政策---[zhèng cè]---politikë
Pandemia e COVID-19 “sigurisht që nuk ka mbaruar”, paralajmëroi të dielën kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) në ceremoninë e hapjes së sesionit të 75-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, ndërsa rastet e raportuara të infektimit janë duke u shtuar në afro 70 vende në mbarë rajonet e botës.
Varianti relativisht i butë “Omicron” i ka nxitur shumë vende të ulin nivelin e vigjilencës, të lehtësojnë kufizimet dhe të mbështeten vetëm te vaksinat.
Strategjia “zero-COVID dinamike” e Kinës, që përfshin një sërë masash, si testimi masiv, gjurmimi i gjerë i kontakteve dhe mbyllja e shpejtë për të shmangur sa më shpejt të jetë e mundur shpërthimet e reja kur ndodhin, duket si e tejkaluar dhe ka ngjallur shumë polemikë ndërkombëtare.
Por pse qeveria kineze vendos t’i përmbahet kësaj politike të rreptë? Cilat do të jenë pasojat nëse Kina do të heqë dorë nga kjo politikë pa asnjë ndërhyrje? Le të shohim në radhë të parë disa të dhëna.
Grupet e cenueshme
Dihet nga të gjithë se koronavirusi përbën një sfidë të madhe për të moshuarit. Sipas të dhënave nga Qendrat e Kontrollit dhe të Parandalimit të Sëmundjeve të ShBA-së (CDC), përqindja e vdekjeve është 65 herë më e lartë në personat në moshën mbi 65 vjeçe dhe 330 herë më e lartë te mbi 85-vjeçarët, në krahasim me ata të grupmoshës 18-29 vjeçe.
Kina ka 267 milionë banorë në moshën mbi 60 vjeçe dhe 260 milionë prej tyre kanë probleme shëndetësore. Njëkohësisht, përqindja e vaksinimit kundër COVID-19 te të moshuarit nuk është mjaft e lartë.
Një studim i fundit i kryer bashkërisht nga shkencëtarët në Kinë dhe në ShBA parashikon se Kina mund të kishte 1.5 milion të vdekur nga COVID-19 nëse do të hiqte dorë nga politika e saj “zero-COVID” pa asnjë mbrojtje, si shtimi i vaksinimeve dhe i mundësive për mjekim.
“Niveli i imunitetit i sjellë nga fushata e vaksinimit në mars 2022, nuk mjafton për parandalimin e një vale të ‘Omicron’-it”, shkruajnë autorët, duke parashikuar se kulmi i kërkesës për terapi intensive do të jetë 15.6 herë më shumë se kapaciteti ekzistues dhe do të shkaktojë afro 1.5 milion vdekje.
Njëkohësisht, studimi sugjeron që të vihet fokusi në garantimin e zotërueshmërisë së vaksinave dhe ilaçeve antikoronavirus, duke ruajtur zbatimin e ndërhyrjeve jofarmaceutike për të shmangur rrënimin e sistemit shëndetësor.
Burimet e pamjaftueshme mjekësore
Në fakt, burimet mjekësore në Kinë janë relativisht të pakta në krahasim me popullsinë e saj të madhe dhe me disa nga vendet e zhvilluara.
Sipas një studimi të publikuar në korrikun e vjetshëm në revistën “Burimet shëndetësore të Kinës”, vlerësohet që në Kinë kishte 4.37 shtretër të terapisë intensive për 100 mijë banorë në vitin 2021, ndërsa në Gjermani në vitin 2017 dhe në ShBA në vitin 2018 shifrat përkatëse ishin 33.9 dhe 25.8.
Mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë, të cilët janë pjesë përbërëse e burimeve mjekësore, ishin vija e parë e frontit kur u shfaq virusi. Megjithatë, numri i mjekëve dhe infermierëve në Kinë është i pamjaftueshëm për trajtimin e shpërthimeve masive.
Vendet që shpenzojnë shumë në shëndetësi, si Norvegjia dhe Suedia, kanë numër relativisht të madh të mjekëve e të infermierëve, kurse në Kinë vlerësohet që ka vetëm 1.64 mjekë të licensuar dhe 2.54 infermierë për 1 mijë banorë.
Pavarësisht nga ulja e seriozitetit të infektimit, vala masive e variantit shumë të transmetueshëm “Omicron” nënkupton se shtrimet në spital për COVID-19 në disa vende do të dyfishohen ose edhe më shumë në krahasim me shpërthimet e kaluara, sipas një studimi të kryer nga Instituti i Treguesve dhe Vlerësimit Shëndetësor pranë Universitetit të Uashingtonit në janarin e sivjetshëm.
Studimi, i publikuar në revistën “Lancet”, vuri në dukje se një numër i madh i punonjësve mjekësorë dolën pozitivë dhe u karantinuan gjatë valës së “Omicron”-it, gjë që e shtoi presionin mbi spitalet.
Në Kinë, që ka zhvillim të çekuilibruar ndërmjet rajoneve dhe mungesë të burimeve mjekësore, do të kishte infektime në shkallë të gjerë dhe një numër shumë të madh rastesh të rënda dhe vdekjesh nëse masat e rrepta për parandalimin e virusit do të lehtësoheshin para kohe, parashikojnë ekspertët.
“’Zero-COVID dinamike’ nuk do të të thotë ‘zero infektime’,” shpjegoi Liang Wannian, kreu i grupit të ekspertëve për përballimin dhe trajtimin e COVID-19 në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë, gjatë një konference shtypi.
Kyçi është ndërprerja e infektimeve të reja sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo heqja dorë nga përpjekjet dhe lënia e situatës jashtë kontrollit, theksoi ai.
Kjo politikë i krijoi Kinës një hapësirë të çmuar kohore, që duhet shfrytëzuar për të krijuar më shumë ilaçe dhe vaksina, tha Liang në një koment të publikuar në revistën zyrtare të Qendrës së Parandalimit e Kontrollit të Sëmundjeve të Kinës. (Wang Lei/ Artan)