疟疾---[nüè ji] --- malarie
Tu Youyou (Foto: VCG)
Sivjet është 50-vjetori i zbulimit të artemisininës. Para 50 vjetëve shkencëtarët kinezë, të përfaqësuar nga Tu Youyou, zbuluan për herë të parë dhe nxorën me sukses artemisininën, duke e ndihmuar Kinën të zhdukte plotësisht malarien. Një ilaç kaq të mirë e të dobishëm, Kina e ka promovuar bujarisht në të gjithë botën. Siç theksoi presidenti kinez Xi Jinping në letrën e tij të urimit për 50-vjetorin e krijimit të artemisininës, nëpërmjet zbulimit dhe promovimit të artemisininës, Kina "ka kontribuuar për parandalimin dhe kontrollin e malaries në shkallë globale dhe për mbrojtjen e njerëzimit."
Sipas ekspertëve, artemisinina ka efekt të shpejtë në trajtimin e malaries dhe ka pak efekte anësore, është e lirë dhe e lehtë për t'u përdorur dhe është shumë e njohur në bashkësinë ndërkombëtare. Nga Azia deri në Afrikë, nga Evropa deri në Amerikë, shumë jetë janë shpëtuar prej saj. Që nga viti 2000, OBSh-ja e ka konsideruar artemisininën si ilaçin e zgjedhjes së parë kundër malaries. Sipas statistikave jo të plota të OBSh-së, artemisinina ka shpëtuar miliona jetë në mbarë botën dhe ka trajtuar qindra miliona pacientë çdo vit. Rreth 240 milionë njerëz në Afrikën Nënsahariane kanë përfituar nga artemisinina, të cilën afrikanët e quajnë si "ilaçi magjik nga Lindja e Largët".
Deri në fund të vitit 2021, Kina ka trajnuar dhjetëra mijë specialistë kundër malaries për vendet në zhvillim, ka ndihmuar në ndërtimin e qendrave të parandalimit dhe kontrollit të malaries në 30 vende dhe ka dërguar 28 000 anëtarë ekipesh të ndihmës mjekësore në 72 vende në zhvillim. Artemisinina "e vogël, por e bukur”është një dhuratë e çmuar nga Kina për botën dhe ka dëshmuar përgjegjësinë e Kinës për të punuar së bashku me numrin e madh të vendeve në zhvillim për të promovuar ndërtimin e bashkësisë së shëndetit njerëzor.
Për miqtë, kinezët i kushtojnë kujdes gjithmonë fjalës "sinqeritet". Përveç artemisininës, shumë afrikanë ende kujtojnë se, kur Afrika u godit nga epidemia e ebolës, shumë vende u tërhoqën nga zona e epidemisë, ndërsa Kina dërgoi menjëherë ekipe mjekësore për ta ndihmuar Afrikën dhe çoi materiale të ndihmës urgjente në këtë kontinent. Në kohë krize, Kina është shembull i asaj se çfarë do të thotë "mik i vërtetë".
(Foto: Visual People)
Tani njerëzimi po përballet me epideminë më të rëndë gjatë 100 vjetëve të fundit. Ashtu si dhurimi i artemisininës, edhe këtë herë Kina po jep përsëri kontribut për botën. Kina ka zhvilluar veprime urgjente humanitare në përmasa të mëdha dhe deri tani ka ofruar qindra miliardë njësi materialesh kundër epidemisë për 153 vende e 15 organizata ndërkombëtare dhe 2.2 miliardë doza vaksinash për më shumë se 120 vende e organizata ndërkombëtare, duke dhënë kontribut në kapërcimin nga njerëzimi të kësaj epidemie.
Zv.ministri egjiptian i Shëndetësisë Muhammad Hassan është shprehur: "Kina ofron ndihmë aktive me vaksina për vendet e tjera. Me bashkëpunimin ndërmjet Kinës e Egjiptit, përqindja e vaksimit në Egjipt arriti në 70 %". Media zimbabviane, nga ana e saj, ka prodhuar një dokumentar të posaçëm, që tregon historinë e qytetit turistik të Ujëvarës Viktoria, ku falë vaksinave kineze, banorët vendorë dhe turistët kanë pasur "nivel të ulët infektimi dhe asnjë vdekje", sektori i turizmit është rihapur gradualisht dhe ekonomia është rimëkëmbur. Histori të ngjashme kanë ndodhur në mbarë botën. Një infermiere braziliane tha: "Njerëzit kanë gjithnjë e më shumë besim te vaksina kineze, e cila është një vaksinë që shpëton jetë."
(Foto: Visual People)
Epidemia nuk duhet të bëhet pengesë për zhvillimin e njerëzimit. Nga artemisinina deri te vaksina kineze, është shkruar historia e përballimit së bashku të krizës nga Kina dhe bota. Kina e di se vendet e ndryshme janë në një "anije të madhe" të fateve të përbashkëta. Përballë krizës së shëndetësisë globale, vetëm nëse krijohet bashkësia e shëndetësisë e njerëzimit mund të fitohet në luftën kundër epidemisë. Margaret Chan Fung Fu-chu, presidentja e Forumit Global të Shëndetësisë pranë Forumit të Boaos për Azinë, vuri në dukje se Kina po bën gjërat që mund të bëjë. Kina jo vetëm mbron kinezët, por edhe përpiqet të japë kontribut për botën. (Çang Çuo)