外汇---[wài huì]---valutë
Administrata Shtetërore e Këmbimit Valutor e Kinës publikoi të martën të dhënat mbi vëllimin e rezervës valutore të vendit. Deri në fundin e majit, rezerva valutore e Kinës arriti 3.1278 trilionë dollarë, me një rritje 8.1 miliardë dollarë, ose 0.26 për qind, në krahasim me fundin e prillit.
[Foto: VCG]
Wang Chunying, zv.drejtore dhe zëdhënëse e Administratës Shtetërore të Këmbimit Valutor, u shpreh se tregu valutor i Kinës funksionon në përgjithësi në mënyrë të qëndrueshme dhe oferta e kërkesa për valutë mbeten të qëndrueshme.
Wen Bin, kryekërkues në Bankën “Minsheng” të Kinës, vuri në dukje se rritja e rezervës valutore ka ardhur kryesisht nga rritja e vlerësimit.
“Për sa i përket kursit të këmbimit, treguesi i dollarit ra në maj me 1.2 për qind, duke arritur në 101.8, teksa monedhat e tjera u forcuan kundrejt dollarit. Vlera e aktiveve financiare, kohët e fundit, ka luhatje të mëdha në tregun financiar ndërkombëtar, dhe vlera e aktiveve kryesore financiare u rrit dhe u ul në mënyrë alternative në maj. Rezerva valutore shprehet në dollarë amerikanë. Duke marrë parasysh ndryshimine e vlerave të aktiveve financiare dhe të kursit të këmbimit, rezerva valutore e Kinës në maj u rrit,” tha Wen Bin.
[Foto: VCG]
Sipas tij, në fazën tjetër, rezerva valutore e Kinës do të mbetet e qëndrueshme. Nga një anë, ekonomia kineze është elastike dhe nuk ka ndryshuar prirja pozitive afatgjatë e saj. Kohët e fundit, me përmirësimin e gjendjes pandemike dhe zbatimin e masave përkatëse, pritet që makroekonomia të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe baza e funksionimit të tregut valutor të jetë më solide, çka do të mbështetë qëndrueshmërinë e rezervës valutore të vendit. Nga ana tjetër, kohët e fundit treguesi i dollarit amerikan ka rënë, dhe kjo është në të mirë të ruajtjes së ekulibrimit të kursit të këmbimit të monedhës kineze.
“Ritmet e rritjes së inflacionit në ShBA janë ngadalësuar, dhe treguesi i dollarit amerikan është ulur kohët fundit, çka ka ndihmuar që kursi i këmbimit të monedhës kineze të mbetet i ekuilibruar dhe i arsyeshëm. Njëkohësisht, pritet që tregtia e mallrave të mbajë një shkallë të arsyeshme suficiti. Investitorët e huaj janë optimistë për zhvillimin e Kinës, dhe në përgjithësi ka pasur një fluks neto të investimeve të huaja drejt Veriut. Këto ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit bazë të ofertës e kërkesës në tregun valutor dhe stabilizimin e rezervës valutore të Kinës,” vuri në dukje Wen.
Zv.drejtorja dhe zëdhënësja e Administratës Shtetërore të Këmbimit Valutor të Kinës Wang Chunying tha se mjedisi jashtë Kinës mbetet i ndërlikuar dhe numri i sfidave para ekonomisë globale është rritur. Tregu financiar ndërkombëtar ka paqëndrueshmëri të madhe. Megjithatë, Kina ka bashkërenduar efektivisht parandalimin dhe kontrollin e epidemisë me zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe prirja pozitive afatgjatë e ekonomisë kineze nuk ka ndryshuar. Të gjitha këto do të mbështetin ruajtjen e qëndrueshme të rezervës valutore. (Li Huailiang/Artan)