角色---[jué sè]---rol
Gjatë 25 vjetëve që prej kthimit të tij në atdhe, Hong-Kongu, si një rajon i posaçëm administrativ i Kinës, ka qenë një nga qytetet më dinamike në botë. Ndërkohë, Reforma dhe Hapja prej disa dekadash e Kinës kanë hyrë në epokën e re.
Një varkë me dekorime me rastin e 25-vjetorit të kthimit të Hong-Kongut në atdhe, lundroi në gjirin Viktoria në Hong-Kong, më 27 qershor 2022/ VCG
Me hapjen gjithnjë e më shumë të dyerve të vendit, pozicioni dhe roli i Hong-Kongut do të bëhen gjithnjë e më të fortë e jo më të dobët, tha presidenti i Kinës Xi Jinping në vitin 2018.
Ai shprehu shpresën se Hong-Kongu do të vazhdojë të luajë rol drejtues në tërheqjen e kapitaleve, teknologjive e talenteve, për zhvillimin më cilësor të ekonomisë kombëtare dhe për raundin e ri të hapjes në një nivel më të lartë.
Në veçanti, duke shfrytëzuar kontaktet e tij të gjera ndërkombëtare dhe shërbimet e përsosura profesionale nga njëra anë, dhe duke u mbështetur te tregu kolosal, sistemi i plotë industrial dhe forca konkurruese teknologjike e krahinave të brendshme të Kinës nga ana tjetër, Xi i bëri thirrje Hong-Kongut të bëhet kryeurë e hapjes së dyanshme të Kinës.
Epërsitë e Hong-Kongut
Më 1 korrik 1997, Kina rinisi ushtrimin e sovranitetit mbi Hongk-Kongun, duke formuar Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR). Qysh nga ajo kohë, në këtë rajon është zbatuar parimi "Një vend, dy sisteme", sipas të cilit në pjesën kryesore të Kinës zbatohet sistemi socialist, ndërsa në rajonin e posaçëm administrativ ruhet sistemi kapitalist.
Në një fjalim të mbajtur me rastin e 40-vjetorit të Reformës dhe Hapjes të Kinës, presidenti Xi Jinping tha se parimi "Një vend, dy sisteme" është "fuqia më e madhe" e Hong-Kongut, ndërsa reforma e hapja e vendit i krijon zhvillimit të rajonit një hapësirë më të gjerë.
Nga njëra anë, falë parimit "Një vend, dy sisteme", krahinat e brendshme e Kinës kanë mbështetur gjithmonë Hong-Kongun, veçanërisht gjatë krizave të jashtme. Kjo është arsyeja pse ky qytet mund të përballojë sfidat, si krizën financiare aziatike të vitit 1997, epideminë e SARS-it të vitit 2003, krizën financiare globale më 2008, si dhe pandeminë e tanishme të COVID-19.
Nga ana tjetër, Ligji Themelor i HKSAR-it mbron pasurinë private dhe investimet e huaja, e shmang Hong-Kongun nga kontrolli valutor, ruan statusin e tij si një port i lirë dhe garanton lëvizjen e lirë të mallrave, pronës dhe kapitaleve në Hong-Kong.
Hong-Kongu ka qenë ekonomia më e lirë në botë, sipas Institutit "Fraser", dhe kjo ka vijuar edhe pas vitit 1997. Në Raportin Vjetor mbi Lirinë Ekonomike të Botës 2021, të publikuar nga ky institut, thuhet se Hong-Kongu vazhdon të radhitet në vendin e parë për "Lirinë e tregtisë ndërkombëtare" dhe për "Rregulloren" sipas vlerësimit nga pesë aspekte.
Roli i Hong-Kongut në ndërkombëtarizimin e RMB-së dhe nismën "Një brez, një rrugë"
Sipas profesionistëve financiarë në Hong-Kong, si një nyjë ndërkombëtare financiare dhe një urë për hapjen e ndërsjellë të Kinës (tërheqjen e investimeve të huaja dhe daljen jashtë vendit), roli i Hong-Kongut si një fushë eksperimentale për hapjen financiare të vendit është bërë gjithnjë e më i dukshëm.
Hong-Kongu është qendra më e madhe e tregtimit të monedhës kineze RMB jashtë pjesës kontinentale. Mbi 70 për qind e pagimit me RMB jashtë pjesës kontinentale u krye në Hong-Kong.
Hong-Kongu shërben edhe si një platformë e rëndësishme e kompanive kineze për biznesin global dhe një qendër kyçe për tërheqjen e kapitalit të huaj. Deri në prill 2022, 1370 ndërmarrje të krahinave të brendshme të Kinës ishin regjistruar në Bursën e Hong-Kongut, duke zënë 53.3 për qind të kompanive të përgjithshme dhe 77.7 për qind të kapitalizimit të tregut të Bursës së Hong-Kongut.
Yi Gang, guvernatori i Bankës Popullore të Kinës, bankës qendrore kineze, vuri në dukje se Hong-Kongu luan një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e monedhës kineze dhe do të ofrojë një përkrahje më të madhe për financimin e nismës "Një brez, një rrugë". (Wang Lei/ Artan)