致敬---[zhì jìng]--- respekti

1 Maji njihet zyrtarisht si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, për të shprehur mirënjohjen për njerëzit që zakonisht bëjnë punë krahu, për fermerët, si edhe për forcën e pakualifikuar të punës. Ata janë heronjtë e heshtur që prodhojnë ushqimin që hamë; që prodhojnë mallrat që blejmë në dyqane dhe që ndërtojnë rrokaqiejt ku banojmë, së bashku me rrugët dhe urat ku shkelim aq shpesh. Edhe në Kinë punëtorët kanë bërë aq shumë për vendin dhe e meritojnë vlerësimin e veçantë të mbarë popullit kinez.

Edhe pse kohët kanë ndryshuar dhe shumë kinezë e të huaj që jetojnë e punojnë në Kinë kanë gëzuar të mirat nga zhvillimi i shpejtë dhe rritja e madhe e prodhimit të brendshëm bruto të vendit në dekadat e fundit, kurrë nuk duhet harruar që mrekullia ekonomike e Kinës nuk është rastësi. Qytetet e begata të vendit nuk u shfaqën brenda natës dhe rritja e standardeve të jetesës nuk ishte thjesht çështje fati. Suksesi i Kinës është një histori e punës së madhe, këmbënguljes dhe sakrificës së qindra milionë kinezëve, që kanë bërë aq shumë për të ndërtuar një jetë më të mirë për familjet e tyre dhe për vendin në tërësi.

foto nga VCG

foto nga VCG

Kina ka pasur sukses me reformat e saj mbarëkombëtare rurale, duke përfshirë industrializimin, urbanizimin dhe modernizimin. Ritmi i përparimit të Kinës është përshpejtuar pas shpalljes së politikës së reformës e hapjes në dhjetor 1978 nga udhëheqësi i atëhershëm kinez Ten Hsiao Pin. Bujqësia kineze pati një rritje të ndjeshme të nivelit të prodhimit, ndërkohë që të ardhurat e bujqve e blegtorëve kinezë u rritën.

Faza tjetër e reformave të Kinës nisi në fillim të viteve ‘80 me hapjen e zonave të tregtisë së lirë në rajonet bregdetare jugore dhe lindore të vendit. Qeveria ofroi tatim preferencial dhe rregullore të posaçme për të tërhequr më shumë investime, duke inkurajuar firmat vendase dhe ato në pronësi të huaj të ngrenë fabrika, magazina dhe zyra në zonat e tregtisë së lirë. Zona e tregtisë së lirë e Shenzhen-it ishte më i suksesshmja, duke tërhequr dhjetëra milionë emigrantë nga i gjithë vendi për t’u zhvendosur në këtë qytet dhe zonat përreth. Prandaj, punëtorët nga fshati kanë shërbyer si shtyllë për rritjen afatgjatë të Kinës.

foto nga VCG

foto nga VCG

Megjithatë, transformimi i Kinës në një fuqi industriale ishte vetëm një pjesë e përparimit të vendit dhe e aspiratave të tij për të arritur nivelin e një shoqërie relativisht të begatë. Klasa punëtore e vendit e kuptoi se vetëm me punë të palodhur Kina mund të vazhdonte të ecte përpara. Prandaj, ata vazhduan të marshonin përpara pa u trembur, duke e ditur se po punonin për një të ardhme më të mirë.

Kineze ndoqën rrugën e paqes dhe përparimit duke ndërtuar, ndërtuar dhe vetëm ndërtuar. Ata ndërtuan rrjetet më të mëdha në botë të hekurudhave të shpejtësisë së lartë, ndërtuan qytete të reja nga e para, si dhe ndërtuan urën më të gjatë tokësore-detare në botë që lidh Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut me Zhuhain e provincës Guangdong dhe Rajonin e Posaçëm Administrativ të Makaos. Kina është vendi që shpenzon më shumë në botë për infrastrukturën dhe projekte të reja befasuese përfundojnë së ndërtuari çdo muaj, për të mos thënë javë. Aktivitete të tilla kanë shoqëruar urbanizimin e Kinës. Zonat më pak të populluara dhe të banuara janë bërë terreni për lindjen e qyteteve të reja, infrastrukturës dhe qendrave të zhvillimit.

foto nga VCG

foto nga VCG

Por për ndërtimin e infrastrukturës nevojitet fuqi punëtore. Punëtorët kinezë janë ndër më të zellshmit në botën tonë sot. Ata punojnë ditë e natë, nganjëherë edhe në kushtet më të vështira të motit.

Banorët e qyteteve në Kinë mund të shohin punëtorët në kantieret e ndërtimit, pastruesit në rrugë, mbledhësit e plehrave dhe natyrisht dërguesit e postës së shpejtë.

Më 1 Maj ne nuk duhet të harrojmë kuptimin e vërtetë të festës. Klasa punëtore meriton respektin tonë dhe ne duhet t’u themi "faleminderit" të gjithë atyre.