制造--[zhì zào]--prodhim

Të dhënat e publikuara të shtunën nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës tregojnë që, për shkak të përhapjes së pandemisë së COVID-19, disa ndërmarrje në Kinë kanë pasur rënie të prodhimit. Aktiviteti i sektorit të prodhimit dhe i sektorëve të tjerë joprodhues në Kinë shënoi ulje në prill.

Treguesi i menaxherëve të blerjeve (PMI) pati rënie me 2.1 %, duke arritur në 47.4 në prill, më pak se parashikimi nga “Reuters”-i prej 48.0. Ky është niveli më i ulët qysh nga shkurti 2020. Edhe sektori joprodhues shënoi gjithashtu rënie, duke arritur vlerën 41.9.

Statisticieni i lartë në Zyrën Kombëtare të Statistikave, Zhao Qinghe, u shpreh që ulja e PMI-së ka ardhur për arsye të rënies së furnizimit e kërkesës dhe të kostos së lartë të lëndëve të para.

Të dhënat tregojnë që prodhimi i ndërmarrjeve shënoi rënie të dukshme dhe kërkesa e tregut vazhdoi të ulet. Treguesit e prodhimit dhe të porosive të reja ishin përkatësisht 44.4 % dhe 42.6 %, me një rënie 5.1 dhe 6.2 pikë përqindjeje.

Shumë kompani thonë që ato po përballen me vështirësi në logjistikë e transport, furnizimin me lëndë të para dhe përbërës kryesorë, shitjen e produkteve të gatshme dhe mungesa të gjendjes në inventar.

Edhe pse kanë shënuar rënie me 1.9 dhe 2.3 pikë përqindjeje në krahasim me një muaj më parë, treguesi i çmimeve të blerjeve dhe treguesi i çmimeve të mallrave të blera drejtpërdrejt në burim për lëndët e para ende vazhduan të jenë në një nivel të lartë, përkatësisht me 64.2% dhe 54.4%.

Zhao tha që kjo ka shtuar trysninë mbi ndërmarrjet e rrjedhës së mesme dhe të poshtme të zinxhirit industrial.

Por ai theksoi gjithashtu që, megjithëse niveli i zhvillimit të sektorit të prodhimit është në rënie, ka edhe disa sektorë që janë në gjendje të qëndrueshme.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas tij, sektori i përpunimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, ushqimet dhe pijet, çaji, produktet minerare jometalike, sektori hekurudhor, anijet dhe pajisjet hapësinore janë në gjendje të qëndrueshme.

Për sa i përket treguesit të menaxherëve të blerjeve në sektorin joprodhues, po nën ndikimin nga pandemia, treguesi i aktivitetit të biznesit në sektorin e shërbimeve ishte 40, 6.7 pikë më pak se një muaj më parë.

Zhao bëri të ditur që 19 ndër 21 sektorët e përfshirë në raport janë në gjendje tkurrjeje. Sipas tij, transporti ajror, akomodimi, shërbimi i ofrimit të ushqimeve, mbrojtja ekologjike dhe menaxhimi i pajisjeve publike patën një nivel më të ulët tkurrjeje.

Me gjithë rënien në shumë sektorë, Zhao shprehu besimin për të ardhmen, duke thënë që, me masat efektive të kontrollit antiepidemik dhe efektin e politikave mbështetëse, gjendja e ndërmarrjeve pritet të përmirësohet gradualisht.(Jiang Lei)