民主---[mín zhǔ]---demokraci
“Luftërat dhe tronditjet e pandërprera në botë kanë vërtetuar herë pas here se përhapja e ‘demokracisë’ në vende të tjera, duke u imponuar sistemin politik e konceptin tënd të vlerave këtyre vendeve, ka dëmtuar seriozisht paqen, sigurinë e stabilitetin ndërkombëtar e rajonal.” Ditët e fundit, ambasadori i Kinës dhe ai i Rusisë në ShBA publikuan bashkërisht një artikull në revistën amerikane “The National Interest”, duke shprehur kundërshtimin e vendosur për të ashtuquajturin “Samit i Demokracisë” të thirrur nga ShBA-ja. Artikulli ka ngjallur vëmendje të madhe edhe në opinionin ndërkombëtar.
Shihet nga e gjithë bota se ky i ashtuquajtur “Samit i Demokracisë”, që është planifikuar të zhvillohet nga 9 deri më 10 dhjetor, mbetet një dredhi për nxitjen e kundërvënies ideologjike e të përçarjes dhe për mbrojtjen e hegjemonisë së ShBA-së. Ai është një veprim i rrezikshëm që ringjall mendësinë e Luftës së Ftohtë.
foto nga CMG
Pas mbylljes së Luftës së Dytë Botërore, ShBA-ja ka zhvilluar politikën e grupimeve, nën flamurin e “demokracisë”. Sipas një raporti të publikuar nga Shoqata e Studimit të të Drejtave të Njeriut e Kinës, nga mbyllja e Luftës së Ftohtë deri në vitin 2001, ndër 248 konfliktet e dhunshme në 153 rajone të botës, 201 u shpërthyen nga ShBA-ja, duke zënë 81 për qind. Nga bombardimi i Federatës Jugosllave në agresionin kundër Afganistanit e deri në ndërhyrjen ushtarake në Irak e Libi, të ashtuquajturat “transformime demokratike”, të nxitura nga pala amerikane, kanë shkaktuar humbje shumë të mëdha në njerëz e në materiale dhe vendet përkatëse janë futur në faza trazirash të gjata.
Kur heq maskën e “demokracisë së tipit amerikan”, shihen plagët. Le të marrim për shembull luftën në Afganistan, që zgjati për 20 vjet. Nga sulmet e bombardimet e trupave amerikane ose si pasojë e trazirave të shkaktuara nga trupat amerikane, u vranë mbi 30 mijë banorë të thjeshtë, u plagosën mbi 60 mijë të tjerë dhe afro 11 milionë u bënë refugjatë. Sipas vlerësimit të studiuesve të Universitetit të Kabulit, lufta e Afganistanit shkaktoi 60 milionë dollarë amerikanë humbje ekonomike në ditë dhe afro 250 të vdekur e të plagosur në ditë.
foto nga VCG
Vitet e fundit, për frenimin e zhvillimit të Kinës, një pjesë politikanësh amerikanë kanë përsëritur dredhitë e vjetra nën flamurin e së ashtuquajturës “demokraci”, duke paraqitur “strategjinë e Indo-Paqësorit”, duke formuar “mekanizmin katërpalësh” (ShBA-Japoni-Indi-Australi), duke nxitur disa vende të dërgojnë anije ushtarake për të ashtuquajturin “lundrim i lirë” në Detin e Kinës Jugore e në ngushticën e Tajvanit dhe duke nënshkruar partneritetin trepalësh të sigurisë ShBA-Britani-Australi (AUKUS). Të gjitha këto veprime janë krijime grupimesh politike në rajonin e Azi-Paqësorit për nxitjen e kundërvënies dhe ShBA-ja është bërë shkatërruesja numër 1 i paqes dhe e stabilitetit rajonal.
Këto veprime të palës amerikane kanë ngjallur edhe vigjilencën e madhe të vendeve të rajonit. Kundrejt AUKUS-it, Indonezia dhe Malajzia kanë shprehur shqetësim të madh. Ish-presidentja e Fillipineve Gloria Arroyo vuri në dukje se vendet e Azisë Juglindore shqetësohen për garën e armatimeve të shkaktuar nga AUKUS-i. Ndërsa gjatë mbledhjes së Këshillit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, të zhvilluar kohët e fundit, të tre palët: amerikane, britanike dhe australiane, nuk dhanë përgjigje për qëllimin dhe hollësirat e planit të tyre të bashkëpunimit për nëndetëset bërthamore dhe kjo tregon qëllimet e fshehta të tyre.