人权---[rénquán]---Të drejta të njeriut

Nga Alfred de Zayas

Profesor i ligjit ndërkombëtar në Shkollën e Diplomacisë të Gjenevës, ish-ekspert i pavarur i OKB-së mbi nxitjen e rendit demokratik dhe të barabartë ndërkombëtar në periudhën 2012-2018

Salla e mbledhjes e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Gjenevë(Foto:VCG)

Salla e mbledhjes e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Gjenevë(Foto:VCG)

Nxitja e të drejtave të njeriut në mbarë botën është një angazhim i përbashkët i bashkëpunimit në bazë të parimit të barazisë sovrane të shteteve dhe të vetëvendosjes së popujve. Ky është misioni i Zyrës së Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, që ofron shërbime këshilluese dhe ndihmë teknike për vendet që e kërkojnë këtë, në frymën e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, me një qasje të gjithanshme ndaj të drejtave civile, kulturore, ekonomike, politike dhe shoqërore.

Praktika kundërvënëse e “përmendjes së emrit për ta turpëruar” dikë është bërë një mjet i pëlqyer i vendeve e mediave perëndimore, jo vetëm në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, por edhe në Asamblenë e Përgjithshme, Këshillin e Sigurimit, OBSh dhe Zyrën Ndërkombëtare të Punës. Kjo politikë agresive, në vend që të jetë në të mirë të të drejtave të njeriut, dëmton solidaritetin ndërkombëtar.

Banoret ujgure korrin rrush, Xinjiang(Foto:VCG)

Banoret ujgure korrin rrush, Xinjiang(Foto:VCG)

Artistët vendorë japin shfaqje artistike për turistët, 16 qershor, Kuqa, Xinjiang(Foto:VCG)

Artistët vendorë japin shfaqje artistike për turistët, 16 qershor, Kuqa, Xinjiang(Foto:VCG)

Sulmi i fundit është akuza e dokumentuar dobët kundër Kinës lidhur me “punën e detyruar”, madje “gjenocidin”, në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit. Forca e shtuar e akuzave nga sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe të tjerët është shqetësuese, por jo befasuese. Në fakt, ShBA-ja po ndjek “udhëzuesin” e vjetër, duke demonizuar armiqtë e saj gjeopolitikë në një luftë hibride të orkestruar.

Shumica e vendeve perëndimore dhe disa raportues të OKB-së, kundër kodeve të tyre të sjelljes, kritikuan vizitën e komisionares së lartë Michelle Bachelet në Kinë, që shënonte një përparim të dukshëm për gjetjen e fakteve e paraqitjen e propozimeve konstruktive në mënyrë profesionale, duke përfshirë krijimin e një mekanizmi për bashkëpunimin dhe vëzhgimin e ardhshëm.

Protesta kundër diskriminimit racial, 3 korri, Ohio,ShBA(Foto:VCG)

Protesta kundër diskriminimit racial, 3 korrik, Ohio,ShBA(Foto:VCG)

Por, në thelb, kritikët nuk kanë interes për të vërtetën, por vetëm për të dënuar Kinën. Pse ky qëndrim perëndimor arriti të gjente mbështetje nga media korporative? Sepse kjo shërben vetëm si një tym për të shmangur vëmendjen e publikut nga të metat e shumta të Perëndimit, duke përfshirë politikat ksenofobike, brutalitetin policor në ShBA, Kanada, Britani e Australi, dhe kushtet çnjerëzore në burgje, sidomos në ShBA, ku një përqindje e lartë e të burgosurve janë nga pakicat, të cilët gjithashtu i nënshtrohen edhe “punës së detyruar”, rreth të cilave nuk ka asnjë raportim në media.

Shumë pak njerëz e dinë se ShBA-ja ka përqindjen më të lartë të burgimit në botë. Në fakt, afro 25 % e numrit të përgjithshëm të të burgosurve në botë janë në ShBA, rreth 2.2 milionë veta. Atje ka edhe abuzim të gjerë të punëtorëve imigrantë, që mund të përshkruhen si “skllevër modernë”. Pse kështu? Interesat ekonomike të ShBA-së kanë gjithmonë përparësi krahasuar me të drejtat e njeriut.

Akuzimi i Kinës për “gjenocid” synon të largojë vëmendjen nga krimet e kryera nga europianët në Amerikën Veriore dhe Amerikën Jugore gjatë “zbulimit” të këtyre kontinenteve që ishin tashmë të banuar. Martin Luther King Jr. e dënoi këtë në librin e tij “Pse nuk mund të presim”, kur ai shkroi: “Vendi ynë ka lindur në gjenocid”, duke e pasur fjalën për masakrat ndaj banorëve indigjenë: çerokive, krive, irokuave, navahove, pekuotëve, suve etj.

Protesta kërkuan ndryshimin e Ditës Kombëtare që u caktua në ditën e mbërritjes së kolonialistëve britaniklë në Australi, 26 janar 2022, Sidnej(Foto:VCG)

Protestuesit kërkuan ndryshimin e Ditës Kombëtare që u caktua në ditën e mbërritjes së anijeve të para ushtarake britanike në Australi, që simbolizoi nisjen e pushtimit kolonial, 26 janar 2022, Sidnej(Foto:VCG)

Akuzimi i Kinës largon fokusin nga krimet e Perëndimit, duke përfshirë imperalizmin dhe kolonializmin, Luftëra e Opiumit, masakrat disashekullore gjatë sundimit britanik në Indi.

Vetëkritika është një aftësi që amerikanët mezi e përvetësojnë dhe rrallë e praktikojnë. Ndoshta kjo është arsyeja pse ShBA-ja nuk miratoi Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Shoqërore e Kulturore, Konventën mbi Punëtorët Migrantë ose Konventën mbi të Drejtat e Fëmijëve, as Statutin e Romës, ose deklaratën sipas nenit 36 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke njohur juridiksionin e saj automatik.

Të gjitha vendet mund të përmirësojnë zbatimin e të drejtave të njeriut, por kjo kërkon ndershmëri intelektuale, përkushtim ndaj së vërtetës dhe gatishmëri për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Fatkeqësisht, Këshilli i të Drejtave të Njeriut është bërë një arenë gladiatorësh, ku qeveritë akuzojnë njëra-tjetrën, në vend që të përpiqen të identifikojnë shkaqet rrënjësore të problemeve dhe të gjejnë zgjidhje.

Ne në botën perëndimore, kemi një mendësi dyjare, që e ndan këtë botë në “të mirë dhe të këqinj”, duke e marrë të mirëqenë se ne jemi “të mirët” dhe jemi të përligjur t'u bëjmë moral të tjerëve. Ky qëndrim shpërfill universalitetin e të drejtave të njeriut dhe përbën prapakthim.(Zhang Yan/Artan)