人类---[rén lèi]---njerëzim
Më 18 janar 2017, në Pallatin e Kombeve në Gjenevë të Zvicrës, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mori pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë me temë “Diskutimi dhe ndërtimi i përbashkët i komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit”. Në këtë veprimtari Xi mbajti fjalimin e rastit me titull “Ndërtimi i përbashkët i komunitetit të fateve të përbashkëta të njerëzimit”, duke shtjelluar konceptin e komunitetit të fateve të përbashkëta të njerëzimit në mënyrë të thellë, të gjithanshme dhe sistematike. Gjatë pesë vjetëve, përballë luhatjeve dhe ndryshimeve në botë, ky koncept ka dëshmuar gjallëri dhe forcë tërheqëse të fuqishme, duke treguar drejtimin e zhvillimit botëror.
Foto:VCG
Xi u shpreh në fjalimin e tij se tani njerëzimi ndodhet në periudhën e zhvillimeve të mëdha, ndryshimeve të mëdha dhe rregullimeve të mëdha, si edhe në një epokë me sfida dhe rreziqe të shumta. Çfarë po ndodh në botë dhe çfarë duhet të bëjmë ne? Lidhur me këto pyetje, kryetari Xi paraqiti qartë “projektin kinez”: Ndërtimi i përbashkët i komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit për përfitime të ndërsjella dhe ndarje të përbashkët.
Kyçi për ndërtimin e komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit janë veprimet konkrete. Gjatë pesë vjetëve, Kina i është përmbajtur gjithmonë me vendosmëri globalizimit e multilateralizmit dhe ka nxitur me veprime konkrete zbatimin praktik të këtij koncepti. Ish-drejtori i Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik të Zonës së Madhe Bernë-Gjenevë, Philippe Monnier, vuri në dukje që zhvillimi me cilësi të lartë dhe zgjerimi i hapjes i Kinës ka sjellë përfitime të mëdha për ekonominë botërore.
“Kina promovon në mënyrë aktive zhvillimin e globalizimit. Kina është një anëtare shumë aktive e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe shumë kompani të mëdha kineze janë mjaft të ndërkombëtarizuara. Të gjitha këto ndihmojnë në forcimin e shkëmbimeve e të tregtisë ndërmjet vendeve të ndryshme, si edhe në nxitjen e zhvillimit të ekonomisë globale, dhe kanë një ndikim shumë pozitiv në ekonominë botërore,” u shpreh Monnier.
Nisma “Një brez, një rrugë” është një platformë e rëndësishme për zbatimin në praktikë të konceptit të komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit. Drejtori i Departamentit të tregtisë dhe investimeve ndërkombëtare pranë Forumit Ekonomik Botëror, Sean Doherty, e vlerëson lart rolin e kësaj nisme për nxitjen e multilateralizmit dhe nxitjen e zhvillimit të përbashkët ekonomik të vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë”.
“Në përgjithësi, unë mendoj se nisma ‘Një brez, një rrugë’ është shumë vizionare. Në thelb, ajo është një qasje elastike dhe e orientuar drejt synimit për të nxitur bashkëpunim më të thellë. Gjatë viteve të fundit, ne kemi parë shumë negociata zyrtare shumëpalëshe që përpiqen për arritjen e marrëveshjeve, por qasja më modulare e nismës ‘Një brez, një rrugë’ ka pasur njëfarë suksesi në këtë drejtim,” thotë Doherty.
Në fund të vitit 2020, Kina zgjidhi historikisht problemin e varfërisë absolute dhe arriti objektivin e zbutjes së varfërisë të Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të OKB-së dhjetë vjet përpara afatit. Në të njëjtën kohë, Kina gjithashtu ka marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar për pakësimin e varfërisë. Philippe Monnier është i mendimit që arritjet e mëdha të Kinës në uljen e varfërisë kanë luajtur rol pozitiv për përpjekjet e botës në këtë drejtim.
Qysh nga shpërthimi i epidemisë së COVID-19, Kina ka zbatuar konceptin e ndërtimit të komunitetit të shëndetit të përbashkët të njerëzimit dhe ka zhvilluar bashkëpunim ndërkombëtar në mënyrë aktive, duke premtuar e para për t’i bërë vaksinat e COVID-19 një produkt global publik. Lidhur me këtë, profesori i Qendrës së Konkurrueshmërisë Botërore IMD të Lozanës, Arturo Bris, u shpreh që veprimet aktive për zbatimin e konceptit të komunitetit të shëndetit të përbashkët të njerëzimit janë vërtet me vlerë pozitive.
“Kina ka mbështetur vendet që kanë nevojë, veçanërisht ato në Amerikën Latine dhe Afrikë. Për shembull, gjatë shpërthimit të COVID-19, ne kemi parë që Kina i furnizoi këto vende me vaksina, maska dhe reagentë testimi. Me përpjekje të mëdha, Kina e ka praktikuar në mënyrë aktive këtë koncept (të komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit),” u shpreh ai.
Përballë sfidës së ndryshimeve klimatike, njerëzimi ndan një fat të përbashkët. Kina merr pjesë aktive në qeverisjen globale të klimës, promovon zbatimin e plotë e efektiv të Marrëveshjes së Parisit dhe kontribuon me mençurinë kineze për ndërtimin e një bote të pastër dhe të bukur. Ish-drejtori i Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik të Zonës së Madhe Bernë-Gjenevë, Philippe Monnier vë në dukje që, në zhvillimin e gjelbër, Kina mund të konsiderohet si shembull në shumë aspekte:
“Kina ka një numër të madh pikash ngarkimi të baterive për makinat elektrike dhe ndoshta asnjë vend tjetër nuk ka një dendësi të tillë. Ky është një faktor shumë i rëndësishëm, sepse shteti merr pjesë dhe inkurajon përhapjen e makinave elektrike. Një tjetër shembull është qyteti Shenzhen, ku të gjitha taksitë dhe autobusët janë me energji elektrike.”