任务---[ rèn wu ]---detyrë

Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës (PKK), që pritet të zhvillohet në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, do të shqyrtojë planin e ardhshëm të zhvillimit të Kinës me dy faza deri në mes të shekullit të 21-të, dhe veçanërisht do të skicojë detyrat strategjike në pesë vjetët e ardhshëm.

Presidenti kinez Xi Jinping, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak/ Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak/ Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i tha këto në një simpozium të zyrtarëve në rang province dhe ministrie, të zhvilluar të martën e të mërkurën në Pekin, në përgatitje për kongresin kyç të Partisë.

PKK-ja hartoi një plan zhvillimi me dy faza për periudhën nga viti 2020 deri në mes të këtij shekulli në Kongresin e saj të 19-të Kombëtar në tetor 2017. Sipas këtij plani, modernizimi socialist në Kinë do të realizohet në përgjithësi deri në vitin 2035 dhe Kina do të shndërrohet në një vend të madh socialist modern, të lulëzuar, të fuqishëm, demokratik, të përparuar nga ana kulturore, harmonik dhe të bukur deri në mes të shekullit.

"Kapitull krejt i ri"

Xi Jinping-u tha se Kongresi i 20-të Kombëtar do të jetë një ngjarje shumë e rëndësishme në një çast kritik, kur Kina ka nisur një udhëtim të ri për ndërtimin e gjithanshëm të një vendi modern socialist. Ai bëri thirrje për përpjekje për nxitjen e rilindjes së kombit kinez dhe për të shkruar një "kapitulli krejt të ri" për ndërtimin e gjithanshëm të një vendi socialist modern.

Kongresi i 20-të Kombëtar do të përcaktojë detyrat strategjike për vendin dhe masat e rëndësishme që duhen marrë në pesë vjetët e ardhshëm, theksoi Xi Jinping-u, duke shtuar se kjo është një periudhë vendimtare për realizimin e objektivit të njëqindvjetorit të dytë të Partisë.

Sipas tij, në pesë vjetët e ardhshëm duhen bërë më shumë përpjekje për të zgjidhur problemet në drejtim të "zhvillimit të paekuilibruar e jo të plotë".

PKK-ja ka vendosur dy objektiva njëqindvjetorësh. Objektivi i pari ishte ndërtimi i gjithanshëm i një shoqërie relativisht të begatë deri më 2021, me rastin e 100-vjetorit të PKK-së, dhe i dyti është kthimi i Kinës në një vend të madh socialist modern në të gjitha aspektet deri në mes të këtij shekulli, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Republikës Popullore të Kinës.

Xi Jinping-u tha se bota ndodhet në një situatë ndryshimesh të thella e të papara gjatë njëqind vjetëve të fundit, duke theksuar se Kina gjendet përpara rreziqeve e sfidave më të ndërlikuara se kurdoherë.

Rilindja e kombit kinez nuk është një detyrë e thjeshtë, paralajmëroi ai, duke bërë thirrje për më shumë përpjekje të paepura për realizimin e këtij objektivi.

Sekretari i përgjithshëm i PKK-së theksoi gjithashtu se nuk ka model i fiks për modernizimin në botë dhe nënvizoi rolin udhëheqës të Partisë në modernizimin socialist të Kinës.

Në rrugën e vet në të ardhmen, Partia duhet të ruajë synimin e vet fillestar për t'i shërbyer me zemër e me shpirt popullit dhe të ruajë marrëdhëniet e ngushta me popullin, u shpreh ai.

Simpoziumi i zyrtarëve në rang province dhe ministrie, i zhvilluar më 26-27 korrik në Pekin/ Xinhua

Simpoziumi i zyrtarëve në rang province dhe ministrie, i zhvilluar më 26-27 korrik në Pekin/ Xinhua

"Arritjet e jashtëzakonshme qysh prej 2017-s"

Udhëheqësi i Partisë dhe i shtetit kinez përgjithësoi zhvillimin e Kinës qysh nga Kongresi i 19-të Kombëtar të PKK-së, duke i përshkruar pesë vjetët e kaluar si "të jashtëzakonshëm". Partia e ka bashkuar dhe udhëhequr popullin kinez në përballimin efektiv të situatës "serioze dhe të ndërlikuar" ndërkombëtare dhe të "rreziqeve e sfidave të mëdha" njëra pas tjetrës, tha ai.

Kina deklaroi fitoren në zhdukjen e varfërisë absolute në mbarë vendin në fund të vitit 2020. Ajo ka shpallur edhe përfundimin e ndërtimit të një shoqërisë relativisht të begatë në të gjitha aspektet.

Gjatë pesë vjetëve të kaluar, Kina ka bërë përpjekje të mëdha në nxitjen e qytetërimit ekologjik, ka mbrojtur me vendosmëri sigurinë kombëtare, ka modernizuar mbrojtjen kombëtare e ushtrinë dhe ka ndjekur diplomacinë e vendit të madh me karakteristika kineze, vuri në dukje Xi.

Ai shtoi se Kina ka respektuar parimin e vënies së popullit në plan të parë në luftën kundër COVID-19 dhe ka bërë përpjekje maksimale për mbrojtjen e jetës e të shëndetit të popullit, duke arritur rezultatin më të mirë në mbarë botën në ndërthurjen e zhvillimit ekonomik me parandalimin dhe kontrollin e epidemisë.

Përballë situatës ndërkombëtare me "ndryshime drastike", Kina ka luftuar për mbrojtjen e dinjitetit e interesave thelbësore të saj, tha Xi.

Ai nënvizoi edhe përpjekjet e fushatës kundër korrupsionit, që synon të sigurojë që zyrtarët "të mos kenë guxim, mundësi dhe dëshirë për korrupsion."

Kongresi Kombëtar i PKK-së zhvillohet një herë në pesë vjet për të përcaktuar objektivat e politikës kombëtare të Partisë dhe për të zgjedhur udhëheqësinë e lartë të saj. (Wang Lei/ Artan)