岛屿---[dǎo yǔ]---Ishuj
Ditët e fundit, gjatë vizitës së presidentit argjentinas Alberto Fernández në Kinë, Kina dhe Argjentina publikuan një deklaratë të përbashkët mbi thellimin e marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik mes dy vendeve. Në këtë deklaratë, pala kineze ritheksoi përkrahjen e saj mbi kërkesën e Argjentinës për sovranitetin e plotë mbi ishujt Malvine dhe kërkesën e OKB-së lidhur me rifillimin e shpejtë të bisedimeve për zgjidhjen e konfliktit në mënyrë paqësore.
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), ky është qëndrimi konsistent i palës kineze, që “thotë fjalë të drejta dhe bënë veprime të drejta”. Ky qëndrim pasqyron jo vetëm respektin për parimet e Kartës së OKB-së, por edhe përkrahjen ndaj vendeve në zhvillim për ruajtjen e interesave të tyre të ligjshme, si dhe përgjegjësinë e Kinës kundër kolonializmit dhe për ruajtjen e drejtësisë e barazisë ndërkombëtare, duke u vlerësuar gjerësisht në bashkësinë ndërkombëtare.
Është një gjë e qartë se problemi i ishujve Malvine është në thelb një mbetje historike e kolonializmit. Në vitin 1816, Argjentina fitoi pavarësinë nga sundimi kolonial spanjoll, duke trashëguar sovranitetin mbi ishujt Malvine. Në vitin 1833 Britania e Madhe, e përfshirë në zgjerimin kolonialist në Amerikën Jugore, pushtoi me forcë ishujt Malvine. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të vitit 1965, u miratua rezoluta për përfshirjen e këtij problemi në kornizën e "dekolonizimit", duke i nxitur Britaninë e Madhe dhe Argjentinën të zhvillojnë negociata për zgjidhjen e konfliktit të sovranitetit. Komiteti i Dekolonizimit i OKB-së gjithashtu organizoi shumë mbledhje për ta nxitur qeverinë britanike që të negociojë me qeverinë argjentinase, por pala britanike nuk i pranoi këto negociata. Bashkësia ndërkombëtare e kritikoi gjerësisht mendësinë koloniale të palës britanike.
Çështja e Malvineve është një problem ndërkombëtar mes Britanisë dhe Argjentinës. Kina përkrah si gjithmonë kërkesën e ligjshme të Argjentinës për sovranitetin e këtyre ishujve, që përputhet me frymën e rezolutave përkatëse të OKB-së, duke shfaqur konsensusin ndërkombëtar.
Pala britanike duhet të rifillojë sa më parë negociatat me Argjentinën, për të zgjidhur në mënyrë paqësore problemin e ishujve Malvine, në vend që të sulmojë palën kineze nëpërmjet rezolutës mbi Tajvanin, duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe duke u përpjekur të ushtrojë trysni ndaj Kinës. Kjo dëshmon se disa politikanë britanikë ende ruajnë mendësinë e vjetër koloniale.
Në komentin e CMG-së theksohet që probemi i Tajvanit është punë e brendshme e Kinës, që ndryshon thelbësisht nga problemi i ishujve Malvine. Në botë ka vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e pandarë territoriale e Kinës, që është një parim i marrëdhënieve ndërkombëtare i pranuar gjerësisht dhe baza politike e vendosjes dhe e zhvillimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe vendeve të tjera. Në vitin 1972, kur Kina dhe Britania e Madhe vendosën marrëdhëniet diplomatike, pala britanike pranoi në mënyrë të qartë se Tajvani është një provincë e Republikës Popullore të Kinës. Më 10 shkurt, Dhoma e Komuneve e Britanisë së Madhe miratoi një rezolutë jo të detyrueshme ligjërisht për të sfiduar parimin e “Një Kine”, duke shkelur premtimet politike të palës britanike për Kinën dhe parimet bazë të ligjit ndërkombëtar të mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit.
Sot, në shekullin e 21-të, periudha e kolonializmit ka kaluar. Politikanët britanikë duhet t'ia kthejnë ishujt Malvine Argjentinës, nëse ata dëshirojnë të vënë drejtësinë në vend.(Xu Guang)