基建---[jī jiàn]---Infrastrukturë
Kina mirëpret të gjitha nismat për përmirësimin e infrastrukturës globale, por kundërshton fyerjet ndaj “Një brez, një rrugë”, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Zhao Lijian në një konferencë shtypi duke komentuar lidhur me Partneritetin për Infrastrukturën dhe Investimet Globale, të nisur nga Grupi i Shtatë Vendeve (G7).
Zhao Lijian-i vuri në dukje se Kina beson se nismat e ndryshme lidhur me infrastrukturën nuk do ta zëvendësojnë njëra-tjetrën, por kundërshton "synimet gjeopolitike" ose "përbaltjen e 'Një brez, një rrugë'" në emër të ndërtimit të infrastrukturës.
Të dielën, presidenti amerikan Joe Biden dhe liderët e tjerë të G7-së rifilluan Partneritetin për Infrastrukturën dhe Investimet Globale në samitin vjetor në Shlos-Elmau në Gjermaninë Jugore. Ata u zotuan të mbledhin 600 miliardë dollarë fonde private e publike brenda pesë vjetëve për të financuar infrastrukturën në vendet në zhvillim.
Ky vendim shihet si një masë kundërvënieje ndaj “Një brez, një rrugë” të propozuar nga Kina. Zyrtarët perëndimorë shprehen se vendet pjesëmarrëse në nismën kineze mund të bien në "kurthin e borxhit", por Kina e ka mohuar vazhdimisht këtë.
Nisma “Një brez, një rrugë” u paraqit nga Kina në vitin 2013 dhe përbëhet nga Brezi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit dhe Rruga Detare e Mëndafshit e Shekullit të 21-të. Ajo ka për qëllim të ndërtojë rrjetet tregtare e infrastrukturore që lidhin Azinë me Europën e Afrikën përgjatë dhe përtej Rrugës së lashtë të Mëndafshit.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze theksoi se i ashtuquajturi "kurth i borxhit" është një "deklarim krejtësisht i pasaktë", të cilin nuk e pranon asnjë vend pjesëmarrës në nismë. “‘Një brez, një rrugë’ u ka sjellë përfitime konkrete popujve të vendeve pjesëmarrëse. Sipas një raporti të Bankës Botërore, nga viti 2015 deri më 2030, projektet e transportit në kuadër të 'Një brez, një rrugë' mund t’i ndihmojnë 7.6 milionë veta në mbarë botën të dalin nga varfëria ekstreme e 32 milionë të tjerë nga varfëria mesatare,” tha Zhao.
Në Samitin e G7-s vitin e kaluar, ShBA-ja propozoi planin “Të ndërtojmë sërish një botë më të mirë” (B3W) dhe planifikoi të japë mbi 4 trilionë dollarë në ndihmë të ndërtimit të infrastrukturës në vendet në zhvillim, por deri sot ka dhënë vetëm 6 milionë dollarë për këtë plan.
"Pavarësisht në është plani B3W apo disa nisma të tjera, ajo që shpreson të shohë bashkësia ndërkombëtare janë investimet e projektet reale që mund t’u sjellin popujve përfitime," theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian. (Fani/Artan)