行动---[xíng dòng]---Veprime
“Mbrojtja e konsensusit shumëpalësh”, “fokusimi në veprimet konkrete” dhe “shpejtimi i transformimit të gjelbër” janë tre propozimet e paraqitura të hënën nga presidenti kinez Xi Jinping në Samitin e Sesionit të 26-të të Konferencës së Palëve të Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimin e Klimës (COP26).
“Veprim” është fjala kyçe në projektin e Kinës. Tani vullneti i bashkësisë ndërkombëtare për bashkëpunim në përballimin e sfidave është forcuar pandërprerë, dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete që ky vullnet të bëhet realitet. Pala kineze ka bërë thirrje për këtë në arenën ndërkombëtare.
Po në datën e hapjes së COP26, Organizata Botërore Meteorologjike publikoi një raport të përkohshëm me titull “Gjendja globale e klimës për vitin 2021” ku thuhet se, sipas të dhënave të 9-mujorit të parë të vitit 2021, shtatë vjetët e fundit pritet të jenë shtatë vjetët më të nxehtë në histori. Në vitin 2020, përqendrimi i gazit serrë në shkallë globale arriti në një nivel të ri të lartë dhe në vitin 2021, kjo prirje po vijon. Lidhur me këtë, sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike Petteri Taalas paralajmëroi se klima ekstreme është bërë një gjendje e zakonshme.
“Multilateralizmi është një ‘recetë e mirë’,” presidenti Xi Jinping paraqiti këtë propozim për veprimet globale në përballimin e ndryshimit të klimës. Palët e ndryshme duhet të zbatojnë Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimin e Klimës dhe “Marrëveshjen e Parisit” dhe t’i përmbahen parimit “Përgjegjësi e përbashkët, por e ndryshme”. Gjithashtu, vendet e zhvilluara jo vetëm duhet të bëjnë më shumë, por edhe duhet t’u japin vendeve në zhvillim më shumë ndihmë.
Sipas “Marrëveshjes së Parisit”, vendet e zhvilluara premtojnë se do të japin çdo vit 100 miliardë dollarë fonde për klimën që nga viti 2020 për t’i ndihmuar vendet në zhvillim në përballimin e ndryshimit të klimës. Por në fakt, vendet e zhvilluara janë të pamotivuara për zbatimin e premtimeve. Vetëm në vitin 2020, vendet e zhvilluara duhej të mbushnin një boshllëk prej mbi 20 miliardë dollarësh për të përmbushur këto premtime. Është e dukshme se shtimi nga vendet e zhvilluara i përkrahjes ndaj vendeve në zhvillim është një pikë kyçe për përballimin efektiv global të ndryshimit të klimës.
A do ta ndikojë në zhvillimin ekonomik përballimi i ndryshimit të klimës? Lidhur me këtë dyshim të disa vendeve, presidenti Xi Jinping propozoi të shpejtohet “transformimi i gjelbër” dhe të nxitet zhvillimi i gjelbër me risi tekniko-shkencore.
Kina ka nxitur gjithmonë aktivisht transformimin e gjelbër, duke ndaluar me vendosmëri zhvillimin e verbër të projekteve me konsum të lartë të energjisë dhe lëshim të lartë karboni. Në 10 vjetët e kaluar në Kinë u eliminuan 120 milionë kilovatë kapacitet i instaluar i energjisë elektrike të prodhuar prej qymyrit. Kohët e fundit, Kina ka publikuar shumë dokumente për të siguruar realizimin e objektivave të arritjes së kulmit të lëshimit të karbonit dhe të asnjanësimit të karbonit. Krahas këtyre, pala kineze premtoi se nuk do të ndërtojë më jashtë vendit vepra të reja të energjisë elektrike prej qymyrit. Këto masa kanë treguar përgjegjësinë e Kinës për ndjekjen së bashku me vendet e ndryshme të rrugës së zhvillimit të gjelbër, të vazhdueshëm dhe me karbon të ulët. (Fani/Artan)