和平---[hé píng]---Paqe
"Populli kinez e do paqen dhe e çmon jetën paqësore dhe të qëndrueshme. Ne i përmbahemi gjithmonë politikës së jashtme të pavarur dhe promovojmë drejtësinë e barazinë, duke kundërshtuar hegjemonizmin dhe politikën e jashtme të forcës", tha të hënën presidenti kinez Xi Jinping në fjalimin e mbajtur në konferencën përkujtimore të 50-vjetorit të rikthimit të vendit të ligjshëm të Republikës Popullore të Kinës në OKB.
Në konferencën, kreu i shtetit i Kinës ritheksoi zotimin e vendit të tij për të vazhduar të ndjekë rrugën e zhvillimit paqësor, duke luajtur gjithmonë rolin e saj si ndërtuese e paqes botërore. Ky qëndrim u vlerësua lart nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, i cili e falënderoi palën kineze për kontributet e rëndësishme në nxitjen e zhvillimit dhe të paqes në botë.
"Erdhi Kina e re!": gazetari i “Associated Press” të Pakistanit (APP) në OKB Iftikhar Ali dërgoi i pari lajmin në gjuhën angleze për t’ia shpallur botës këtë ngjarje të rëndësishme. Sipas një komenti të CMG-së, rikthimi i të gjitha të drejtave të ligjshme të Kinës në OKB jo vetëm ka shtuar përfaqësueshmërinë dhe autoritetin e kësaj organizate ndërkombëtare, por edhe ka fuqizuar forcat e botës pro paqes dhe drejtësisë. Gjatë 50 vjetëve që prej kthimit në OKB, Kina ka propozuar dhe u është përmbajtur Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore, duke mos nisur e para ndonjë luftë a konflikt dhe duke mos pushtuar asnjë cep tokë të ndonjë vendi tjetër. Ajo gjithmonë synon bashkimin dhe bashkëpunimin me popujt e tjerë të botës, duke ruajtur barazinë e drejtësinë në arenën ndërkombëtare. Lidhur me këtë, ish-kryeministri francez Jean-Pierre Raffarin komentoi se Kina është "një forcë paqësore që i duhet botës ".
Në komentin e CMG-së vihet në dukje se, si një ndër vendet themeluese të OKB-së, Kina gjithmonë propozon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet rrugës paqësore, kundërshton fort përdorimin e dhunës në çështjet ndërkombëtare dhe është një pjesëtare aktive që nxit zgjidhjen politike të problemeve bërthamore të Gadishullit Korean dhe Iranit. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka dërguar mbi 50 mijë paqeruajtës në misione të ndryshme të OKB-së dhe është financuesja e dytë e kuotave dhe e shpenzimeve të misioneve paqeruajtëse të kësaj organizate. Përveç këtyre, Kina ka bërë pjesë në mbi 20 marrëveshje dhe mekanizma ndërkombëtare të çarmatimit, si Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore etj. Sipas një dokumenti të publikuar ditët e fundit për pozicionin e Kinës ndaj OKB-së, pala kineze shprehet se do t'i dorëzojë sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së një projekt për armëpushim gjatë zhvillimit të Lojërave Olimpike dhe do të vazhdojë të ndihmojë në realizimin e nismës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për armëpushim në përmasën globale. "Të gjitha këto kanë vërtetuar se për mbrojtjen e paqes botërore, Kina nuk jep premtime boshe, por i ka vënë ato në praktikë", thekson CMG-ja.
Por përse Kina është gjithmonë mbrojtëse e paqes botërore? Kjo buron nga tradita mbi 5000-vjeçare të kombit kinez dhe është një ndër parimet e qeverisjes së partisë në pushtet në Kinë. Prandaj, liderët kinezë kanë theksuar shumë herë në mënyrë të hapur se pavarësisht nivelit të zhvillimit, Kina nuk do të synon kurrë hegjemoni a ekspansion.
"Nëse rikthimi i vendit të ligjshëm të Kinës në OKB para 50 vjetësh ishte suksesi i përpjekjeve të përbashkëta të vendeve që duan paqe dhe drejtësi, kontributi i Kinës si një forcë e rëndësishme e mbrojtjes së paqes është i rëndësishëm për kauzën e përparimit të njerëzimit. Paqja është vlera e përbashkët e njerëzve dhe synimi i popullit kinez. ‘Kina do të jetë gjithmonë ndërtuese e paqes botërore’, ky është premtimi solem që Kina ka dhënë dhe do ta mbajë me veprime konkrete", përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)