讲话---[jiǎng huà]---fjalim
Liderët nga 20 ekonomitë kryesore të botës janë mbledhur në Romë për takimin e parë ballë për ballë pas rënies së pandemisë së COVID-19, me pritshmëri për të gjetur rrugëdalje për të përballuar ndryshimin klimatik dhe për të realizuar barazinë e shpërndarjes së vaksinave.
Presidenti kinez Xi Jinping mbajti një videofjalim në sesionin e parë të Samitit të 16-të të G20-s. Ai u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse të mbajnë si duhet përgjegjësitë e tyre ndërkombëtare, duke ngulur këmbë në zhvillimin e hapur e gjithëpërfshirës nëpërmjet bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë, praktimit të multilateralizmit dhe ndërtimit të komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Lidhur me sfidat globale, Xi Jinping-u shtjelloi qëndrimin e Kinës dhe shpalli një propozim prej pesë pikash.
Së pari, solidariteti për bashkëpunimin antipandemik. Kreu i shtetit i Kinës paraqiti Nismën Globale të Veprimit të Bashkëpunimit për Vaksinat, që përbëhet nga: forcimi i bashkëpunimit studimor për vaksinat, sidomos në studimin e prodhimin e vaksinave me vendet në zhvillim; shtimi i ofrimit të vaksinave ndaj vendeve në zhvillim për të arritur objektivin e OBSh-së për vaksinimin global para fundit të vitit 2022; mbështetja ndaj OBT-së për të marrë një vendim sa më parë për heqjen e të drejtave të pronësisë intelektuale të vaksinave, duke inkurajuar ndërmarrjet t'ua transferojnë teknologjinë vendeve në zhvillim; forcimi i bashkëpunimit në tregtinë ndërkufitare për të garantuar tregtimin e lirshëm të vaksinave dhe të lëndëve të para për prodhimin e vaksinave; trajtimi i barabartë i vaksinave të ndryshme, në mënyrë që të nxitet njohja reciproke e vaksinave sipas listës së përdorimit emergjent të OBSh-së; ofrimi i ndihmës financiare për bashkëpunimin global të vaksinave, sidomos ndaj vendeve në zhvillim për të zotëruar vaksinat.
Presidenti kinez Xi Jinping mban videofjalim, Pekin(Foto:Xinhua)
“Deri tani, Kina ka ofruar mbi 1.6 miliard vaksina për mbi 100 vende e organizata ndërkombëtare. Pritet që sivjet kjo shifër t’i kalojë 2 miliardët. Tani Kina po zhvillon prodhimin e përbashkët të vaksinave me 16 vende dhe po negocion me 30 vende për partneritet bashkëpunimi për vaksinat në kuadër të ‘Një brez, një rrugë’. Kina është e gatshme të punojë me palët e ndryshme për të kontribuuar për krijimin e vijës mbrojtëse antiepidemike, duke ngritur nivelin e zotërueshmërisë dhe përballueshmërisë së vaksinave prej vendeve në zhvillim”, theksoi presidenti kinez.
Së dyti, forcimi i bashkërendimit në të mirë të rimëkëmbjes ekonomike. Sipas tij, ekonomitë kryesore botërore duhet të zbatojnë politika të përgjegjshme makroekonomike, duke ndaluar ndikimet negative ndaj vendeve në zhvillim, për të ruajtur funksionimin e qëndrueshëm të sistemit ekonomiko-financiar ndërkombëtar. Kina mirëpret vendimin e FMN-së për të shtuar të drejtat speciale të tërheqjes dhe është e gatshme t’ua huazojë ato vendeve me të ardhura të ulëta që janë prekur rëndë nga pandemia. “Duhet të mbrohet sistemi shumëpalësh tregtar me OBT-në në qendër, duke ndërtuar një ekonomi të hapur ekonomike globale dhe duke garantuar interesat dhe hapësirën e zhvillimit të vendeve në zhvillim. Kina është e gatshme të bashkëpunojë me palët e ndryshme për të nxitur ndërtimin e ‘Një brez, një rrugë’, duke i sjellë botës më shumë rezultate të dukshme”, shtoi presidenti Xi Jinping.
