选举---[xuǎn jǔ]---Zgjedhje
foto nga VCG
Ministrat e jashtëm të vendeve të G7-s dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian publikuan një deklaratë të hënën, ku hedhin baltë për zgjedhjen e suksesshme të kryeekzekutivit të gjashtë të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut të dielën, duke e quajtur zgjedhjen e tij si një "sulm ndaj pluralizmit politik në Hong-Kong” dhe duke përdorur sërish si justifikim Deklaratën e Përbashkët Kino-Britanike.
Deklarata e G7-s dhe BE-së është saktësisht e njëjtë me deklaratën e bërë një ditë më parë nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë i BE-së Josef Borrell, duke ekspozuar plotësisht orvatjet e tyre për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe për të dëmtuar stabilitetin e Hong-Kongut nën petkun e "demokracisë" dhe të "lirisë", thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
foto nga VCG
Si zgjedhjet e para për kryeekzekutivin e Hong-Kongut që nga zbatimi i sistemit të ri zgjedhor, zgjedhja e kryeekzekutivit të gjashtë të Rajonit të Posaçëm Administrativ është në përputhje me ligjet e rregulloret dhe është e drejtë, e barabartë, e sigurt dhe e ndershme. Sipas sistemit të ri zgjedhor të Hong-Kongut, numri i anëtarëve të Komisionit Zgjedhor është rritur nga 1 200 në 1 500, sektorët janë zgjeruar nga katër në pesë dhe sfera e mbulimit është zgjeruar. Kjo siguron që kryeekzekutivi i zgjedhur të ketë një përfaqësim më të gjerë në shoqëri dhe të përfaqësojë më mirë interesat e përgjithshme të shoqërisë së Hong-Kongut.
foto nga VCG
Duke gjykuar nga situata e votimit të dielën, mund të vihet re se u krijuan një sërë rekordesh: së pari, pjesëmarrja në votim ishte deri në 97.74 %, numri më i lartë i votuesve që nga kthimi i Hong- Kongut në atdhe; së dyti, kryeekzekutivi i zgjedhur Lee Ka Chiu John, fitoi 99.16% të votave, duke vendosur një rekord të ri për përqindjen e mbështetjes krahasuar me kryeekzekutivët e mëparshëm. Në një intervistë për gazetën e Singaporit “Lianhezaobao”, Liu Zhaojia, nënkryetari i Shoqatës për Studimet e Hong-Kongut dhe Makaos të Kinës, tha se, në sfondin e votimit të fshehtë, Lee Ka Chiu John përsëri u zgjodh si kryeekzekutiv me një përqindje të lartë votash, duke reflektuar unitetin e paprecedentë në kampin patriotik dhe kjo është në mbështetje të qeverisë së legjislaturës së re të Hong-Kongut për të arritur sa më shpejt rezultate në qeverisje.
Mund të shihet se, si procesi zgjedhor, ashtu edhe rezultatet zgjedhore, janë të mjaftueshme për të vërtetuar se zgjedhjet për kryeekzekutivin ishin të suksesshme. Së bashku me zgjedhjet e mëparshme të suksesshme të Komisionit Zgjedhor dhe zgjedhjet e shtata për Këshillin Legjislativ, votimi i së dielës ka hedhur një bazë solide për sigurimin e lulëzimit të Hong-Kongut dhe vërteton se sistemi i ri zgjedhor është në përputhjen me parimin “Një vend, dy sisteme”dhe me realitetin e Hong-Kongut, duke përbërë një demokraci më të gjerë, më reale dhe më praktike në funksionim.
foto nga VCG
Sa i përket Deklaratës së Përbashkët Kino-Britanike, e cila është promovuar në mënyrë të përsëritur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të Perëndimit, objektivi i deklaratës ishte kthimi i Hong-Kongut nga Mbretëria e Bashkuar në Kinë, jo çështja e sistemit politik, përfshirë atë zgjedhor, që do të zbatohej pas kthimit të Hong-Kongut Kinës. Pas kthimit të Hong-Kongut, baza ligjore kushtetuese për qeverinë kineze për të qeverisur Hong-Kongun është Kushtetuta e Kinës dhe Ligji Themelor i Hong-Kongut. Mbretëria e Bashkuar nuk ka të drejtën e sovranitetit, qeverisjes apo mbikëqyrjes mbi Hong-Kongun pas kthimit. ShBA-ja dhe vendet e tjera të Perëndimit i bëjnë thirrje Kinës të veprojë në përputhje me Deklaratën e Përbashkët Kino-Britanike nën maskën e "demokracisë", gjë që është një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar dhe e normave të marrëdhënieve ndërkombëtare, një shtrembërim i qëllimshëm i praktikës së suksesshme të parimit " Një vend, dy sisteme" dhe një ndërhyrje e sabotim i rëndë ndaj zhvillimit demokratik të Hong-Kongut.
CMG-ja komenton se Hong-Kongu po qëndron në një pikënisje të re pasi sistemi i ri zgjedhor solli një kryeekzekutiv të ri. Pavarësisht se sa shumë përpiqen disa forca në Perëndim të sulmojnë dhe njollosin, ato nuk mund ta ndalojnë prirjen historike të kalimit të Hong-Kongut nga kaosi në qeverisje, nga qeverisja në përparim. Me mbështetjen e vendosur të qeverisë qendrore dhe mundësinë e integrimit të Hong-Kongut në zhvillimin e përgjithshëm të Kinës, ekipi i ri qeverisës do të jetë në gjendje të bashkojë dhe të udhëheqë të gjithë sektorët e shoqërisë për të hapur një kapitull të ri për Hong-Kongun dhe për ta bërë “Perlën e Orientit” më vezulluese!