气候---[qì hòu]---Klimë

Artikulli i postuar në uebsajtin e "The New Yorker"-it

Artikulli i postuar në uebsajtin e "The New Yorker"-it

Në një artikull të botuar më 7 nëntor në uebsajtin e revistës "The New Yorker" listohen mosveprimet e disa administratave amerikane lidhur me përballimin e problemit të ndryshimit klimatik. Sipas autores së artikullit, nëse ShBA-ja do të kishte nisur të vepronte në mënyrë të përgjegjshme para 30 vjetësh, situata e tanishme do të ishte krejt e ndryshme.

"Për të njohur realisht papërgjegjësinë e ShBA-së, duhet të kthehemi te Samiti i Tokës në vitin 1992", shkruhet në artikull. Në Samitin e Tokës të organizuar në Rio-de-Zhanejro, presidenti i atëhershëm amerikan Xhorxh H.W. Bush firmosi "Konventën kornizë të ndryshimit klimatik të OKB-së". Mirëpo, për shkak të këmbënguljes së palës amerikane, në këtë dokument nuk u përcaktua ndonjë agjendë kohore dhe as objektiva konkretë. Pesë vjet më vonë, në konferencën e tretë të palëve pjesëmarrëse në konventë, u arrit Protokolli i Kiotos, sipas të cilit ShBA-ja, si vendi më i madh lëshues i gazrave serrë, duhej të ulte me 7 % shkarkimet. Por, megjithëse administrata e atëhershme e Bill Klintonit e firmosi këtë dokument, Senati i kontrolluar nga republikanët nuk i dha dritën jeshile konventës, pa përmendur pastaj që, pas marrjes së postit nga Xhorxh W. Bushi, ShBA-ja u tërhoq prej saj. Në dhjetë vjetët e mëvonshëm, vëllimi i shkarkimit nga ShBA-ja nuk u pakësua, përkundrazi, u shtua më tej.

COP26 në Glasgow(VCG)

COP26 në Glasgow(VCG)

Në vitin 2009, presidenti i atëhershëm Barak Obama fluturoi për në Danimarkë, ku premtoi se ShBA-ja “është e gatshme të veprojë”. Mirëpo, konferenca e përballimit të ndryshimit klimatik përfundoi në Kopenhagë pa rezultat. Në konferencën COP12 të vitit 2015 në Paris, vendet pjesëmarrëse u ftuan të paraqitnin objektivat e veta vullnetare për shkarkimin e gazrave serrë. Kjo synonte të shmangte përsëritjen e asaj çfarë kishte ndodhur në Kopenhagë, si edhe shmangien e Senatit amerikan, që do t’i duhej të miratonte një marrëveshje me fuqi ligjore. E megjithatë, administrata e re e ish-presidentit Donald Trump deklaroi se ShBA-ja nuk do të mbante premtimet e dhëna.

Në vitin 2021, në konferencën COP26, presidenti Joe Biden tha se vendi i tij ishte rikthyer në tryezën e bisedimeve. Ai pohoi se ShBA-ja nuk e ka kryer si duhet detyrat e saj. "Ai kërkoi ndjesë për vendimin e administratës së kaluar për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit, duke shtuar se kjo e bëri ShBA-në të mbetej prapa", shkruan autorja e artikullit.

Kryediplomati i vendit ishullor Tuvalu mbajti fjalim në det për të tërhequr më shumë vëmendje ndaj përballjes së ndryshimit klimatik(VCG)

Kryediplomati i vendit ishullor Tuvalu mbajti fjalim në det për të tërhequr më shumë vëmendje ndaj përballjes së ndryshimit klimatik(VCG)

Para kësaj, administrata e Bidenit kishte vendosur një objektiv ambicioz, që ShBA-ja do të pakësonte 50 % lëshimin e gazrave serrë. Por në vijim në artikull vihet në dukje që, edhe pse Senati e miratoi këtë projekt shpenzimesh të Bidenit prej 1.75 trilion dollarësh amerikanë, është e vështirë të realizohet ky objektiv, sepse “kjo është politika amerikane”. Në fakt, sipas artikullit, ShBA-ja vështirë se do të arrijë edhe objektivin e vjetër e më modest të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit. Siç tha diplomati francez Laurence Tubiana që mori pjesë në hartimin e Marrëveshje së Parisit, ShBA-ja ka një “problem besueshmërie historike për sa i përket klimës".

Në fund të artikullit, autorja shprehet se nuk është shumë vonë për të vepruar, madje është e domosdoshme të veprojmë. Siç tha kryeministri britanik Boris Johnson, "njerëzimi ka filluar numërimin mbrapsht për sa i përket përballimit të ndryshimit klimatik".(Zhang Yan/Artan)