列车---[liè chē]---Tren
Në Samitin Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore (EQL), që u zhvillua më 9 shkurt 2021, presidenti kinez Xi Jinping propozoi bashkëpunimin për ndërtimin e "Një brez, një rrugë", duke shpejtuar ndërtimin e objekteve si hekurudha Hungari-Serbi dhe duke përkrahur vazhdimisht zhvillimin e trenave Kinë-Evropë, për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e bashkëpunimit dypalësh. Deri në janar të këtij viti, u kryen 50 mijë udhëtime të trenave të mallrave Kinë-Evropë, të cilat kanë nxitur ndërlidhshmërinë e vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë".
Thomas Krajnicki është një punëtor gjerman në depon e një kompanie kineze në qytetin Duisburg. Mallrat nga trenat Kinë-Evropë çohen atje me mauna, dhe Krajnicki e kolegët e tij i shkarkojnë dhe i sistemojnë. Zhvillimi i shpejtë i trenave të mallrave Kinë-Evropë ka shtuar shkëmbimet tregtare ndërmjet Kinës e Gjermanisë dhe Krajnicki shprehet se puna i jep kënaqësi dhe jeta e tij është bërë më e sigurt.
Thomas Krajnicki/ CMG
"Mallrat që vijnë këtu, janë të kategorive të shumta. Qoftë mallrat për në Kinë, ashtu edhe ato nga Kina, po pasurohen gjithnjë e më shumë, duke përfshirë produkte të vogla të konsumit të përditshëm, por edhe makineri të mëdha," shprehet Krajnecki. Ai e filloi këtë punë në shtator 2019 dhe gjatë këtyre afro tre vjetëve, ka ndier se puna është bërë më e ngarkuar. "Më vjen mirë që kam një punë të tillë, sepse jam 55 vjeç dhe sigurova një punë fikse. Kjo nuk është e zakonshme në Gjermani. Kam shumë dëshirë që të vazhdoj të punoj këtu dhe shpresoj se kjo do të jetë puna ime e fundit," rrëfen ai.
Në mars 2011 u nis treni i parë i mallrave Kinë-Evropë nga qyteti Chongqing, duke kaluar nëpër Kazakistan, Rusi, Bjellorusi e Poloni dhe duke mbërritur në qytetin Duisburg të Gjermanisë. Ky udhëtim çeli edhe një faqe të re të transportit tokësor Azi-Evropë. Pas shpalljes së nismës "Një brez, një rrugë" në vitin 2013, trenat Kinë-Evropë, të quajtur edhe si "karvani i deveve të çelikta", janë shtuar gjithnjë e më shumë.
Duisburgu është një qytet i rëndësishëm industrial në Gjermaninë Perëndimore, qendër e industrisë së çelikut, dhe gjithashtu porti më i madh lumor në Evropë, si dhe nyjë kryesore hekurudhore në "kontinentin e vjetër". Falë nismës "Një brez, një rrugë", ekonomia e Duisburgut është rigjallëruar dhe pozicioni i tij si nyjë e rëndësishme logjistike evropiane është konsoliduar. Krajnicki tha se hekurudha moderne ka rigjallëruar Rrugën e lashtë të Mëndafshit.
"E di që Rruga e Mëndafshit ka lidhje me tregtinë e lashtë dhe ishte një rrugë tregtare. Ndërsa sot, transporti hekurudhor ka epërsi të dukshme. Midis qyteteve kineze dhe Duisburgut duhen vetëm afro 16 ditë për transportin hekurudhuror, duke hapur një kanal të ri tregtar dhe duke e bërë Duisburgun një vend grumbullimi dhe shpërndarjeje. Është e qartë që qyteti ynë ka përfituar nga bashkëpunimi me Kinën. Mendoj se pa nismën 'Një brez, një rrugë', asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur. Ndihem i kënaqur që jam pjesë e kësaj, megjithëse roli im është shumë i vogël," tha ai.
Si dikush që ka lindur dhe është rritur në Duisburg, Krajnicki u shpreh se, megjithëse nuk ka qenë në Kinë, ai ka interes gjithnjë më të madh për këtë vend të largët lindor, falë kontakteve me miqtë kinezë e punës në kompaninë kineze, si edhe elementeve të shumta kineze me të cilat haset në jetën e përditshme.
"Së pari, Duisburgu është binjakëzuar me qytetet kineze. Së dyti, shumë produkte elektronike vijnë nga Kina, dhe celularët, kompjuterat tablet, televizorët etj., janë prodhuar në Kinë. Shkoj shpeshherë edhe në restorante kineze. Kam shumë dëshirë që të shkoj në Kinë dhe të vizitoj selinë e përgjithshme të kompanisë sonë në qytetin Chongqing. Dua të shikoj edhe qytetet përgjatë Rrugës së Mëndafshit, nga të cilat kalon ngarkesa e trenave të mallrave," shprehet punëtori gjerman.