Vaksinat kineze e ndihmës mbërritën në Siri(VCG)
Vaksinat kineze të ndihmës mbërritën në Tunizi(VCG)
Së treti, zhvillimi i përbashkët dhe gjithëpërfshirës. G20-a duhet të vërë në jetë iniciativën e vet për të mbështetur industrializimin e Afrikës dhe vendeve më të pazhvilluara. Ekonomitë e zhvilluara duhet të mbajnë premtimet e tyre për ndihmën përkatëse, duke u ofruar vendeve në zhvillim më shumë burime zhvillimi.
Së katërti, nxitja e inovacionit dhe eksplorimi i motorëve të zhvillimit. G20-a duhet të formulojë rregulla mbi bazën e pjesëmarrjes së plotë dhe konsensusit të gjerë, për të krijuar një mjedis të mirë për zhvillimin e drejtuar nga inovacioni. Ndarja ideologjike është e dëmshme për inovacionin shkencor dhe teknologjik, e nuk sjell asnjë dobi.
Është e nevojshme të promovohet integrimi i thellë i teknologjisë digjitale me ekonominë reale dhe të ndihmohen vendet në zhvillim të eliminojnë "ndarjen digjitale". Kina ka vendosur të aplikojë për t'u integruar në Marrëveshjen e Partneritetit të Ekonomisë Digjitale dhe është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm dhe të rregullt të ekonomisë digjitale.
Së pesti, bashkëjetesa harmonike, e gjelbër dhe e qëndrueshme. G20-a duhet të mbështesë parimin e përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme, të promovojë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Parisit për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe të mbështesë Konferencën e 26-të të Palëve të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike dhe konferencën e 15-të të Konventës për Diversitetin Biologjik të zhvillohen me sukses. Vendet e zhvilluara duhet të japin një shembull për çështjen e reduktimit të lëshimeve, të kujdesen për vështirësitë e shqetësimet e veçanta të vendeve në zhvillim, të zbatojnë angazhimet për financimin e klimës dhe të ofrojnë mbështetje për vendet në zhvillim në fushat e zhvillimit të teknologjisë dhe të forcimit të kapaciteteve. Kina do të përpiqet të arrijë kulmin e karbonit deri në vitin 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri në vitin 2060. ‘’Ne do të mbajmë premtimet tona dhe do të bashkëpunojmë me vendet e tjera për të ndjekur rrugën e zhvillimit të gjelbër, me lëshim të ulët karboni dhe të qëndrueshëm," vuri në dukje Xi.
Një "fermë" për prodhimin e elektrikut me panele voltaike në provincën Qinghai të Kinës Perëndimore(VCG)
Më tej ai shtoi: "Besoj se zhvillimi i Kinës do të sjellë më shumë mundësi të reja për të gjitha vendet dhe do t'i shtojë hovin ekonomisë botërore."
Samiti mbahet nga e shtuna deri të dielën në Romë të Italisë, me ndryshimet klimatike, pandeminë e COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike globale ndër temat kryesore.
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi po merr pjesë në samit si përfaqësues i posaçëm i presidentit Xi Jinping.
Në ditën e parë të samitit u zhvillua sesioni i parë me titull "Ekonomia globale dhe shëndeti global," kurse sesioni i dytë dhe ai i tretë të dielën do të fokusohen përkatësisht në "Ndryshimin e klimës e mjedisin" dhe "Zhvillimin e vazhdueshëm".
Samiti mbahet në prag të samitit COP26 që zhvillohet në Gllasgou të hënën.
G20-a, e krijuar në vitin 1999, shërben si forum për bashkëpunimin ndërkombëtar për çështje ekonomike dhe financiare.
Ai përfshin 19 vende – Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, Japonia, India, Indonezia, Italia, Meksika, Rusia, Afrika e Jugut, Arabia Saudite, Koreja e Jugut, Turqia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Anëtarët e G20-s përbëjnë rreth 60 për qind të popullsisë së planetit dhe rreth 80 për qind të PBB-së globale.
(Zhang Yan/Zhan Dian/Artan)