差距---[chā jù]---hendek
Foto: VCG
Ditët e fundit, afër një skulpture të njohur në Nju-Jork të ShBA-së, Demit të Bronztë në “Wall Street”, u vendosën 10 mijë banane dhe përballë tyre u shfaq skulptura e një gorille. Organizuesi tha se ky veprim ka si qëllim për të kundërshtuar hendekun e madh midis të pasurve dhe të varfërve. Gorilla përfaqëson shtresat e ulëta amerikane, ndërsa banania në anglisht ka edhe kuptimin “çmenduri”, që tregon se “Wall Street”-i është çmendur.
Po sa “i çmendur” është hendeku mes të pasurve dhe të varfërve në ShBA? Sipas të dhënave të publikuara nga Rezerva Federale, 10 % e amerikanëve më të pasur ka 89 % të aksioneve dhe fondeve në ShBA, që shënon rekord historik. Pasuria e 1 % "super të pasurve" në ShBA e ka tejkaluar pasurinë e shtresës së mesme, për herë të parë që kur në ShBA nisën të mbahen statistika. “Bloomberg”-u komentoi se pasuria po përqendrohet gjithnjë e më shumë drejt majës së "piramidës", që është sinjali i fundit se hendeku midis të pasurve dhe të varfërve në ShBA vazhdon të zgjerohet.
Njëkohësisht, institucione si Universiteti i Harvardit publikuan sondazhe që tregojnë situatën e jetesës së shtresave të ulëta në ShBA: 40 % e familjeve kanë vështirësi të mëdha ekonomike dhe afro një e pesta e tyre ka shpenzuar të gjitha kursimet. Gjatë epidemisë, të pasurit janë bërë më të pasur dhe të varfrit më të varfër.
Në sipërfaqe, hendeku i madh u nxit nga vlerësimi i ndjeshëm i aksioneve dhe pasurive të tjera nga politikat e lehtësimit sasior. Në fakt, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është një problem i madh shoqëror në ShBA. Laureati amerikan i “Nobelit” në ekonomi, Joseph Eugene Stiglitz, theksoi në librin e tij "Kostoja e pabarazisë" se ata që i përkasin grupit 1 % rrëmbejnë pasurinë shoqërore, duke lënë vetëm ankth dhe shqetësime për ata që i përkasin grupit 99 %.
Pse nuk dëgjon superfuqia e vetme zërat e shtresave të ulëta? Pse hendeku mund të zmadhohet më tej? Në një anë, kjo përcaktohet nga një kontradiktë e thellë e kapitalizmit. Studiuesi francez Thomas Piketty vuri në dukje se, meqenëse shkalla e kthimit të kapitalit është shumë më e lartë se norma e rritjes së produktivitetit, polarizimi i shoqërisë kapitaliste do të bëhet më serioz. Por kjo nuk është arsyeja e vetme. Sipas raportit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, në një shoqëri të pasur si ajo amerikane, varfëria e vazhdueshme ekstreme është zgjedhja politike e atyre që janë në pushtet. Nëse ka vullnet politik, në ShBA mund të zhduket vafëria ekstreme.
Sigurisht, në ShBA mungon ky vullnet, sepse politika amerikane është politika e parave. Një grup i vogël elitash me fuqi ekonomike dhe politike janë bërë prej kohësh skllevër të kapitalit. Përballë problemit të hendekut midis të pasurve dhe të varfërve, mendimi i tyre i parë është të mbrojnë pasurinë e tyre.
Revista "Fortune" vuri në dukje se megjithëse miliona amerikanë po përpiqen të mbijetojnë gjatë pandemisë, paketa e kompensimit për kryezyrtarët e kompanive kryesore amerikane mbetet "bujare" si gjithmonë. Sipas statistikave, të ardhurat e këtyre kryezyrtarëve janë rritur me 16 % në vitin 2020, kurse paga e punëtorëve të zakonshëm vetëm 1.8 %. Një dallim kaq i dukshëm tregon ironinë e madhe të demokracisë amerikane, që reklamon “drejtësinë” dhe "barazinë".