危机---[wēi jī]---krizë
Ditët e fundit, gjatë videotakimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe telefonatës me presidentin francez Emmanuel Macron, presidenti i Kinës Xi Jinping shprehu përkrahjen ndaj vendeve evropiane për ta marrë vetë në duart e tyre sigurinë evropiane.
Para dy muajve, gjatë një videosamiti me presidentin Xi, liderët e Francës dhe Gjermanisë pohuan se Evropa po përballet me krizën më serioze pas Luftës së Dytë Botërore dhe të dyja vendet përkrahin zgjidhjen e problemit të Ukrainës nëpërmjet bisedimeve, për t’i dhënë një rast paqes. Kanë kaluar dy muaj, por konflikti Rusi-Ukrainë nuk është zbutur, përkundrazi, ka ushtruar ndikime negative më të rënda ndaj vendeve e rajoneve të tjera.
Foto nga CMG
Me nxitjen e ShBA-së, Evropa ka shtuar sanksionet ndaj Rusisë, por ka pësuar kundërpërgjigje më të ashpra: mungesa e drithërave, shtimi i refugjatëve, rritja e përqindjes së papunësisë, ngritja e çmimeve ... Evropa është bërë një nga viktimat kryesore të këtij konflikti dhe ndodhet përpara sfidave të sigurisë gjithnjë e më serioze.
Ndër to, siguria energjetike është më e dukshmja. Më 10 maj, Ukraina shpalli se do të pezullojë një stacion tranziti të gazit natyror, nëpërmjet të cilit kalon një e treta e gazit rus për në Evropë. Kjo do të thotë se vendet evropiane kërcënohen nga rreziku i ndërprerjes së gazit natyror edhe para sanksioneve zyrtare të BE-së ndaj naftës dhe gazit natyror rus. Evropa do të detyrohet të paguajë më shumë për plotësimin e mungesës së energjisë dhe kjo do të ngrejë më tej edhe çmimet e konsumit, do të shtojë koston e ndërmarrjeve dhe do të dobësojë aftësinë konkurruese të industrive evropiane.
Nga ana tjetër, ShBA-ja i ka hedhur benzinë zjarrit në Evropë. Analistët vunë në dukje se Uashingtoni nuk dëshiron të nxitë bisedimet e paqes, por ka ofruar më shumë armë, dhe në këtë sfond, ka mundësi të madhe që të shfaqet përsëri “perdja e hekurt” në Evropë.
Kjo situatë e shqetëson edhe një pjesë politikanësh evropianë. Ditët e fundit, anëtari francez i Parlamentit Evropian Thierry Mariani i bëri thirrje Francës të “ndalojë dhënien e armëve Ukrainës dhe të mos tërhiqet prej hunde nga ShBA-ja”. Ai tha me ironi se “Evropa është bërë shteti amerikan me mjedisin më të gjelbër”. Kjo thënie mishëron indinjatën e tij për shndërrimin e Evropës në “shtojcën strategjike” të ShBA-së.
Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) vihet në dukje se frenimi i Evropës dhe ndërprerja e procesit të autonomisë strategjike të Evropës ka qenë në fakt një nga qëllimet e ShBA-së për nxitjen e konfliktit Rusi-Ukrainë. Pavarësisht nga pretendimet e liderëve të Francës dhe të Gjermanisë për një Evropë më të fortë dhe më të pavarur, ShBA-ja po orvatet ta lidhë Evropën në makinën e luftës nëpërmjet konfliktit Rusi-Ukrainë.
Më 9 maj, presidenti franecz Emmanuel Macron mbajti një fjalim në Parlamentin Evropian, duke bërë thirrje për "krijimin e një bashkimi politik evropian"/foto nga "People Vision"
Për realizimin e sigurisë, paqes dhe lulëzimit, Evropës i nevojiten më shumë mençuri dhe guxim, komentoi CMG-ja. “Duhet të jemi vigjilentë ndaj krijimit të kundërvënies ndërmjet blloqeve, që të shmangim një kërcënim më të madh dhe më afatgjatë ndaj sigurisë e qëndrueshmërisë globale.” Ky propozim i palës kineze gjeti miratim edhe nga presidenti Macron. Gjatë telefonatës me presidentin Xi, ai u shpreh qartazi se Franca dhe BE-ja do të këmbëngulin në strategjinë e pavarësisë dhe të autonomisë dhe nuk do të përkrahin e nuk do të marrin pjesë në kundërvënien midis blloqeve.
9 maji, që sapo kaloi, ishte Dita e Evropës. Në këtë datë para 72 vjetëve, ministri i Jashtëm i atëhershëm i Francës Robert Schuman publikoi “Planin e Komunitetit të Qymyrit dhe të Çelikut të Evropës”, i cili konsiderohet si pikënisja e procesit të integrimit të Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Sot dhe në të ardhmen, “Evropa e evropianëve” duhet jo vetëm të mbetet objektivi i politikanëve evropianë, por edhe të shndërrohet në veprime konkrete, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)