谈判---[tánpàn]---Bisedime

Të martën përfundoi në Turqi raundi i pestë i bisedimeve Rusi-Ukrainë. Siç bëri të ditur kryediplomati turk Mevlut Çavushoglu, ky është raundi i bisedimeve që ka arritur më shumë përparim. Kryetari i delegacionit rus Vladimir Medinsky u shpreh që, nëse të dy palët mund të shpejtojnë punën e nënshkrimit të marrëveshjes, duke arritur kompromis, paqja do të vijë më herët. Ndërsa, anëtarët e delegacionit ukrainas deklaruan se tashmë janë gati dokumentet bazë për takimin e krerëve të të dy shteteve.

Siç mësohet, një sërë përparimesh janë arritur në këto bisedime. Për shembull, Ukraina do të ruajë asnjanësinë e përhershme, duke braktisur pjesëmarrjen në ndonjë aleancë ushtarake, ndërsa Moska nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe do të ndërmarrë veprime për të zbutur konfliktin me Kievin. Gjithashtu, presidentët e të dy vendeve mund të takohen. Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, këto janë rezultate që u arritën me shumë kosto pas pesë raundesh bisedimesh. “Kjo ka shfaqur vullnetin e dy palëve për të ndaluar konfliktin dhe është e pandashme nga përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet bisedimeve”, theksohet në koment.

Me t’u publikuar këto përparime të bisedimeve ruso-ukrainase, treguesit e bursave kryesore europiane dhe amerikane patën një rritje të ndjeshme. Kjo tregon se bashkësia ndërkombëtare e përshëndet përmirësimin e situatës. Mirëpo ShBA-ja, përkundrazi, reagoi me shpërfillje, madje duket se nuk i mirëpriti këto zhvillime.

Agjencia franceze e lajmeve AFP njoftoi se po të martën, sekretari i Shtetit i ShBA-së Antoni Blinken shprehu dyshim për “seriozitetin” e Rusisë në bisedime. Ndërsa zv.ministri i Thesarit Wally Adeyemo deklaroi se për të dobësuar “aftësinë e Kremlinit për të vënë në funksionim makinën e vet të luftës”, ShBA-ja dhe aleatës e saj planifikojnë të vendosin sanksione të reja në më shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë ruse.

Këto kanë vërtetuar parashikimet e ish-ndihmëssekretarit amerikan të Thesarit Paul Craig Roberts: edhe nëse arrihet marrëveshja e paqes, ShBA-ja do të vazhdojë të krijojë telashe për Rusinë.

Në ditën kur u zhvilluan bisedimet, CNN-ja njoftoi, duke iu referuar fjalëve të zyrtarëve të Departamentit të Mbrojtjes, se ShBA-ja do të shpejtojë prodhimin e raketave të mbrojtjes kundërajrore "Stinger" dhe atyre antitank "Javelin" për t’ia ofruar Ukrainës.

Në komentin e CMG-së theksohet se, si “përfituesja më e madhe”, ShBA-ja nuk dëshiron të shohë ndërprerjen e shpejtë të luftimeve, sepse vijimi i konfliktit mund ta ndihmojë të frenojë rivalen e vet të vjetër, Rusinë, dhe të forcojë kontrollin ndaj Europës.

Ndërkohë brenda Europës janë shtuar zërat e arsyeshëm. Shumë institute studimi politikash, si Qendra Europiane e Politikave (EPC), Instituti Mbretëror i Çështjeve Ndërkombëtare, "Carnegie Europe" etj., publikuan një sërë artikujsh, ku vihet në dukje se sanksionet nuk janë rruga për t'i dhënë fund luftës dhe për ndërtimin e rendit të sigurisë në Europë. Sipas tyre, rregullat e sigurisë në Europë duhet të hartohen nën drejtimin e europianëve dhe Rusia nuk mund të përjashtohet nga ky proces.

Dy palët pjesëmarrëse në konflikt bënë të ditur se do të vazhdojnë bisedimet mbi problemet e sigurisë që shqetësojnë Kievin dhe ato territoriale që preokupojnë Moskën. “Në këtë moment kyç, çdo vend i përgjegjshëm duhet të bëjë më shumë për të përkrahur dialogun dhe për të nxitur arritjen e rezultateve dhe rikthimin e paqes, në vend që të shtojë pengesat e kundërvënien”, përfundon komenti i CMG-së.