战略---[zhàn lǜe]---Strategji
Ditët e fundit, qeveria amerikane publikoi “Raportin e Strategjisë së Indo-Paqësorit”, ku vazhdon të propagandohet teoria e “kërcënimit nga Kina” dhe synohet të pengohet zhvillimi i Kinës nëpërmjet krijimit të aleancave.
Në qershor të vitit 2019, Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së paraqiti konceptin e “Strategjisë së Indo-Paqësorit”. Pas kësaj, qeveria amerikane e ka shpejtuar zhvendosjen e fokusit strategjik në rajonin e Azi-Paqësorit. Me zbatimin e “Nismës së Parandalimit të Paqësorit”, forcimin e “Mekanizmit katërpalësh ShBA-Japoni-Indi-Australi”, vendosjen e marrëdhënieve të partneritetit të sigurisë ShBA-Britani-Australi, miratimin e “Aktit të Konkurrencës të ShBA-së 2022” dhe “Strategjinë e Indo-Paqësorit”, ShBA-ja po krijon aleanca kundër Kinës.
Në këtë raport, pjesa mbi Kinën zë një vend të dukshëm. Për shembull, lidhur me problemet e Tajvanit dhe të Detit të Kinës Jugore, pala amerikane shpif për Kinën në mënyrë të paarsyeshme. Një zyrtar i lartë amerikan i tha medias: “Megjithëse kjo nuk është strategjia jonë për Kinën, raporti e konsideron qartë Kinën si një sfidë rajonale.”
Megjithëkëtë, shumica e vendeve të Azi-Paqësorit i përmbahen politikës së jashtme të pavarur. Për shembull, për takimin e ministrave të Jashtëm të “Mekanizmit katërpalësh” të zhvilluar në Australi dhe me pjesëmarrjen e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, analistë janë të mendimit se, përveç Australisë, vendet e tjera aleate nuk do ta pranojnë lehtësisht programin e hartuar nga ShBA-ja. Ish-diplomati indian M.K Bhadrakumar u shpreh se takimi i ministrave të jashtëm të 4 vendeve është një “shfaqje” gjatë Olimpiadës Dimërore të Pekinit dhe nëse India e ndjek ShBA-në, ky do të ishte një “vendim i keq”.
“Raporti i Strategjisë së Indo-Paqësorit” paraqiti objektivin për zgjerimin e ndikimit diplomatik të ShBA-së në vendet ishullore të Paqësorit, por pas shpërthimit në janar të vullkanit në Tongë, materialet e para të ndihmës erdhën nga Kina. Qeveria dhe populli i Tongës e falënderuan Kinën për dhënien e ndihmës dhe e vlerësuan Kinën si vend të vërtetë mik.
Nga ndihma me vaksina deri në rimëkëmbjen ekonomike, Kina ka treguar me veprime konkrete se është një mundësi dhe partnere e mirë e Azi-Paqësorit. Me zbatimin zyrtar të marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), Azi-Paqësori gjendet përpara mundësive më të mëdha të zhvillimit dhe pothuajse asnjë vend nuk dëshiron të sakrifikojë interesat e veta për ta kundërshtuar Kinën.
Lulëzimi afatgjatë i Azi-Paqësorit varet nga bashkimi e bashkëpunimi i vendeve rajonale dhe jo nga përballja. Çdo strategji e mbështetur te mbyllja dhe përjashtimi i të tjerëve do të dështojë. (Fani)