太空---[tài kōng]---Hapësirë
Vitet e fundit, një sërë veprimtarish të rëndësishme të programit hapësinor të Kinës kanë tërhequr vëmendjen e gjithë globit. Shumë adhurues të huaj të hapësirës pyesin se cili është kyçi i sukseseve të programit hapësinor kinez dhe cilat janë objektivat e Kinës në këtë fushë? Të premten, libri i bardhë “Programi hapësinor i Kinës: Një perspektivë e 2021-shit” dha përgjigje.
Foto:VCG
Ky është libri i bardhë i 5-të lidhur me programin hapësinor të Kinës, i cili përmbledh arritjet e Kinës në shkencën e teknologjinë hapësinore dhe zbatimin e tyre në pesë vjetët e kaluar, si dhe planet për 15 vjetët e ardhshëm. Pika më tërheqëse në libër është që Kina paraqiti për herë të parë konceptin e krijimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit në hapësirën kozmike. Ky propozim tregon qëndrimin e hapur dhe aktiv të Kinës në fushën hapësinore.
Vitet e fundit, Kina ka zhvilluar fuqimisht shkencën hapësinore, duke eksploruar aktivisht hapësirën kozmike. Nëpërmjet projekteve të hulumtimit të Hënës, Marsit etj., Kina eksploron dhe përdor për qëllime paqësore hapësirën kozmike, për të krijuar një të ardhme më të bukur për gjithë njerëzimin. Më e rëndësishmja është që programi hapësinor kinez kërkon aktivisht zgjidhjen e vështirësive në zhvillimin global. Për shembull, sistemi i lundrimit satelitor “Beidou” i Kinës po u jep vendeve të ndryshme shërbime lidhur me meteorologjinë, udhëtimet, transportin, bujqësinë, ndihmën në raste të jashtëzakonshme etj., duke nxitur zhvillimin e vazhdueshëm të botës.
Foto:Xinhua
Hapësira kozmike i përket gjithë njerëzimit dhe veprimtaria hapësinore duhet t’i sjellë njerëzimit dobi. Qëndrimi i hapur e bashkëpunues i programit hapësinor kinez është vlerësuar nga bashkësia ndërkombëtare. Që nga viti 2016, Kina ka nënshkruar 46 marrëveshje ose memorandume të bashkëpunimit hapësinor me 19 vende e rajone dhe katër organizata ndërkombëtare, për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë. Ditët e fundit u përzgjodh grupi i parë i provave për bashkëpunimin ndërkombëtar në stacionin hapësinor të Kinës. Ish-drejtori i Agjencisë Europiane të Hapësirës Jean-Jacques Dordain vlerësoi hapjen e stacionit hapësinor kinez ndaj partnerëve të bashkëpunimit.