民主---[mín zhǔ]---Demokraci
Ministria e Jashtme e Kinës dënoi të shtunën "Samitin për Demokracinë" të organizuar nga ShBA-ja, duke e akuzuar palën amerikane që po e kthen demokracinë në mjet dhe armë për hegjemoninë e saj.
Një zëdhënës i Ministrisë tha në një deklaratë se në përpjekje për të hequr vija ideologjike nëpërmjet organizimit të samitit, ShBA-ja po përpiqet ta pengojë demokracinë nën pretekstin e demokracisë, të nxisë ndarjen e konfrontimin dhe të heqë vëmendjen nga problemet e saj të brendshme.
"Kjo lëvizje e ShBA-së shkon kundër prirjes së kohës dhe është kundërshtuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare," thuhet në deklaratë.
Mosfunksionimi i demokracisë së stilit amerikan
Zëdhënësi tha se ShBA-ja nuk është një "fener i demokracisë" dhe demokracia e stilit amerikan është shmangur nga thelbi i demokracisë.
Problemet si politika e parave, politika e identitetit, partishmëria, polarizimi politik, ndarjet shoqërore, tensionet raciale dhe hendeku i pasurisë po bëhen më serioze në demokracinë e stilit amerikan, u shpreh ai.
Duke e quajtur si një "lojë të bazuar në paratë për të pasurit," zëdhënësi tha se 91 % e zgjedhjeve për Kongresin janë fituar nga kandidatët me përkrahjen më të madhe financiare.
"Kjo është 'një njeri, një votë' në emër, por 'sundimi i elitës së pakicës' në realitet," theksoi ai, duke shtuar se publikut të gjerë i kushtohet rëndësi vetëm kur kërkohen votat e tij, por shpërfillet kur përfundojnë zgjedhjet.
Të metat e një sistemi të tillë zgjedhor janë të vetëkuptueshme, duke përfshirë përdorimin e shfrenuar të mashtrimit për ta manipuluar ndarjen e zonave zgjedhore që sakrifikon drejtësinë, sipas zëdhënësit.
Ai shtoi se parimi “kontrollo dhe ekuilibro” në ShBA është bërë "vetokraci", ku interesat partiake vendosen mbi zhvillimin kombëtar.
Trazirat në “Capitol Hill”, vdekja e George Floyd-it, trajtimi tragjik i pandemisë së COVID-19 dhe hendeku në rritje midis të pasurve dhe të varfërve tregojnë mosfunksionimin e demokracisë së stilit amerikan, tha zëdhënësi, duke e quajtur këtë "një fakt që nuk mund të mbulohet”.
Duke cituar sondazhet, ai vuri në dukje se 72% të amerikanëve besojnë se demokracia në ShBA nuk është një shembull i mirë për të tjerët vitet e fundit, dhe 81% besojnë se ekzistojnë kërcënimet e rënda të brendshme për të ardhmen e demokracisë amerikane.
Sipas sondazheve, 44 % e të anketuarve në botë e konsiderojnë ShBA-në si një kërcënim për demokracinë globale. Ndër vendet aleate të ShBA-së, shumica e shohin demokracinë amerikane si "të shpartalluar, të dështuar" dhe 52 për qind e të anketuarve në Bashkimin Evropian besojnë se sistemi demokratik në ShBA nuk funksionon, sipas zëdhënësit.
Demokracia, një "armë e shkatërrimit në masë" e ShBA-së për të ndërhyrë në punët e të tjerëve
Zëdhënësi i diplomacisë kineze thotë se ShBA-ja u ka imponuar sistemin politik dhe vlerat e saj të tjerëve, ka nxitur "reformat demokratike", ka abuzuar me sanksionet e njëanshme dhe ka nxitur "revolucionet me ngjyrë", duke shkaktuar pasoja katastrofike.
"Demokracia është bërë në një 'armë e shkatërrimit në masë' e përdorur nga Shtetet e Bashkuara për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera", thuhet në deklaratën e zëdhënësit.
Duke vënë në dukje se që nga viti 2001, luftërat dhe operacionet ushtarake të zhvilluara nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri kanë marrë qindra mijë jetë, kanë shkaktuar miliona të lënduar dhe kanë shkaktuar zhvendosjen e dhjetëra miliona njerëzve nga shtëpitë, zëdhënësi tha se imponimi i demokracisë amerikane mbi të tjerët thjesht nuk funksionon.
ShBA-ja po përpiqet ta ndajë edhe sot botën në kampe "demokratike" dhe "jodemokratike" në bazë të kritereve të saj dhe të provokojë në mënyrë të hapur ndarje dhe konfrontim, tha zëdhënësi, duke shtuar se kjo sjellje është prapavajtje historike dhe nuk do të sjellë asgjë tjetër përveç trazirave dhe fatkeqësive në botë.
"Rruga e një vendi drejt demokracisë duhet të zgjidhet në mënyrë të pavarur"
Zëdhënësi theksoi se demokracia, si një vlerë e përbashkët e njerëzimit, është e drejta e popujve në të gjitha vendet, dhe jo vetëm e një grupi të vogël vendesh.
Nëse një vend është demokratik apo jo, duhet të vendoset nga populli i tij e jo nga një grusht të huajsh që tregojnë me gisht, vuri në pah zëdhënësi.
"Sistemi demokratik i një vendi dhe rruga e tij drejt demokracisë duhet të zgjidhen nga populli i vet sipas realitetit kombëtar të tij," theksohet në deklaratë. "Asgjë nuk funksionon më mirë se ajo që është më e përshtatshme."
Zëdhënësi shpjegoi gjithashtu se si praktikon Kina demokracinë popullore të gjithë procesin nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës.
Demokracia popullore në gjithë procesin kombinon demokracinë zgjedhore me demokracinë konsultative dhe integron të gjitha lidhjet e demokracisë, duke përfshirë zgjedhjet demokratike, konsultimet demokratike, vendimmarrjen demokratike, menaxhimin demokratik dhe mbikëqyrjen demokratike, theksoi zëdhënësi.
"Ajo mbulon fushat ekonomike, politike, kulturore, sociale, ekologjike dhe të gjitha fushat e tjera,” tha ai. "Është demokracia socialiste me bazë të gjerë, reale dhe efektive."
Zëdhënësi shtoi se demokracia e Kinës ka kontribuuar në zhvillimin dhe progresin shoqëror të saj, dhe i ka sjellë një jetë të lumtur popullit kinez.
Kina ka ndërtuar një shoqëri relativisht të begatë në të gjitha aspektet dhe ka zhdukur varfërinë absolute për 1.4 miliardë njerëz, vuri në dukje zëdhënësi, duke shtuar se Kina është e gatshme të punojë me të gjitha vendet për të promovuar paqen, zhvillimin, barazinë, drejtësinë, demokracinë dhe lirinë, të cilat janë vlera të përbashkëta të njerëzimit, dhe të nxitë demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Ne duhet të refuzojmë dhe kundërshtojmë me vendosmëri të gjitha format pseudodemokratike e antidemokratike dhe manipulimet politike nën petkun e demokracisë," tha zëdhënës. (Xu Guang)