人权---[rén quán]---të drejtat e njeriut

Të martën u zhvillua me anë të videos sesioni i 50-të i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Tema e këtij sesioni ishte “Forcimi i qeverisjes së të drejtave të njeriut, përhapja e vlerave të përbashkëta të njerëzimit”. Pjesëmarrësit në të diskutuan mbi drejtimin dhe rrugët e mundshme të qeverisjes së të drejtave të njeriut, duke pohuar arritjet, konceptin e qeverisjes dhe praktikat e Kinës lidhur me të drejtat e njeriut.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në këtë mbledhje, kryetari i Shoqatës së OKB-së të Kinës, Wang Chao, u shpreh që të drejtat e njeriut janë simboli i përparimit të qytetërimit njerëzor. Qytetërimet e ndryshme i kuptojnë në mënyra të ndryshme dhe kanë fokus të ndryshëm për sa u përket të drejtave të njeriut, por mbrojtja e jetës, vlerave e dinjitetit dhe të drejtat e njeriut për të gjithë janë kërkesat e përbashkëta të njerëzimit.

Tani ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, i përqendruar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, është pasuruar gjithnjë e më shumë, por disa vende e shpërfillin Deklaratën dhe krijojnë qëllimisht divergjenca sa u përket të drejtave të njeriut, duke vendosur pengesa të shumta përpara përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Vitet e fundit, me ndikimin nga situata e re ndërkombëtare dhe pandemia e COVID-19, hegjemonizmi, racizmi, proteksionizmi e nacionalizmi i ngushtë janë në rritje, varfëria dhe mosekuilibrimi janë shtuar, standardet e dyfishta po përdoren më shumë dhe qeverisja e të drejtave të njeriut po përballon goditje të rëndë. Një sfidë e madhe ndaj sistemit të tanishëm global të të drejtave të njeriut është që disa vende perëndimore po e shfrytëzojnë këtë sistem, po e politizojnë dhe instrumentalizojnë pandërprerë atë dhe po përdorin me shumicë standardet e dyfishta, duke ndërhyrë në punët e brendshme të të tjerëve me pretekstin e të drejtave të njeriut. Të gjitha këto e kanë helmuar rëndë atmosferën ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe atyre duhet t’u kushtohet rëndësi dhe të ndryshojnë,” tha Wang Chao.

Pedagogu i shkencave politike në Universitetin e Bueas të Kamerunit, Hasan Nxhoja, u shpreh që tani mbrojtja dhe nxitja e të drejtave të njeriut në vendet në zhvillim përballon dy sfida: ndërhyrja brutale nga vendet hegjemoniste në punët e brendshme të të tjerëve dhe promovimi me detyrim i vlerave dhe modelit perëndimor.

“Duhet të respektohen më shumë diferencat kulturore dhe shumëllojshmëria e sistemeve politike. Në raste konfliktesh, mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen gjithmonë me bisedime paqësore dhe të nxitet barazia dhe drejtësia ndërkombëtare në politikë dhe ekonomi,” tha ai.

Lektori i Shkollës së Studimeve Shoqërore pranë Universitetit Kombëtar Cork të Irlandës, Féilim Ó Hadhmaill, u shpreh që Kina mund të jetë si “urë” mes palëve dhe të luajë një rol të veçantë për nxitjen e paqes dhe qeverisjes së të drejtave të njeriut në botë.

“Kina është një vend i madh i rëndësishëm në botën e sotme. Me një popullsi të madhe dhe fuqi të fortë ekonomike, Kina mbështet vendet në zhvillim për zhvillimin e tyre ekonomik dhe ka fituar respektin e mirënjohjen e shumicës së vendeve të botës për sa i përket nxitjes së paqes dhe dialogut. Kina mund të luajë rolin e urës në qeverisjen globale,” theksoi ai.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Kombeve të Bashkuara e Kinës, popullsia kineze që është larguar nga varfëria zë mbi 70 % të numrit të atyre që kanë dalë nga varfëria në shkallë botërore, çka ka zvogëluar në mënyrë të dukshme numrin e popullsisë së varfër në botë. Treguesi i Zhvillimit Njerëzor i Kinës është rritur nga 0.499 në vitin 1990 në 0.761 më 2019. Kjo është hera e parë në botë që treguesi i një vendi kalon nga kategoria e ulët në kategorinë e lartë të zhvillimit që nga fillimi i matjes së këtij treguesi. Me nxitjen e arritjeve të të drejtave të njeriut, Kina ka marrë pjesë gjithashtu aktivisht edhe në qeverisjen globale të të drejtave të njeriut, duke dhënë kontributin e vet në këtë drejtim.

Profesori i Shkollës së Ligjit dhe Të drejtave të Njeriut pranë Universitetit të Wuhan-it, Zhang Wanhong, u shpreh: “Në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në nxitjen e drejtësisë botërore, Kina ka hartuar shumë masa kryesore për bashkëpunimin antiepidemik dhe ka dërguar materiale ndihme në mbi 150 vende, duke ndërtuar bashkësinë e përbashkët shëndetësore të njerëzimit. Kina ka shpallur solemnisht objektivat për kulmin e lëshimit të karbonit dhe asnjanësimin e lëshimit të karbonit, si dhe masat e reja për Kontributin e Përcaktuar Kombëtar, çka tregon përgjegjësinë në mbrojtjen e Tokës. Këto përpjekje janë pohuar nga bashkësia ndërkombëtare.” (Jiang Lei)