përdorur gjuhët e tyre.
Foto: VCG
Lidhur me mbrojtjen e gjuhëve dhe të kulturave të pakicave kombëtare Zhao Yong theksoi:
"Përkrahja e përdorimit është mbrojtja më e mirë. Në Kinë, përveç kombësive hui dhe man, 53 pakicat e tjera kombëtare kanë gjuhën e vet dhe 22 kombësi përdorin 28 alfabete. Përveç përkrahjes për përdorimin e tyre, kemi zhvilluar 'Bazën e të dhënave të burimeve të gjuhëve të Kinës' për të mbledhur, sistemuar, zhvilluar dhe shfrytëzuar këto gjuhë të shkruara. Pjesëtarët e pakicave kombëtare nuk kanë pengesë për të përdorë gjuhët e veta në punë dhe jetë." (Çang Çuo)