现代化---[xiàn dài huà]---modernizim
Në komunikatën e publikuar nga Plenumi i 6-të i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, të zgjedhur në Kongresin e 19-të të kësaj partie, vihet në dukje se, nën udhëheqjen e PKK-së, populli kinez ka gjetur rrugën e vet të modernizimit, ka krijuar tipin e ri të qytetërimit të njerëzimit dhe ka pasuruar rrugët e vendeve në zhvillim drejt modernizimit.
Përse ka arritur sukses rruga kineze e modernizimit pa eksportuar kolonializëm, luftëra dhe kontradikta?
Qendra e Shangait/ VCG
Historikisht, ShBA-ja dhe vendet europiane hynë të parat në rrugën e modernizimit dhe rruga e tyre u konsiderua nga teoricienët perëndimorë si i vetmi model i modernizimit. Por modernizimi i këtyre vendeve është shoqëruar zakonisht me kolonializmin dhe agresionin dhe, pas realizimit të modernizimit, janë shfaqur shumë të meta të ndryshme, si polarizimi midis të pasurve dhe të varfërve, përçarja e shoqërisë etj.
Njëkohësisht, modeli perëndimor i modernizimit nuk përshtatet me të gjitha vendet. Një pjesë e vendeve amerikanolatine kanë vazhduar për mbi një shekull lëvizjen e modernizimit, por ato gjenden edhe sot në trazira shoqërore dhe recesion ekonomik. Ndërkohë, edhe vendet afrikane kanë hasur shumë vështirësi në rrugën e modernizimit. Gjithnjë e më shumë njerëz janë të ndërgjegjshëm se modernizimi nuk është baras me oksidentalizmin dhe se vendet që janë të prapambetura në “maratonën” e zhvillimit kanë nevojë për më shumë alternativa.
Studiuesi i njohur britanik Martin Jacques vuri në dukje: “Ngritja e Kinës u ofron vendeve në zhvillim rrugën dhe frymëzimin e ri për zhvillimin e tyre.” Pse quhet “e re” kjo rrugë kineze? Sepse ajo u gjet në mënyrë të pavarur nga populli kinez nën udhëheqjen 100-vjeçare të PKK-së. Ajo “ka karakteristika kineze dhe përputhet me gjendjen konkrete të Kinës”. Kjo rrugë synon begatinë e përbashkët të të gjithë popullit, bashkëjetesën harmonike midis njeriut e natyrës, zhvillimin paqësor të botës, krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe zhvillimin përpjesëtimor të qytetërimeve materiale, politike, shpirtërore, shoqërore e ekologjike.
Sheshi Tiananmen në ceremoninë e 100-vjetorit të PKK-së, më 1 korrik 2021/ VCG
Është e dukshme që “rruga kineze e modernizimit” ka thithur nga njëra anë përvojën e favorshme të rrugëve të modernizimit të vendeve perëndimore e lindore dhe, nga ana tjetër, kapërcen të metat e modelit perëndimor të modernizimit.
Studiuesi brazilian mbi çështjet e Kinës Evandro Menezes de Carvalho vuri në dukje: “Vendet perëndimore orvaten të përhapin konceptin e tyre të vlerave përmes globalizimit, pa përfillur ndryshimet e popujve të tjerë në konceptin e vlerave, doket e zakonet etj. Kjo është një ide kolonialiste. Ndërkohë, rruga e modernizimit e Kinës është më gjithëpërfshirëse.”
Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës thuhet: “Nëse të bëjnë këpucët apo jo, e di vetëm nëse i vesh ato.” Përvoja më e çmuar e rrugës së modernizimit të Kinës është kërkimi i një rruge në përshtatje me gjendjen konkrete të vendit. Një rrugë e huazuar dhe e detyruar nuk funksionon. (Wang Lei/ Artan)