实际---[shí jì]---Konkret
“Bashkësia ndërkombëtare ka forcuar vullnetin për bashkëpunim në përballimin e sfidave dhe tani duhet të ndërmarrë veprime konkrete,” tha të dielën presidenti kinez Xi Jinping në videofjalimin e mbajtur në Samitin e 16-të të G20-s të zhvilluar në Romë. Në këtë samit, Xi Jinping-u shtjelloi mendimet e tij për ndryshimin e klimës, energjinë, zhvillimin e vazhdueshëm etj.
Ndryshimi i klimës dhe problemi i energjisë janë sfidat kryesore globale. Opinioni publik ka vënë re se, megjithëse është forcuar vullneti i bashkësisë ndërkombëtare për përballimin së bashku të sfidave, për shkak të qëndrimit të ndryshëm të disa vendeve, mungojnë veprimet konkrete.
Lidhur me këtë, presidenti Xi Jinping paraqiti në samitin e Romës tre propozime: marrjen e masave gjithëpërfshirëse, zbatimin e gjithanshëm të “Konventës Kornizë të Ndryshimit të Klimës të OKB-së” e të “Marrëveshjes së Parisit” dhe forcimin e përkrahjes ndaj vendeve në zhvillim.
Në fushën e përballimit të ndryshimit të klimës, Kina ka ndërmarrë veprime konkrete. Në librin e bardhë “Politika dhe veprimet e Kinës për përballimin e ndryshimit të klimës” të botuar ditët e fundit, shtjellohen hollësisht përparimi dhe rezultatet e arritura nga Kina vitet e fundit në këtë fushë. Në samitin e Romës, Kina ritheksoi se do të realizojë brenda vitit 2030 arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit, si edhe asnjanësimin e karbonit para fundit të vitit 2060. Kjo do të thotë se, si vendi më i madh në zhvillim në botë, Kina do të pakësojë në përmasat më të mëdha në botë lëshimin e karbonit brenda një kohe të shkurtër.
Presidenti Xi shpalli gjithashtu në samit masat konkrete të Kinës për pakësimin e lëshimit të karbonit, duke përfshirë planet dhe masat mbështetëse ndaj sektorëve të rëndësishëm për arritjen e objektivit.
Me rastin e zhvillimit të Samitit të Romës të G20-s, në qytetin Gllasgou të Skocisë u hap Konferenca e 26-të e Ndryshimit të Klimës e OKB-së (COP26). Publiku pret që bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht vendet e zhvilluara, të mbajnë premtimet e bëra lidhur me ndryshimin e klimës, duke shtuar përkrahjen ndaj vendeve në zhvillim.
Kohët e fundit, Kina paraqiti Nismën e Zhvillimit Global për të nxitur zhvillimin më të fuqishëm, më të gjelbër e më të shëndetshëm të botës. Në samit, presidenti Xi Jinping e mirëpriti G20-n të marrë pjesë në këtë nismë dhe sqaroi konceptin konkret të saj, duke përfshirë ruajtjen e zhvillimit si përparësi, ndërmarrjen e veprimeve konkrete dhe krijimin e marrëdhënieve të partneritetit me përfitime të përbashkëta. Këto pika përputhen me thelbin e “Deklaratës së Samitit të Romës të G20-s” dhe janë në favor të realizimit të Objektivit për Zhvillimin e Vazhdueshëm të OKB-së të vitit 2030. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare i Institutit të Shkencave Politike të Parisit Bertrand Badie u shpreh se Kina ka luajtur një rol aktiv për nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike globale dhe të zhvillimit të tregtisë shumëpalëshe. (Fani/Artan)