黄河---[huáng hé] --- Lumi i Verdhë
Foto:VCG
Lumi i Verdhë është lumi nënë i kombit kinez dhe mbrojtja e tij është shumë e rëndësishme për ripërtëritjen e kombit kinez. Më 20 dhjetor, Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Kombëtare Popullore, organi më i lartë ligjvënës në Kinë, mbajti një konferencë të rregullt shtypi në Pekin për të shqyrtuar projektligjin për mbrojtjen e Lumit të Verdhë. Projekti fokusohet në problemet e vazhdueshme, si pakësimi i ujit dhe shtimi i rërës, gërryerja e tokës dhe ndotja serioze në Lumin e Verdhë, dhe synon të forcojë mbrojtjen ekologjike të pellgut të Lumit të Verdhë.
Projektligji përbëhet nga 11 kapituj dhe 105 nene. Ai zbaton kërkesat e "mbrojtjes e administrimit" dhe bën rregullime të veçanta për mbrojtjen dhe restaurimin ekologjik, ruajtjen dhe përdorimin intensiv të burimeve ujore, rregullimin e ujit e të rërës dhe sigurinë e kontrollit të përmbytjeve etj.
Uji është problemi më i theksuar i Lumit të Verdhë. Burimet ujore të Lumit të Verdhë zënë vetëm 2% të vëllimit të përgjithshm të ujërave të vendit, por ai ushqen 12 % të popullsisë së Kinës dhe ujit 15 % të tokave të punueshme të vendit. Në zonën e Lumit të Verdhë, për mbrojtjen ekologjike dhe zhvillimin me cilësi të lartë, thelbi dhe kyçi është "uji". Yu Wenxuan, drejtor i Institutit të së Drejtës së Burimeve Mjedisore pranë Universitetit të Shkencave Politike dhe Drejtësisë të Kinës, shprehet:
Foto:VCG
"Gjendja e burimeve ujore në zonën e Lumit të Verdhë është serioze. Përqindja e burimeve ujore për frymë është e ulët, por përqindja e zhvillimit dhe e shfrytëzimit është e lartë. Ndotja në këtë lumë është e rëndë, sidomos në degët e tij. Këto janë probleme që duhet të zgjidhen sa më parë."
Për këtë qëllim, projekti forcon sistemin e ruajtjes dhe përdorimit intensiv të burimeve ujore, zbaton kërkesat për treguesit e kontrollit të detyrueshëm të kufizimeve për burimet ujore dhe përcakton masa të tilla si planifikimi i unifikuar i burimeve ujore, tërheqja totale e ujërave nëntokësore dhe kontrolli i nivelit të ujit etj.
Lumi i Verdhë është një nga lumenjtë me më shumë rërë dhe më të vështirë për t'u administruar në botë. Dëmi i ujit është serioz dhe problemet e administrimit të tij e kanë shqetësuar kombin kinez gjatë mijëra viteve. Aktualisht, pjesa e Lumit të Verdhë që ndodhet mbi nivelin e tokës është 800 kilometra e gjatë. Nëse ndodhin përmbytje, kjo do të shkaktojë fatkeqësi ekologjike që është e vështirë të rregullohen për një kohë të gjatë. Qin Tianbao, drejtor i Institutit të Ligjeve Mjedisore të Universitetit të Wuhan-it, tha: "Në mbrojtjen e Lumit të Verdhë duhet t’u kushtohet rëndësi marrëdhënieve midis rërës dhe ujit. Duhet të forcohet ndërtimi i sistemit të përgjithshëm të parandalimit të përmbytjeve dhe të pakësimit të fatkeqësive për të siguruar jetën e njerëzve. Por kyçi janë marrëdhëniet midis rërës e ujit dhe që të merren masat përkatëse kundër gërryerjes së tokës."
Lidhur me ndotjen e Lumit të Verdhë, projekti rregullon standardin e cilësisë së mjedisit ujor në zonën e Lumit të Verdhë, standardin e shkarkimit të ndotësve të ujit, kontrollimin e shkarkimit të ndotjeve etj.
Projektligji përfshin një kapitull të veçantë për përmirësimin e trashëgimisë së kulturës së Lumit të Verdhë. Mësohet se kjo është hera e parë në praktikën legjislative të Kinës që në një ligj kombëtar përfshihen dispozita mbi kulturën e një pellgu lumor.(Çang Çuo)