气候---[qì hòu]---Klimë
23 marsi është Dita Botërore e Meteorologjisë, që sivjet ka si temë "Paralajmërim i hershëm dhe veprim i hershëm". Gjatë një interviste me këtë rast për gazetaren e Grupit Mediatik të Kinës, sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM) Petteri Taalas vlerësoi kontributin e Kinës në parandalimin dhe pakësimin e fatkeqësive natyrore brenda e jashtë vendit, në parandalimin e hershëm, si edhe në nxitjen e përfitimeve ekonomike e shoqërore prej shërbimeve meteorologjike, gjatë 50 vjetëve pas rivendosjes së statusit të ligjshëm të Republikës Popullore të Kinës në këtë organizatë.
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Meteorologjisë Petteri Taalas dha një intervistë për CMG/ CMG
Sekretari i përgjithshëm Taalas tha se një nga funksionet kyçe të Organizatës Botërore të Meteorologjisë, si organ me autoritet i OKB-së për motin, klimën dhe hidrologjinë, është të sigurojë që 193 anëtarët e saj të marrin të dhëna statistikore bazë të vëzhgimit, si edhe shërbimet përkatëse të paralajmërimit. Por, sipas tij, aktualisht vetëm gjysma e tyre zotërojnë sistemin e paralajmërimit të hershëm të fatkeqësive natyrore dhe kjo është një nga sfidat kryesore për këtë organizatë.
"Me shërbimet e paralajmërimit, kemi mundësi të shpëtojmë jetën, të pakësojmë humbjet njerëzore dhe materiale dhe të shmangim prishjen e infrastrukturës. Këto shërbime janë për publikun e gjerë dhe përbëjnë një nga fushat kyçe të organizatës sonë," shpjegoi z. Taalas.
Sipas tij, në një raport të OBM-së theksohet se duhet të shpejtohen hapat për pakësimin e konsumit të energjisë, veçanërisht të qymyrgurit, naftës e gazit natyror, dhe njëkohësisht duhet të nxiten metodat për ngadalësimin e ngrohjes së klimës. "Mund ta ndryshojmë sistemin energjetik nga varësia te qymyrguri, nafta dhe gazi natyror te mbështetja në energjinë diellore, të erës, ujore dhe bërthamore. Mund ta ndryshojmë sistemin tonë të transportit nga nafta e benzina në biçikletat e automjetet elektrike dhe mjetet e transportit publik."
foto nga VCG
Në vitin 1972, Republika Popullore e Kinës rimori statusin e ligjshëm në OBM. Taalas-i vuri në dukje se gjatë këtyre 50 vjetëve, Kina, si anëtare e rëndësishme e kësaj organizate, ka pasur suksese të dukshme në ruajtjen dhe përmirësimin e sistemit të shërbimeve globale të organizatës, në përballimin e ndryshimit të klimës, në parandalimin e fatkeqësive natyrore ekstreme, në bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e meteorologjisë dhe në ndihmat meteorologjike ndaj vendeve të pazhvilluara. Kina ka dhënë kontribut të madh për zhvillimin e meteolorogjisë globale dhe do të luajë rol më të madh në bashkëpunimin ndërkombëtar.
"Gjatë 50 vjetëve të kaluar, Kina ka qenë anëtare e OBM-së, gjë që është jo vetëm në favor të Kinës, por edhe të shumë vendeve të tjera. Sistemi modern i vëzhgimit në Kinë ka ushtruar ndikim shumë pozitiv për ngritjen e cilësisë së shërbimeve të paralajmërimit në mbarë globin," vuri në dukje sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Meteorologjisë Petteri Taalas.