安全---[ān quán ]---Sigurim
Xi Jinping takohet me këshilltarët politikë kombëtarë(Foto:Xinhua)
Presidenti kinez Xi Jinping theksoi të dielën rëndësinë e sigurimit të drithërave dhe të zbatimit të strategjisë së rigjallërimit rural gjatë takimit me këshilltarët politikë kombëtarë nga qarqet e bujqësisë, mirëqenies dhe sigurimeve shoqërore, që ndodhen në Pekin për të marrë pjesë në sesionin e 5-të të Komitetit të 13-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK).
Në këtë mbledhje, shtatë këshilltarë politikë dhanë sugjerimet e tyre në fushat e sipërpërmendura. Pasi dëgjoi opinionet e tyre, kreu i shtetit i Kinës mbajti një fjalim të rëndësishëm.
Foto:VCG
Sipas tij, bota ka hyrë në një periudhë të re me luhatje dhe ndryshime dramatike, ndërkohë që edhe Kina ka detyrën e vështirë për të realizuar zhvillimin me anë të reformës e stabilitetit. “Sigurimi i drithërave ka rëndësi jetike për vendin tonë. Pas përpjekjesh të jashtëzakonshme, Kina, me 9 % të tokës së punueshme dhe 6% të burimeve globale të ujit të ëmbël, mban gati 1/5 e popullsisë së botës, duke u shndërruar nga një vend që mezi ofronte ushqim të mjaftueshëm për 400 milionë banorët e tij, në një vend ku 1.4 miliardë njerëz sot gëzojnë kushte të mira ushqimore. Kjo është një arritje e fituar me anë të kapërcimit të vështirësive të panumërta, që ne duhet ta konsolidojmë më tej. Për sigurimin e ushqimit nuk mund të rrimë asnjëherë duarkryq. Nuk mund të mendojmë që, me realizimin e industrializimit, sigurimi i ushqimit nuk përbën më problem. Nuk duhet të mendojmë se ky problem mund të zgjidhet me anën e tregut ndërkombëtar”, vuri në dukje Xi.
Ai theksoi më tej se autoritetet e niveleve të ndryshme të pushtetit duhet të mbajnë përgjegjësinë e duhur, duke bërë një vlerësim rigoroz të kryerjes së detyrave në garantimin e sigurimit të drithërave. “Duhet të përmirësojmë më tej strukturën përbërëse të produkteve bujqësore, duke stabilizuar prodhimin e drithërave dhe duke zgjeruar rendimentin e bimëve vajore, për të siguruar prodhimin e mbi 650 miliardë kilogramëve drithërave në vit. Duhet të marrim më shumë masa për të ndihmuar bujqit të mbjellin më shumë drithëra për të shtuar fitimet e tyre dhe duhet të vijojmë përpjekjet për të ndaluar shpërdorimin e ushqimit,” tha kreu i shtetit i Kinës.
Foto:VCG
Xi Jinping-u nënvizoi njëkohësisht se më shumë masa të rrepta kontrolli do të merren për të garantuar që organet e pushtetit të niveleve të ndryshme të përmbushin si duhet detyrimet e tyre për të mbrojtur tokën e punueshme.
Ndërsa në Kinë është krijuar sistemi më i madh i sigurimeve shoqërore në botë, Xi vuri në dukje se nivelet e ndryshme të pushtetit duhet të vazhdojnë t’i kushtojnë forca ngritjes së cilësisë së shërbimeve përkatëse.
“Duhet të forcojmë unifikimin dhe standardizimin e rregullave, duke përfshirë më shumë njerëz në sistemin e sigurimeve shoqërore nëpërmjet kanaleve të ndryshme mbështetëse. Duhet të përmirësojmë sigurimet shoqërore për njerëzit e vetëpunësuar (punësimi elastik), duke zgjeruar përmasën e sigurimeve të papunësisë, të dëmtimit në punë dhe të mëmësisë, për të ngritur më tej barazinë e këtij sistemi dhe mbulimin e më shumë banorëve”, tha presidenti kinez.
Gjithashtu, ndihma ndaj njerëzve në nevojë ishte në fokus të Xi Jinping-ut.
Foto:VCG
Ai theksoi thellimin e reformës së sistemit të ndihmës shoqërore për të krijuar një rrjet të plotë shërbimesh për njerëzit në nevojë. “Duhet t’u përkushtohemi më shumë punëve të mirëqenies shoqërore në zonat rurale, duke shtuar kujdesin ndaj të moshuarve, fëmijëve dhe grupeve të tjera të njerëzve në nevojë në fshat. Duhet të bëjmë si duhet punën për garantimin e të drejtave të banorëve me aftësi të kufizuara fizike në mjekim, arsim dhe punësim. Duhet të parandalojmë dhe ndëshkojmë kategorikisht veprimet e keqtrajtimit të femrave, fëmijëve, të moshuarve dhe të njerëzve me aftësi së kufizuara fizike,” tha kreu i shtetit i Kinës në mbledhjen me përfaqësuesit e këshilltarëve politikë nga qarqet e bujqësisë, mirëqenies dhe sigurimeve shoqërore.(Zhang Yan/Artan)