对抗---[ duì kàng]---Kundërvënie
Në Dialogun Shangri-la që përfundoi të dielën në Singapor, kryeministri japonez Fumio Kishida mbajti një fjalim, i cili sipas medias japoneze “drejtohej kundër Kinës”, duke shfaqur qëndrimin e përballjes së gjithanshme në fushat politike, ekonomike, ushtarake etj.
Dialog Shangri-la, Singapor(Foto:VCG)
Në fakt, Kishida jo vetëm propozoi kundërvënien e Japonisë ndaj Kinës me shtimin e shpenzimeve ushtarake, por edhe nxiti vendet e tjera aziatike të mbajnë anë kundër Kinës, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.
“Tani disa politikanë japonezë, pasi mësuan për Strategjinë e Indo-Paqësorit të ShBA-së, mendojnë se kanë gjetur një mundësi që ta sfidojnë Kinën, të çlirohen nga kufizimet ushtarake dhe të synojë hegjemoni në Azi,” shkruhet në komentin e CMG-së.
kryeministri japonez Fumio Kishida në Dialogun Shangri-la(Foto:VCG)
Në fjalimin e tij, Fumio Kishida deklaroi shpalljen vitin e ardhshëm të të ashtuquajturit “Plan i paqes i Indo-Paqësorit”, në një përpjekje për ta penguar Kinën nga ana politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe e zinxhirit industrial. Ndërkohë, në fjalimet e tyre, ai dhe ministri japonez i Mbrojtjes Kishi Nobuo spekuluan me thënie si “Ukraina e sotme mund të jetë si Azia Lindore e nesërme”, duke e akuzuar Kinën për “mosheqjen dorë nga përdorimi i forcës për bashkimin me Tajvanin”. Të gjitha këto kanë si qëllim vetëm gjetjen e preteksteve për shtimin e shpenzimeve ushtarake, rishikimin e Kushtetutës Paqësore dhe kundërvënien ushtarake në Azi. Jo vetëm kaq, por Tokioja planifikon të dërgojë zyrtarë civilë të Ministrisë së Mbrojtjes të qëndrojnë “në mënyrë të përhershme” në Tajvan dhe do të formojë një komandë të integruar për drejtimin e përbashkët të Forcave Vetëmbrojtëse Tokësore, Detare dhe Ajrore.
Japonia u kapitullua pa kushte,2 shtator,1945(Foto:VCG)
Nga ana ekonomike, Japonia po merr masa për të kufizuar shfrytëzimin e teknologjisë së lartë të saj nga pala kineze. Para një muaji, në Diet, parlamentin japonez, u miratua projektligji i ri i sigurisë ekonomike. Për këtë, Fumio Kishida bëri thirrje në Dialogun Shangri-la për “forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fusha si ngritja e sigurisë ekonomike”.
Përveç kësaj, gjatë organizimit të dialogut, Japonia u përpoq të tërhiqte vende të tjera të Azisë Juglindore kundër Kinës me joshjen e zhvillimit të shkëmbimeve ushtarake dhe të ofrimit të ndihmës ushtarake.
Por këto përpjekje dështuan, vijon komenti. Për shembull, ministri indonezian i Mbrojtjes Prabowo Subianto u shpreh në mënyrë të hapur se vendi i tij respekton të gjitha vendet e mëdha dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë aleancë ushtarake. Homologu i tij malajzian Hishammuddin Hussein theksoi se “ASEAN-i do të vendosë rrugën e vet”.
Kinë-ASEAN(Foto:VCG)
“Në histori, shumë vende aziatike kanë vuajtur nga imperializmi ushtarak i Japonisë dhe janë të qarta për pretendimet e disa politikanëve japonezë. Ndërsa është një konsensus i gjerë ndër vendet aziatike se zhvillimi i Kinës është një mundësi e jo kërcënim, gjë që nuk mund të ndryshojë, pavarësisht provokimeve nga këta politikanë japonezë. Ata e nxisin NATO-n të zgjerohet në Azi-Paqësor dhe propozojnë kundërvënien e gjithanshme ndaj Kinës, duke shfaqur sërish fytyrën e militarizmit, gjë që po dëmton rëndë paqen e stabilitetin rajonal. Dështimi në Luftën e Dytë Botërore nuk është larg dhe këto përpjekje do ta drejtojnë Japoninë përsëri drejt greminës,” përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)