努力---[nǔ lì]---Përpjekje
Presidenti kinez Xi Jinping në samitin(Foto:Xinhua)
Kina vlerëson përpjekjet e Francës dhe të Gjermanisë për të ndërmjetësuar mbi situatën në Ukrainë dhe është e gatshme të luajë një rol pozitiv në këtë çështje. Kështu u shpreh presidenti kinez Xi Jinping në një videosamit me homologun e tij francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, ku u shkëmbyen mendime për krizën në Ukrainë dhe marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Europës.
Duke e quajtur situatën aktuale në Ukrainë "shqetësuese", kreu i shtetit i Kinës shprehu keqardhje e thellë për shpërthimin e luftës në kontinentin europian.
Ai tha se Kina i përmbahet qëndrimit që sovraniteti dhe tërësia territoriale e të gjitha vendeve duhet të respektohen dhe qëllimet e parimet e Kartës së OKB-së duhet të zbatohen plotësisht. Ai shtoi se shqetësimet e arsyeshme për sigurinë të të gjitha vendeve duhet të trajtohen seriozisht dhe duhet të mbështeten të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të kësaj krize.
Presidenti kinez vuri në dukje se detyra parësore e tanishme është ndalimi i përshkallëzimit ose i daljes jashtë kontrollit të situatës. Ai theksoi që Kina do të ruajë komunikimin dhe bashkërendimin me Francën, Gjermaninë dhe BE-në, duke luajtur një rol pozitiv me bashkësinë ndërkombëtare sipas kërkesave të të gjitha palëve të përfshira.
Presidenti kinez nxiti më shumë përpjekje për bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, në mënyrë që të dy palët të ruajnë prirjen e negociatave, të kapërcejnë vështirësitë, të vijojnë bisedimet dhe të rikthejnë paqen.
"Duhet të tregohet përmbajtje maksimale për të parandaluar një krizë masive humanitare", tha Xi. Sipas tij, Kina ka propozuar një nismë prej gjashtë pikash për situatën humanitare në Ukrainë dhe është e gatshme t'i ofrojë Ukrainës më shumë ndihma humanitare.
Presidenti kinez u bëri thirrje Francës dhe Gjermanisë të punojnë bashkërisht me palën kineze për të pakësuar ndikimet negative të krizës, duke theksuar se sanksionet përkatëse do të ndikojnë në sektorët e financës, energjetikës e transportit dhe në qëndrueshmërinë e zinxhirit global të furnizimit, duke përkeqësuar më tej ekonominë botëtore të dëmtuar rëndë prej pandemisë. "Kjo nuk është në të mirën e askujt," theksoi ai.
Kreu i shtetit i Kinës shprehu njëkohësisht domosdoshmërinë për një vizion të sigurisë së përbashkët, përfshirëse, bashkëpunuese dhe të vazhdueshme. Ai u shpreh se Kina mbështet Francën dhe Gjermaninë në ndërtimin e një kornize europiane të sigurisë të ekulibruar, efektive dhe të vazhdueshme, duke u nisur nga interesat e Europës dhe duke ngulur këmbë në autonominë strategjike të këtij kontinenti. "Kina do të shihte me kënaqësi zhvillimin e dialogut të barabartë midis BE-së, Rusisë, ShBA-së dhe NATO-s," shtoi Xi.
Videosamit Kinë-Francë-Gjermani(Foto:Xinhua)
Ndërsa Macron-i dhe Scholz-i shprehën në videosamit mendimet dhe qëndrimet e tyre për situatën në Ukrainë, duke thënë se Europa është para krizës më të rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Duke shprehur dëshirën për t'i dhënë paqes një mundësi, dy liderët europianë thanë se Franca dhe Gjermania mbështesin arritjen e një marrëveshjeje nëpërmjet negociatave.
Ata falënderuan edhe Kinën për nismën e saj mbi gjendjen humanitare dhe shtuan se vendet e tyre janë të gatshme të forcojnë komunikimin dhe bashkërendimin me palën kineze për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, gjë që mund të përkeqësojë krizën humanitare.
Presidenti kinez Xi Jinping nxiti edhe forcimin e dialogut dhe të bashkëpunimit midis Kinës dhe Europës, për të siguruar përparimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.
Ai vuri në dukje se ndërthurja e ndikimeve nga ndryshimet e mëdha globale dhe pandemia, të papara në një shekull, i kanë sjellë botës sfida të shumta që duhet të trajtohen nëpërmjet bashkëpunimit global.
Duke vënë në dukje që Kina dhe BE-ja kanë shumë mendime të përbashkëta në nxitjen e paqes, synimin e zhvillimit dhe shtimin e bashkëpunimit, Xi u shpreh që të dy palët duhet të mbajnë përgjegjësinë për t'i sjellë më shumë stabilitet dhe siguri botës që po përjeton një periudhë paqëndrueshmërie e luhatjesh.
Zhvillimi i Kinës mund të krijojë më shumë hapësira për bashkëpunimin Kinë-BE, tha Xi, duke shtuar se dy palët duhet të thellojnë më tej partneritetin në fushën digjitale dhe të zhvillimit të gjelbër, si edhe bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme me parimin e përfitimeve të ndërsjella. Kina dhe BE-ja duhet të vijojnë t'i përmbahen multilateralizmit dhe nxisin agjendat kryesore globale, theksoi presidenti kinez.
Nga ana e tyre, dy udhëheqësit europianë e uruan Kinën për organizimin e suksesshëm të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.
Duke pranuar se bota po përballon shumë sfida, ata u shprehën se nëse çdo vend vepron sipas dëshirës së vet, kjo vetëm se do të shkaktojë përkeqësimin e gjendjes.
Sipas tyre, pala europiane vlerëson rolin e rëndësishëm dhe pozitiv të Kinës në çështjet globale dhe është e gatshme të angazhohet për të thelluar marrëdhëniet me Kinën për të trajtuar sfidat globale si ndryshimi klimatik, problemet e shëndetit publik etj.
Tre udhëheqësit shkëmbyen mendime edhe mbi çështjen bërthamore të Iranit.(Zhang Yan/Artan)