警惕---[jǐngtì]---Vigjilencë

Presidenti amerikan Joe Biden u kthye të premten në Uashington pas një vizite treditore në Evropë. “Përveç shtimit të sanksioneve dhe rritjes së furnizimit me armë, Biden nuk dha ndonjë përgjigje të veçantë se si mund t'i jepet fund krizës në Ukrainë,” komentoi uebsajti amerikan “Politico”.

foto nga VCG

foto nga VCG

Kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Gjatë vizitës së tij treditore në Evropë, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk tha asnjë fjalë për të nxitur paqen dhe për të ndërmjetësuar lidhur me situatën, por përkundrazi, nxiti acarimin e gjendjes, për të mos i lënë Rusinë dhe Ukrainën që të ndalonin luftën. Gjatë pjesëmarrjes në tre samite, pikërisht të NATO-s, G7-s dhe BE-së, Shtetet e Bashkuara parashtruan një sërë propozimesh në fushën e energjetikës dhe sigurisë ushtarake, për të fituar aleatët evropianë kundër Rusisë. Por kur i shqyrton më hollësisht këto pretendime, vëren që ato kanë kryesisht si qëllim për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara, duke mos u dhënë zgjidhje përparësive të ngutshme të Evropës dhe duke i hedhur më shumë benzinë zjarrit për sa i përket krizës së Ukrainës.

foto nga VCG

foto nga VCG

Vlen të theksohet se lideri amerikan tha se Putini "nuk mund të vazhdojë të jetë në pushtet" kur mbajti një fjalim në kryeqytetin polak Varshavë, deklaratë që bëri bujë në opinionin ndërkombëtar. Pastaj një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë doli për të shpjeguar se këto fjalë nuk përfaqësonin një ndryshim në politikën e Uashingtonit ndaj Moskës dhe as nuk mbështesnin ndryshimin e regjimit në Rusi.

Pavarësisht nga "korrigjimi" zyrtar, "gafa" e Biden-it ekspozoi më tej skenarin e vërtetë të Uashingtonit, që është përdorimi i krizës së Ukrainës për të frenuar Rusinë, për ta mbajtur të lidhur dhe për ta dobësuar BE-në dhe për të ruajtur hegjemoninë amerikane. Provokimi i hapur ndaj liderit rus nuk mund të mos u kujtojë njerëzve rutinën e mëparshme të "revolucioneve me ngjyrë" të Shteteve të Bashkuara në pjesë të tjera të botës.

foto nga VCG

foto nga VCG

Evropa ka treguar vigjilencë të konsiderueshme. Për shembull, presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se qëllimi i Francës është të arrijë një armëpushim dhe tërheqjen e trupave me mjete diplomatike, duke shtuar se "ne nuk duhet të lejojmë që gjërat të përshkallëzohen, qoftë me fjalë apo me vepra".

Komentet e Macron-it tregojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë dallime të mëdha në trajtimin e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Shtetet e Bashkuara janë të etura që lufta të vazhdojë, në mënyrë që të marrin përfitime prej saj. Nga ana tjetër, Evropa shpreson që Rusia dhe Ukraina të arrijnë sa më shpejt armëpushim dhe të kthehen në rrugën e paqes dhe stabilitetit. Kur qëllimet e dy forcave janë krejtësisht të ndryshme, sado të bashkuara të jenë në sipërfaqe, përçarjet dhe dallimet e brendshme nuk mund të kapërcehen.

Aktualisht, Evropa është nën trysni të jashtëzakonshme nga rritja e çmimeve të naftës e gazit dhe qytetarët e saj po vuajnë. Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara kanë treguar “entuziazëm” të madh. Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Biden-i u zotua se Shtetet e Bashkuara do të eksportojnë të paktën 15 miliardë metra kub gaz natyror të lëngshëm shtesë në Bashkimin Evropian këtë vit. Iliya Kusa, një gazetar që punon në Kiev, beson se Uashingtoni po shfrytëzon sanksionet kundër Rusisë për të marrë pjesë në rishpërndarjen e tregut evropian të energjisë, me qëllim jo vetëm për të maksimizuar përfitimet, por edhe për ta bërë më të varur Evropën nga Shtetet e Bashkuara.

foto nga VCG

foto nga VCG

Opinioni publik ka vënë re se përpara vizitës së Biden-it në Evropë, Këshilli Europian miratoi një plan veprimi të quajtur "Busulla Strategjike", që synon të rrisë aftësitë e përbashkëta mbrojtëse të BE-së. Për të arritur pavarësinë strategjike, BE-ja duhet të përpiqet të shmangë tërheqjen drejt rrezikut nga ShBA-ja, e jo ta ndjekë atë në vendosjen e sanksioneve të njëanshme, duke sakrifikuar veten dhe duke dëmtuar të tjerët. Për Evropën, siguria e vërtetë vjen nga ndërtimi i një arkitekture të ekuilibruar, të efektshme dhe të qëndrueshme të sigurisë rajonale, në vend që ribëjë vijat ndarëse të përballjes ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Këtë herë Evropa, e cila është goditur vazhdimisht pas shpine nga Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të përsërisë të njëjtat gabime.