警惕---[jǐng tì]---vigjilencë
“Jemi kundër amendimit të Kushtetutës! Jemi kundër luftës” ... Ditët e fundit, organizata japoneze “Lëvizja reklamuese e opinionit të qytetarëve” bleu katër faqe të plota reklamash në katër gazeta vendore për të shprehur kundërshtimin ndaj rishikimit të Kushtetutës Pacifiste të vendit. Në të njëjtën kohë, kryeministri japonez Fumio Kishida nxiti përsëri në një tubim politik rishikimin e Kushtetutës, duke premtuar realizimin sa më parë të një gjëje të tillë.
Kryeministri japonez Fumio Kishida(Foto:VCG)
Dy ditë më vonë, gjatë vizitës në Britani, kreu i qeverisë japoneze bëri një deklaratë befasuese se “Azia Lindore mund të jetë Ukraina e ardhshme”, duke arritur konsensus me palën britanike për “pranimin e ndërsjellë” të forcave të armatosura të të dy vendeve.
Grupi Mediatik i Kinës (CMG) theksoi në një koment se ky vit shënon 75-vjetorin e zbatimit të Kushtetutës Pacifiste të Japonisë, por një sërë veprimesh të politikanëve japonezë tregojnë se ata po devijojnë prej rrugës së pacifizmit. “Ata po zmadhojnë kërcënimet e jashtme, duke synuar shmangien nga kufizimet e përcaktuara në Kushtetutën Pacifiste, për të krijuar një ushtri dhe për të pasur të drejtën e nisjes së luftës. Për këto sinjale të rrezikshme pro militarizmit japonez, bashkësia ndërkombëtare duhet të rritë vigjilencën”, shprehet CMG-ja.
Para 75 vjetësh, pas kapitullimit në Luftën e Dytë Botërore, Japonia shpalli një Kushtetutë të re. Sipas nenit të nëntë të këtij dokumenti, Japonia heq dorë një herë e përgjithmonë nga metodat si nisja e luftës, kërcënimi ushtarak dhe përdorimi i dhunës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Për të arritur këto qëllime, Japonia nuk do të ketë forca tokësore, detare, ajrore, dhe as të drejtën e nisjes së luftës. Prandaj, kjo vlerësohet si një Kushtetutë Pacifiste. Për një kohë të gjatë pas Luftës së Dytë Botërore, pacifizmi e ndihmoi Japoninë të fitonte besimin e vendeve aziatike, gjë që ndihmoi edhe zhvillimin e saj ekonomik.
Tubimi i Partisë Liberaldemokrate, Japoni(Foto:VCG)
Protestat kundër rishikimit të Kushtetutës me rastin e 70 vjetorit të zbatimit, 2017, Japoni(Foto:VCG)
Mirëpo, që nga vitet ‘90 të shekullit të kaluar, qarqet politike japoneze po bëhen gjithnjë e më konservatore, ndërsa ekonomia kombëtare ka hyrë prej tre dekadash në një fazë stagnacioni. “Para një situate të tillë, qeveria japoneze ndoqi rrugën e krijimit të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare e të pjesëmarrjes në luftërat jashtë vendit, në vend të reformave politike e teknologjike, për ta zhvendosur vëmendjen e publikut dhe për të zgjidhur problemet e brendshme. Meqë Kushtetuta Pacifiste kufizon të drejtën e Japonisë për zgjidhjen e konflikteve me anën e nisjes së luftës dhe përcakton se buxheti për forcat e armatosura nuk mund ta tejkalojë 1% të PBB-së së vendit, qeveritë e ndryshme japoneze janë përpjekur ta arrijnë objektivin nëpërmjet amendimit të Kushtetutës”, thuhet në komentin e CMG-së.
Në vitin 2007, qeveria e drejtuar nga Shinzo Abe hodhi hapin e parë për amendimin e kushtetutës. Kryeministri i tanishëm Fumio Kishida, pas marrjes së postit, ka deklaruar shumë herë se do të nxisë përparimin e kësaj agjende. Tani konflikti Rusi-Ukrainë duket se u ka dhënë forcave politike japoneze pretekstin për të përshpejtuar rishikimin e Kushtetutës.
Ditët e fundit, Partia Liberaldemokrate e Japonisë i dorëzoi kryeministrit një propozim për rishikimin e politikës së jashtme dhe politikës së mbrojtjes, ku thuhet se Japonia duhet të ketë aftësi goditëse ushtarake dhe që buxheti i mbrojtjes duhet të ngrihet të paktën deri në 2 % të PBB-së. “Tani, si nga shpenzimet për frymë, ashtu edhe raporti midis sipërfaqes së territorit dhe buxhetit ushtarak, Japonia radhitet ndër vendet e para në botë për buxhetin ushtarak. Megjithatë, këta politikanë prapë paraqitën kërkesa e sipërpërmendura që kërkojnë rishikimin e Kushtetutës. Analistët vunë në dukje që kryeministri i ri Fumio Kishida deklaroi se do ta përfshijë amendimin si një temë të rëndësishme të partisë së tij gjatë zgjedhjeve të Senatit që do të zhvillohen këtë verë, gjë që do të sjellë krizën më të madhe për nenin e nëntë të Kushtetutës”, theksohet në koment.
Protestat kundër rishikimit të Kushtetutës me rastin e 70 vjetorit të zbatimit, 2017, Japoni(Foto:VCG)
Teksa kryeministri japonez propagandon rishikimin e Kushtetutës, numri i të varfërve në rrugët e Tokios që mbajnë radhë për ndihmë ushqimore është rritur dy herë. Një sondazh i publikuar nga qeveria japoneze zbuloi njëkohësisht se një e shtata e fëmijëve në mbarë vendin vuan nga kequshqyerja. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, PBB-ja e Japonisë ra në 5.04 trilionë dollarë amerikanë në vitin 2020, nga 6.27 trilionë dollarë që ishte në vitin 2012.
“Nga njëra anë, ekonomia e vendit vazhdon të pësojë rënie, ndërsa nga ana tjetër qeveria japoneze synon rritjen e buxhetit ushtarak për të marrë pjesë në luftëra. Kjo do të shkaktojë më shumë banorë japonezë të uritur, në vend që t’u sjellë atyre ‘sigurinë’ siç propagandojnë politikanët”, shkruhet në komentin e CMG-së.
Shumë vende aziatike shohin te përpjeket e këtyre politikanëve japonezë fantazmat e militarizmit. “Gjatë Luftës së Dytë Botërore, luftërat e nisura nga forcat militariste japoneze u shkaktuan vuajtje të mëdha fqinjëve të Japonisë, çka e bëri atë të vetmin vend deri tani që është goditur me armë bërthamore. Nuk duhet ta harrojmë këtë mësim historik. Nxitja e amendimit të Kushtetutës Pacifiste do të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, përfundon komenti.(Zhang Yan/Artan)